9 Nentor 2012

Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në takime pune me përfaqësues të shoqatave, instituteve kombëtare dhe rregullatore të sigurimeve, ANIA dhe ISVAP, Itali, në kuadër të projektit për liberalizmin e sigurimit të detyrueshëm motorik

Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare Znj. Enkeleda Shehi së bashku me një grup pune zhvilluan në datat 7- 9 nëntor takime me përfaqësues të Shoqatës Kombëtare të Shoqërive të Sigurimeve të Italisë, ANIA dhe Institutin për Mbikëqyrjen e Sigurimeve Private dhe Interesave Kolektive, ISVAP, si institucion rregullator. Programi realizohet me mbështetjen e Bankës Botërore dhe Programit “First Initiative”. 

ANIA është një organizëm i krijuar që në vitin 1944 dhe përmbledh rreth vetës mbi 173 shoqëri sigurimi, të cilat kanë rreth 90% të volumit të primeve në tregun italian të sigurimeve. Gjatë takimeve me përfaqësues të lartë të saj janë shkëmbyer eksperiencat në lidhje me ndërtimin e bazës së të dhënave për kontratat e sigurimit të detyrueshëm motorik pranë autoriteteve rregullatore. Ndërtimi i kësaj  baze të dhënash është shumë i rëndësishëm për veprimtarinë mbikëqyrëse të autoriteteve rregullatore, pasi aty pasqyrohet informacioni për dëmet, për efekt të vlerësimit të risqeve aktuariale, si dhe të dhënat e dëmeve për efekt të identifikimit të rasteve mashtruese. Gjithashtu në këto takime u diskutua mbi monitorimin e sistemit të tarifave të kontratave të sigurimit të detyrueshëm motorik, si dhe rolin e aktuarëve në llogaritjen e rezervës së dëmeve e tarifave të kontratave të sigurimit të detyrueshëm motorik. 

Kryetarja e Autoritetit Znj. Enkeleda Shehi zhvilloi një takim të veçantë pune me Znj. Flavia Mazzarella, Zëvendës Menaxhere e Përgjithshme e Institutit për Mbikëqyrjen e Sigurimeve Private dhe Interesave Kolektive, ISVAP. Ky është një institucion rregullator i pavarur, i krijuar që në 1982, që vepron për të siguruar stabilitetin dhe mirëfinancimin e sistemit të sigurimeve, si dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Gjatë takimit u shkëmbyen mendime për mundësitë e zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në mjaft drejtime dhe sidomos në mbrojtjen e konsumatorëve, ku  ky institucion ka një përvojë të veçantë.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, u përfaqësua në këto takime nga Znj. Enkeleda Shehi, Kryetare, Z. Rinald Guri, Drejtor i Departamentit TI, Kërkimit dhe Statistikës, Z. Donald Papalilo, Drejtor i Drejtorisë TI-së dhe Znj. Juliana Dengeri, Aktuar.

Për më shumë informacion kontaktoni [email protected]