20 Dhjetor 2012

Takim i Znj. Enkeleda Shehi, Kryetare e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, me përfaqësues të tregjeve të mbikëqyrura nga AMF, për projektet e vitit 2013

Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Znj. Enkeleda Shehi zhvilloi sot një takim përmbyllës me përfaqësues të tregjeve të mbikëqyrura nga AMF, për të diskutuar mbi probleme të ndryshme me interes të përbashkët, realizimet e vitit 2012, zhvillimet dhe sfidat për vitin që vjen. 

Duke përmendur disa nga aktivitetet kryesore gjatë vitit 2012 në tregjet financiare që Autoriteti mbikëqyr, Kryetarja e Autoritetit i cilësoi ato si zhvillime të rëndësishme por edhe me sfida të cilat nuk kanë munguar. Tregu financiar e ka zhvilluar aktivitetin e tij në një situatë të përgjithshme makroekonomike disi më pak të favorshme dhe krahas një tregu bankar që ka kufizuar ndjeshëm kreditimin. Viti 2012 ka qenë një vit relativisht i vështirë edhe për tregun e sigurimeve si në këndvështrimin e tkurrjes së të ardhurave, ashtu edhe të një sërë problematikave si liberalizimi i MTPL, çështjet me fondin e kompensimit e deri te vlerësuesit e dëmeve.

Gjatë vitit 2013 për tregun e sigurimeve si tregu më aktiv nga segmentet e mbikëqyrura nga AMF në vëmendjen tonë, veçoi Znj. Shehi, do të jenë adresimi i një sërë çështjesh që lidhen me sigurimin e detyrueshëm motorik, duke filluar që nga tarifimi me bazë risku, amendimi i ligjit për të zgjidhur një sërë problematikash me të cilat përballet ky treg, e deri tek  mbikëqyrja me fokus riskun. AMF po mbështetet në këtë drejtim nga projekti i Bankës Botërore, i cili është drejt përfundimit.

Kryetarja e Autoritetit e vuri theksin tek vëmendjen dhe energjitë e nevojshme që AMF do t’i kushtojë tregjeve të tjera nën mbikëqyrje. Kështu, viti 2013 fillon menjëherë me një projekt të rëndësishëm në tregun e pensioneve vullnetare private, mbështetur nga BB, me qëllim unifikimin e praktikave me ato të BE. Po kështu AMF do të vijojë të mbështesë lehtësirat fiskale të nevojshme për zhvillimin e këtij tregu, duke lobuar me institucionet përgjegjëse.

Për tregun e Letrave me Vlerë, Kryetarja e AMF-së, Znj. Shehi nënvizoi se mbetet ende një treg i pazhvilluar. Por kjo nuk mund të thuhet për fondet e investimit, dinamika e lartë e zhvillimit të tyre ka tejkaluar çdo pritshmëri dhe ka bërë që AMF t’i kushtojë këtij segmenti një hapësirë të rëndësishme për vitin 2013. Kështu, në bashkëpunim me Korpusin Vullnetar të Shërbimeve Financiare, FSVC, janë programuar 3 projekte të rëndësishme gjatë vitit 2013, duke filluar që nga strategjia e zhvillimit të tregut të letrave me vlerë në tërësi e deri tek hartimi i rregullave të nevojshme për zhvillimin e tregut dhe operatorëve të tij.

AMF do të prezantojë ndryshimet ligjore për të konsoliduar pavarësinë e AMF-së si rregullator me qëllim rritjen e cilësisë mbikëqyrëse.

Në përfundim të takimit Kryetarja e Autoritetit, Znj. Enkeleda Shehi, prezantoi një projekt afatgjatë mjaft të rëndësishëm, i cili është ende në fazën e formësimit të plotë në bashkëpunim edhe me FSVC-në. Ky projekt theksoi Znj. Shehi lidhet me ngritjen e qendrës së trajnimit dhe të kërkimit për tregun financiar, i cili do të mbështesë rritjen e cilësisë së ekspertëve të tregut financiar. Ngritja e kësaj qendre është një domosdoshmëri e kohës dhe përputhet me synimet e ligjeve të fushës si dhe të projektligjit të sigurimeve për aftësimin e vazhdueshëm të profesioneve të caktuara. Për këtë projekt të AMF-së,  Kryetarja e Autoritetit, kërkoi edhe mbështetje nga tregu si një projekt që i shërben vetë atij.

Përfaqësuesit e shoqërive të sigurimit shprehën rezultatet e arritura gjatë vitit 2012 në punën e tyre dhe siguruan për vazhdimësinë e bashkëpunimit edhe me tej me Autoritetin për realizimin e projekteve të përbashkëta.