24 Shtator 2012

Takim me drejtorët e shoqërive të sigurimit mbi ndryshimin e tarifave të sigurimit të detyrueshëm MTPL dhe funksionimin e Byrosë Shqiptare të Sigurimit

Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Znj. Enkeleda Shehi, zhvilloi ditën e hënë, datë 24 shtator 2012, një takim me drejtorët e shoqërive të sigurimit. Takimi kishte në fokus të tij dy problematika kryesore, ndryshimin e tarifave të sigurimit të detyrueshëm, MTPL dhe funksionimin e Byrosë Shqiptare të Sigurimit, BSHS.

Duke reflektuar mbi situatën e tregut të sigurimeve në javën e kaluar, Kryetarja e Autoritetit, tërhoqi vëmendjen e shoqërive për plotësimin e detyrimeve ligjore për raportimin brenda afateve të përcaktuara në Rregulloren nr. 110, datë 28.07.2011 “Për përcaktimin e nivelit të provigjoneve teknike të sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit” në lidhje me ndryshimet e tarifave të sigurimit të detyrueshëm të automjeteve, MTPL. Kryetarja e Autoritetit e theksoi këtë kërkesë në respekt të rritjes së transparencës dhe bashkëpunimit me shoqëritë, edhe pse sipas ligjit, tarifat e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve, MTPL, janë të liberalizuara dhe shoqëritë e sigurimit kanë të drejtë t’i përcaktojnë vetë ato.  

Gjithashtu, Kryetarja e Autoritetit u ndal edhe në problematikën e funksionimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimit dhe realizimin e detyrimit që shoqëritë e sigurimit kanë për Fondin e Kompensimit si edhe pagesat e dëmeve që rrjedhin prej tij. 

Në takim u vendos krijimi i një grupi pune, nën drejtimin e AMF-së si edhe me juristë të propozuar edhe nga Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë për të bërë ndryshimet e nevojshme në Ligjin Nr. 10076 datë 12.02.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” dhe rregulloreve në zbatim të tij me qëllim saktësimin e detyrimit të shoqërive të sigurimit dhe të drejtave të palëve të dëmtuara ose përfituese nga sigurimet e detyrueshme motorike, MTPL.

Gjithashtu, në mbledhje u kërkua që shoqëritë e sigurimit anëtare të BSHS të depozitojnë në Autoritet propozimin tjetër për rillogaritje të shtesës së Fondit të Kompensimit për vitin 2012, bazuar në përllogaritjen e të gjithë faktorëve me qëllim përshtatjen e këtij fondi. Megjithëse ka përmirësime të dukshme në pagesat e dëmeve, Kryetarja, tërhoqi vëmendjen për kujdes të shtuar në këtë drejtim, duke mos e vonuar procesin.