12 Shtator 2012

Pjesëmarrje e Kryetares së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në Seminarin Rajonal të Drejtuesve të Letrave me Vlerë "Shkëmbimi i Informacionit, Standardet Ndërkombëtare dhe Reforma Financiare" që po zhvillohet në Ukrainë

Me ftesë të Komisionit për Titujt dhe Bursën e Ukrainës, Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, znj. Enkeleda Shehi dhe përfaqësues të lartë të AMF-së po marrin  pjesë në Seminarin Rajonal të Drejtuesve të Letrave me Vlerë "Shkëmbimi i Informacionit, Standardet Ndërkombëtare dhe Reforma Financiare". Aktiviteti, i cili ka nisur në datën 10 shtator në Ukrainë,  ka mbledhur drejtues të lartë prej më shumë së 12 autoriteteve rregullatorë nga vende të ndryshme të rajonit duke përfshirë ndërmjet tyre edhe autoritetet e Gjeorgjisë, Rumanisë, Hungarisë, Rusisë, Azerbajxhanit, Moldavisë, etj. Ky aktivitet organizohet në bashkëpunim me Toronto Center dhe me mbështetjen e USAID. Synimi i këtij seminari është forcimi i bashkëpunimit dhe kordinimi i përbashkët i përpjekjeve duke punuar në çështje të rëndësishme si shkëmbimi i informacionit, drejtimi korporativ, mbrojtja e investitorëve, etj.

Gjatë ditëve të këtij seminari Kryetarja e AMF-së, znj. Enkeleda Shehi ka zhvilluar takime të veçanta pune edhe me z. Dmytro Teveliev, Kryetar i Komisionit për Tituj dhe Bursën e Ukrainës si edhe me z. Zoran Cirovic, kryetar i Komisionit të Titujve, të Serbisë. Znj. Shehi gjithashtu ka takuar edhe përfaqësues të lartë të autoriteteve rregullatore të Polonisë, Gjeorgjisë, Rumanisë, Hungarisë, Rusisë, Azerbajxhanit e Moldavisë dhe ka prezantuar zhvillimet në drejtim të legjislacionit dhe mbrojtjes së konsumatorëve në tregun e Letrave me Vlerë në Shqipëri. Shkëmbimi i informacioneve të përbashkëta në rajon dhe përvojave më pozitive është vlerësuar si një mundësi e mirë në zhvillimin më tej të tregjeve dhe për të rritur efikasitetin e autoriteteve rregullatore.

Për më shumë informacione kontaktoni pranë: [email protected]