31 Tetor 2012

Zhvillohet konferenca ndërkombëtare “Ritheksimi i Pavarësisë së Autoritetit Rregullator të Sektorit Financiar”

Tiranë, 31 tetor 2012

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi sot konferencën ndërkombëtare “Ritheksimi i pavarësisë së autoritetit rregullator të sektorit financiar” me pjesëmarrje të gjerë të autoriteteve rregullatore nga rajoni dhe ekspertëve të tregjeve financiare.

Në panelin përshëndetës morën pjesë Kryeministri i vendit Prof. Dr. Sali Berisha, Ministri i Financave, Z. Ridvan Bode, Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Z. Ettore Sequi, Drejtori i Misionit të USAID në Shqipëri, Z. Jim Barnhart, si edhe mjaft personalitete të tjera të vendit.

Duke theksuar në fjalën e saj përshëndetëse rëndësinë që ka pavarësia  si një faktor kryesor për zhvillimin e tregut, Znj. Enkeleda Shehi, Kryetare e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare nënvizoi ndër të tjera se “Pavarësia është një domosdoshmëri për arritjen dhe konsolidimin e zhvillimit. Një ambient transparent dhe i qëndrueshëm nxit besimin e konsumatorëve dhe njëkohësisht inkurajon konkurrencën e ndershme të të gjithë pjesëmarrësve ne treg”.

Kryeministri i Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha vlerësoi punën e madhe që stafi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ka bërë duke përballuar sfidat e shumta që ky autoritet ka kaluar me sukses në drejtim të rregullimit dhe mbikëqyrjes së tregut. Duke e vënë theksin tek edukimi i vazhdueshëm financiar i publikut, Kryeministri mbështeti idenë se pavarësia e enteve rregullatore përbën kushtin vendimtar të funksionimit e përmbushjes së misionit të tyre. Kjo përgjegjësi, theksoi Kryeministri është edhe përgjegjësia më e madhe ndaj tregut, ligjit dhe konsumatorit.

Kryeministri Berisha gjithashtu theksoi se leksioni më i madh i kësaj krize është zbatimi rigoroz jashtë çdo ndërhyrje ligjeve mbi të cilat këto institucione veprojnë. Në përfundim Kryeministri shprehu angazhimin për mbështetjen e Qeverisë ndaj AMF-së në kapërcimin e sfidave që lidhen me pavarësinë, ritheksoi se pavarësia përbën kushtin vendimtar.

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri Z. Ettore Sequi, tha se “... sidomos në këtë kohë krizash, forcimi i mbikëqyrjes financiare bëhet gjithnjë e më i nevojshëm.” Ai gjithashtu përcolli fokusin e tij tek konsumatori kur ai tha se le të mos harrojmë se kriza ka patur ndikim të drejtëpërdrejtë tek konsumatori duke e vënë atë në qendër të problematikave.

Duke vlerësuar zhvillimet e deritanishme të rregullatorëve të tregut finaciar në Shqipëri, Z. Jim Barnhart, Drejtori i Misionit të USAID në Tiranë tha se janë pikërisht këto institucione që kanë siguruar një ambjent të shëndetshëm, të sigurtë dhe mbështetës për biznesin. Më tej ai përforcoi idenë që rregullatorët tani “duhet të kenë pavarësi më të madhe financiare për të shmangur konflikin e interesave”. Ai gjithashtu mbështeti idenë që projektligji dhe propozimet e tjera legjislative të bëra nga AMF të aprovohen nga Parlamenti deri në fund vitit.

Duke theksuar praktikat e tyre të deritanishme, drejtuesit e mjaft autoriteteve rregullatore nga rajoni, pjesëmarrës në konferencë, realizuan një shkëmbim idesh dhe përqasje të praktikave më të mira për forcimin e rolit të autoriteteve rregullatore në tregjet financiare. Pjesëmarrës ishin përfaqësues të autoriteteve rregullatorë nga Estonia, Holanda, Hungaria, Kosova, Maqedonia, Moldavia, Polonia, Serbia, Sllovenia, Turqia dhe SHBA.

Interes specifik për mbikëqyrjen dhe rolin e rregullatorëve në tregjet financiare paraqitën edhe prezantimet e ekspertëve nga Banka Qendrore Europiane, Zyra e Komisionerit të Shtetit të Washingtonit, SHBA dhe ish Komisionerja e Departamentit të Bankave dhe Sigurimeve, Nju Xhersi, SHBA.

Për të lexuar tekstin e plotë të fjalës së mbajtur nga Kryetarja e AMF, Zj. Enkeleda Shehi, në sesionin hapës të konferencës, klikoni këtu

Për të lexuar fjalën përshëndetëse të Kryeministrit të Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha, në sesionin hapës të konferencës, klikoni këtu

Për të lexuar fjalën përshëndetëse të Ambasadorit të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, z. Ettore Sequi, në sesionin hapës të konferencës, klikoni këtu


Për më shumë informacione në lidhje me konferencën kontaktoni [email protected]