16 Tetor 2012

Konferenca e 19-të vjetore e Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve në Sigurime, IAIS

Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS) zhvilloi gjatë periudhës 7-12 tetor 2012, në Washington D.C. SHBA, Konferencën e 19-të Vjetore të IAIS-it me temë “Mbikëqyrja në Sigurime: Themelore për Fuqizimin Financiar Botëror”. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin mbi 600 përfaqësues nga autoritetet mbikëqyrëse të sigurimeve, shoqëritë e sigurimeve, ekspertë dhe zyrtarë të lartë të organizatave ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, si anëtar me të drejta të plota i kësaj organizate, u përfaqësua në këtë aktivitet nga Nënkryetari, Z. Mati Pepa, anëtarja e Bordit të Autoritetit Znj. Kestrin Katro dhe Znj. Violanda Theodhori, Drejtore e Departamentit Juridik.

Në panelet kryesore të Konferencës, diskutimet u përqendruan kryesisht në mbikëqyrjen me bazë të gjerë në tregun e sigurimeve duke përfshirë edhe standardet e sigurimit dhe menaxhimin e riskut. Një ndër çështjet që tërhoqi më shumë diskutime ishte mbikëqyrja e korporatave. Gjithashtu u diskutua për marrëdhëniet midis autoriteteve mbikëqyrëse në funksion të përmbushjes së objektivit kryesor, mbrojtjes së interesave të konsumatorëve dhe garantimit të stabilitetit financiar në rajon dhe më gjerë. Gjithë diskutimet u panë në këndvështrimin e zhvillimeve të shpejta pas krizës së tregut financiar dhe reagimeve politike nga e gjithë bota. Konferenca i dha mbështetje Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS) në misionin e saj, për vendosjen e standardeve globale, të efektshme, të sigurimit, në lehtësimin e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse.