24 Shtator 2012

Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Znj. Enkeleda Shehi takohet me Zëvendëskryeministren e Qeverisë së Kosovës, Znj. Edita Tahiri

Sot në mjediset e AMF-së u zhvillua takimi me delegacionin qeveritar të Republikës së Kosovës të kryesuar nga Znj. Edita Tahiri, Zëvendëskryeministre. Në përbërje të delegacionit ishin edhe zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, Z. Qemajl Marmullakaj nga zyra e Kryeministrit për Planifikimin Strategjik dhe Z. Flamur Mrasori, shef i kabinetit të Guvernatorit të Bankës së Kosovës.

Në kuadër të bashkëpunimit midis Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, delegacioni kosovar kërkoi mbështetjen e Autoritetit për anëtarësimin e Kosovës në sistemin e Kartonit Jeshil, i cili do të ndihmojë qytetarët e Kosovës në kuadrin e marrëveshjes së lëvizjes së lirë. Gjithashtu Znj. Tahiri u shpreh për mundësinë e tregtimit nga ana e siguruesve të Kosovës të Kartonit Jeshil të emetuar nga Byroja Shqiptare e Sigurimit. Kjo do të sjellë mjaft lehtësi dhe përfitime për qytetarët kosovarë që dëshirojnë të udhëtojnë jashtë Kosovës, u shpreh ajo.

Nga ana  e palës shqiptare u theksua që si hap paraprak për realizimin e këtij procesi një alternativë e mundshme mund të jetë lidhja e një marrëveshjeje midis Byrove respektive për të lejuar pajisjen me Karton Jeshil të lëshuar nga BSHS, të automjeteve kosovare. Po ashtu, në këtë kuadër mund të amendohet edhe Marrëveshja e Mirëkuptimit e nënshkruar në vitin 2008 midis Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, duke e plotësuar në këtë çështje.

Kryetarja e Autoritetit Znj. Enkeleda Shehi shprehu gatishmërinë për të mbështetur këtë proces deri në zgjidhjen përfundimtare të anëtarësimit të Kosovës në sistemin e Kartonit Jeshil, dhe shprehu gjithashtu kënaqësinë që takime të tilla të përbashkëta i japin një nxitje më të madhe bashkëpunimit midis institucioneve si në planin teknik e profesional ashtu edhe për strategji të përbashkëta për zhvillim të mëtejshëm.

Duke e falënderuar për pritjen e përzemërt, Znj. Tahiri theksoi edhe njëherë rëndësinë e përshpejtimit të realizimit të këtij projekti për të cilën mori edhe njëherë mbështetjen e plotë nga ana e palës shqiptare.