21 Nentor 2012

Zhvillimet e tregut të Fondeve të Investimeve për nëntëmujorin 2012

Viti 2012 shënoi fillimin e aktivitetit në tregun e fondeve të investimeve. Fondi i investimit Raiffeisen Prestigj, i administruar nga Shoqëria “Raiffeisen Invest” - shoqëri Administruese e Fondeve të Pensionit dhe Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive sh.a., filloi veprimtarinë e tij më 1 shkurt 2012.

Aktiviteti i fondeve të investimeve kryhet në përputhje me Ligjin nr. 10198, datë 10.12.2009 “Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive”. Në mbështetje të këtij ligji, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare licencoi në datë 13/12/2011, shoqërinë Raiffeisen Invest, shoqëri Administruese e Fondeve të Pensionit dhe Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive sh.a.

Shoqëria “Raiffeisen Invest” sh.a, aktualisht administron dy fonde investimesh “Fondin e Investimeve Raiffeisen Prestigj”, i licencuar më datë 13/12/2011 dhe “Fondin Raiffeisen Invest Euro”, i licencuar më datë 26/09/2012.

Qëllimi i fondeve të investimit të licensuara deri tani nga AMF është ofrimi i një kthimi nga investimi nën një manaxhim të kujdesshëm të portofolit, duke ruajtur nivelin e kapitalit dhe likuiditetin e nevojshëm.

Sipas analizës së të dhënave për tregun e Fondeve të Investimeve, në 30.09.2012, vlera e aseteve neto të Fondit Raiffeisen Prestigj arriti në vlerën 16.9 mld lekë, e cila dominohet nga investimet në Obligacione të Qeverisë, të cilat zënë 84.96% të totalit të aseteve të fondeve. Numri i anëtarëve në fondet e investimit është 7,149. Vlera e aseteve neto nën zotërim të investitorëve individualë ështe 57,98% të totalit.

Për të lexuar disa nga treguesit kryesorë të këtij segmenti të Tregut të Letrave me Vlerë, kliko këtu