15 Janar 2013

Zj. Shehi, Kryetare e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, takohet me drejtorët e shoqërive të sigurimit

Në datë 15 janar 2013 Kryetarja e Autoritetit, znj. Enkeleda Shehi zhvilloi një takim me drejtorët e shoqërive të sigurimit për të diskutuar për produktin e sigurimit të detyrueshëm motorik (MTPL), si në drejtim të tarifave të zbatuara, ashtu edhe në drejtim të pagesës së dëmshpërblimeve. Nisur nga gjendja aktuale kur tarifat e zbatuara vlerësohen se janë në nivele relativisht të ulëta, nëse krahasohen me vlerësimin e riskut për produktin, znj. Shehi vuri theksin që AMF, duke luajtur rolin e vet si autoritet mbikëqyrës dhe rregullator i tregut, do të vijojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për ndryshimin e gjendjes. Vëmendje të veçantë në këtë aspekt do te ketë vlerësimi me shumë kujdes i provigjoneve teknike të shoqërive të sigurimit për këtë produkt.

Aktualisht, në bazë të ligjeve përkatëse në fuqi, të ndryshuara, tregu i sigurimit të detyrueshëm motorik është i liberalizuar dhe përcaktimi i primit të shitjes është detyrë e çdo shoqërie sigurimi. Në këto kushte, përpjekjet e shoqërive për të zbatuar tarifa në nivele të tilla që orientohen kryesisht drejt ruajtjes së pozicionit të tyre në treg, janë pasqyruar në çmime më të ulëta sesa primi i riskut. Një qasje e tillë, theksoi kryetarja e AMF-së, mbështetet në objektiva afatshkurtër në administrimin e këtij produkti dhe nëse nuk orientohet nga objektivat afatgjatë mund të sjellë efekte negative në qëndrueshmërinë financiare të shoqërive. Gjithashtu, në takim u theksua edhe njëherë nevoja për kategorizimin e drejtë dhe mbi këtë bazë edhe tarifimin e saktë të produkteve, me qëllim shmangien e abuzimeve në lidhje me ndryshimin e kategorive. Znj. Shehi propozoi marrjen e një sërë masash në drejtim të përmirësimit të situatës, duke filluar me përditësimin e informacionit në sistemin online, deri në marrjen e masave sipas përcaktimeve ligjore në fuqi për rastet e shkeljeve apo të moszbatimit të dispozitave ligjore.

Kryetarja e AMF-së kërkoi më shumë profesionalizëm nga shoqëritë, si në përcaktimin e tarifave për produktet e sigurimit të detyrueshëm, ashtu edhe në respektimin e të drejtave të konsumatorit në drejtim të përcaktimit të saktë të masës së dëmshpërblimit dhe dhënien e tij brenda afateve kohore të përcaktuara nga ligji.

Një tjetër çështje që u trajtua në takim ishte ajo e miratimit të fondit të kompensimit për vitin 2013, si dhe detyrimi që kanë shoqëritë për të bërë pagesat e të gjitha dëmeve tashmë të përcaktuara me vendime të formës së prerë të gjykatës.

Për çështjet e diskutuara u lanë detyrat përkatëse për shoqëritë e sigurimit, për të cilat do të informohet Autoriteti deri në datën 18 janar 2013.