9 Tetor 2012

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare publikon Gjeografinë e Sigurimeve 2011

Këtë publikim, të cilin Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e ka sjellë pranë lexuesit për herë të parë me të dhënat e vitit 2007, ka vazhduar ta përpunojë e pasurojë nga viti në vit. Publikimi përmban informacion të detajuar mbi dendësinë e sigurimeve, shpërndarjen e primeve dhe produkteve të sigurimit sipas prefekturave.

Duke i hedhur një vështrim primit të shkruar bruto sipas shpërndarjes gjeografike, të bie në sy një përqëndrim i tregut të sigurimeve në prefekturat e mëdha, si Tiranë 60% Durrës 7.89% Fier 5.45% Korce 4.96%, kjo tendecë përqëndrimi ka vazhduar të jetë e njëjtë gjatë gjithë viteve të publikimit të raportit Gjeografia e Sigurimeve.

Një tregues i rëndësishëm i këtij tregu është dendësia e sigurimeve, i cili për vitin 2011 është rreth 2,937.18 lekë për frymë me një rritje prej 385.58 lekë krahasuar me një vit më parë.

Përsa i përket primit për frymë sipas prefekturave, prefektura e Tiranës me 6,534.68 lekë për frymë zë vendin e parë e pasuar nga prefektura Gjirokastër me 4,597.77 lekë për frymë dhe më tej Durrësi dhe Vlora përkatësisht me 2,473.42  lekë për frymë dhe 1,884.10 lekë për frymë.

Ky publikim përfshin gjithashtu edhe informacion të hollësishëm për dëmet e paguara gjatë vitit 2011 sipas prefekturave, duke krijuar edhe mundësinë e krahasimit të këtyre treguesve me ato të një viti më parë. Ku përsëri pjesën më të madhe të dëmeve të paguara e ka prefektura e Tiranës me 65.91% e pasuar nga prefektura Durrës me 9.23%.

Në brendësi të publikimit informacioni i pasqyruar lejon mundësinë e analizave më të detajuara të tregut të sigurimeve, vlerësimin e përqendrimit të tregut, si edhe shpërndarjen e risqeve sipas prefekturave.

Shpresojmë që ky publikim të jetë me interes për Ju.

Për të lexuar tekstin e plotë të publikimit të Gjeografisë së Tregut të Sigurimeve 2011 (në versionin EXCEL) klikoni këtu