22 Tetor 2012

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të organizojë Konferencën mbi kontributin pozitiv të pavarësisë së autoritetit rregullator financiar

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të organizojë konferencën ndërkombëtare në të cilën do të diskutohet mbi marrëdhënien që ekziston ndërmjet pavarësisë së autoriteteve rregullatore financiare dhe qëndrueshmërisë së sektorit financiar. Konferenca e titulluar "Ritheksimi i Pavarësisë së Autoritetit Rregullator të Sektorit Financiar”, parë nga perspektiva e integrimit në Bashkimin Evropian dhe nga mësimet e nxjerra prej krizës më të fundit financiare botërore, mbahet në Tiranë, më 31 tetor 2012.
 
"Ndërsa këtë nëntor populli shqiptar feston 100-vjetorin e Pavarësisë, edhe ne në AMF jemi të bindur se duke modernizuar ekonominë dhe institucionet tona publike, 100 vjetët e ardhshme do të sjellin përparim të madh për kombin tonë ", thekson Enkeleda Shehi, Kryetare e AMF-së. "Kjo konferencë do të jetë një tjetër arritje e institucionit tonë në përmbushjen e misionit për të nxitur besimin e publikut në sistemin financiar," cilëson ajo.

Konferenca do të shërbejë si një forum diskutimi ndërmjet drejtuesve të lartë dhe ekspertëve për:
 
•    pavarësinë e autoriteteve rregullatore  financiare;
•    lidhjen midis pavarësisë së tyre dhe procesit të integrimit në Bashkimin Evropian;
•    ndikimin e pavarësisë së rregullatorit në qëndrueshmërinë e sektorit financiar dhe përgjegjshmërinë e tyre ndaj publikut;
•    përvojat e autoriteteve rregullatore, ndërmjet të tjerash përvojat e veçanta të Estonisë, Hungarisë, Kosovës, Polonisë, Serbisë dhe Turqisë.

Nga Konferenca pritet të arrihet në rekomandime të rëndësishme për politikat dhe procesin vendimmarrës, të cilat mund të mbështesin autoritetet rregullatore të vendeve pjesëmarrëse për çështjet e pavarësisë dhe përgjegjshmërisë.

Konferenca do të përshëndetet nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha. Në Konferencë  do të ketë prezantime prej përfaqësuesve rajonalë dhe ekspertëve nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa Perëndimore.

Konferenca organizohet me mbështetjen e USAID-it,  përmes Programit të saj për Zhvillimin e Sektorit Financiar në Shqipëri (FSVC).

Punimet e Konferencës do të mbahen në Hotel Sheraton Tirana (www.sheratontiranahotel.com).

Për më shumë informacion mbi Konferencën dhe programin e saj, ju lutem kontaktoni në: [email protected]

Për të lexuar axhendën e plotë, lutemi klikoni këtu