Zhvillohet takimi i katërt rajonal i rregullatorëve të tregjeve të sigurimeve të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore
Në datat 5-6 dhjetor 2012 në Vjenë, Austri u zhvillua takimi rajonal i rregullatorëve të tregjeve të sigurimeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Takimi u organizua nga Autoriteti Austriak i Tregut Financiar, FMA në bashkëpunim me Autoritetin Hungarez të Mbikëqyrjes Financiare, HFSA. Ky është takimi i katërt në kuadër të iniciativës CESEE, për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet mbikëqyrësve të sigurimeve nga vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Kjo iniciative është prezantuar fillimisht në prill të vitit 2011 me synim forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërtimin e një forumi diskutimi me fokus në problematikat aktuale të vendeve te rajonit.
Diskutimet kryesore në këtë takim u përqendruan në drejtim të forcimit të strukturave të mbikëqyrjes, shkëmbimit të përvojave rreth mekanizmave alternative të zgjidhjes së kontestimeve në sigurime, produkteve të Sigurimit të Jetës parë në kushtet aktuale ekonomike, si edhe në rolin e bankave si ndërmjetës sigurimesh.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare u përfaqësua në këtë takim nga Znj. Enkeleda Shehi, Kryetare e Autoritetit, Znj. Teuta Baleta, Këshilltare pranë Kryetares dhe Z. Rinald Guri, Drejtor i Departamentit të TI, Kërkimit dhe Statistikës.
Znj. Teuta Baleta drejtoi seancën e parë, me temë Struktura Mbikëqyrëse Efektive. Seanca kishte në qendër të saj diskutimin për rishikimin e strukturave mbikëqyrëse rregullatore në funksion të promovimit të stabilitetit financiar, kalimin drejt mbikëqyrjes me bazë risku, përshtatjen e këtyre strukturave me parimet bazë të sigurimeve, etj.
Në këtë takim, morën pjesë autoritetet homologe të vendeve si Austria, Bosnje- Hercegovina, Kroacia, Hungaria, Maqedonia, Mali i Zi, Moldavia, Polonia, Republika Serbe e Bosnjes, Serbia, Sllovenia dhe Sllovakia.
Për më tepër informacion lidhur me këtë aktivitet, kontaktoni [email protected]
Shqip
English