18 Janar 2013

Zhvillohet faza e dytë e trajnimit “Mbikëqyrja me fokus Riskun” pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, me mbështetjen e USAID, nëpërmjet Programit të Zhvillimit të Sektorit Financiar në Shqipëri, FSVC, organizuan fazën e  dytë të trajnimit, “Mbikëqyrja me Fokus Riskun”. Trajnimi u zhvillua në periudhën 14-18 janar pranë Autoritetit. Pjesëmarrës në trajnim ishin specialistë të mbikëqyrjes të AMF-së.

Gjatë trajnimit të zhvilluar në fazën e parë, në shtator 2012, pjesëmarrësit morën njohuritë teorike për efektivitetin e mbikëqyrjes me fokus riskun, mënyrën si ajo influencon shoqëritë e sigurimit dhe ndikimin pozitiv që kjo mënyrë mbikëqyrjeje ka në mbrojtjen e interesave të të siguruarve pranë këtyre shoqërive. Mbledhja e informacionit dhe analizat paraprake, inspektimi, matrica e riskut dhe vlerësimi i saj, ishin disa nga tematikat kryesore të trajtuara.

Në këtë fazë të dytë, u bë një gërshetim i njohurive teorike me rastet konkrete të studimit. Pjesëmarrësit punuan në grupe pune me raste studimore duke zbatuar konceptet teorike mbi raste të mundshme situatash për mbikëqyrje në tregun e sigurimeve. Në përfundim të trajnimit, pjesëmarrësit u pajisën me certifikata.

Trajner i këtij programi është William D. Cundiff, konsulent i certifikuar në sigurime, me eksperience  mbi 30 vjeçare në tregun e sigurimeve, si dhe trajner në kurse të ngjashme që prej 2005 në mjaft institute në Londër.

Për më tepër informacion në lidhje me këtë eveniment kontaktoni [email protected]