6 Nentor 2012

Projekt i ri i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare – Polica e sigurimit të automjeteve do të përmbajë tashmë edhe kodin e transaksionit bankar të pagesës

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare që prej datës 1 nëntor ka filluar zbatimin e projektit “Integrimi i Regjistrit të Policave me shitjen nëpërmjet Sistemit Bankar”. Ky projekt nëpërmjet përfshirjes së detyrueshme të transaksionit të pagesës në policat e sigurimit, mundëson zhvillimin dhe kontrollin e tregut të sigurimeve motorike dhe jep mundësinë e krijimit të standardeve në veprimet financiare duke filluar nga lëshimi i policave të sigurimit të detyrueshëm motorik e deri në pagesën e dëmeve si rrjedhojë e tyre.

Me fillimin e zbatimit të këtij projekti, konsumatorët do të shohin disa informacione shtesë në policën e tyre të  sigurimit të detyrueshëm motorik. Përveç Kodit të Raportimit AMF, do të jetë i pranishëm dhe kodi i transaksionit bankar, të cilit i referohet polica e sigurimit. Për konsumatorët këto kode janë garancia e lëshimit të rregullt të policës së sigurimit të detyrueshëm motorik dhe i transmetimit të të dhënave të tyre në AMF.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në këtë mënyrë rrit cilësinë e monitorimit të shoqërive të sigurimeve në drejtim të raportimit të saktë të policave të shitura, duke realizuar kështu funksionet e tij të rëndësishme,  mbrojtjen e konsumatorit dhe forcimin të tregut të sigurimeve. 

Për më shumë informacione kontaktoni [email protected]