10 Janar 2013

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Agjencionin për Mbikëqyrje të Financimit Kapital të Sigurimit Pensional, MAPAS, Maqedoni

Në kuadër të zhvillimit të marrëdhënieve ndërinstitucionale me organizmat homologë në rajon,  Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, AMF, nënshkroi në dhjetor marrëveshje bashkëpunimi me Agjencionin për Mbikëqyrje të Financimit Kapital të Sigurimit Pensional, MAPAS, Maqedoni.

Marrëveshja përfshin shkëmbimin e përvojave të dy institucioneve në drejtim të mbikëqyrjes dhe rregullimit të tregut të pensioneve private vullnetare dhe kuadrit ligjor që rregullon këto fusha.   Bashkëpunimi do të shtrihet edhe në aspektin teknik, si në shkëmbimin e ndërsjellë të informacionit, dokumentacionit dhe organizmin e trajnimeve të përbashkëta. Marrëveshja ka hyrë në fuqi më 28 dhjetor 2012.

Duke e vlerësuar mjaft të rëndësishëm nënshkrimin e kësaj marrëveshje bashkëpunimi, Znj. Enkeleda Shehi, Kryetare e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, theksoi efektin e madh që sjellin marrëveshje të tilla bashkëpunimi në rajon në forcimin e tregut të pensioneve private, si një treg i ri, por që ka dëshmuar një ritëm të shpejtë zhvillimi. Nënshkrimi i marrëveshjeve të tilla bëhet edhe më i rëndësishëm në kushtet kur bashkëpunimi rajonal intensifikohet për shkak të nevojës së zbatimit të direktivave të BE-së. Kjo marrëveshje do të ndikojë pozitivisht në rritjen e integritetit, qëndrueshmërisë dhe efektshmërisë së mbikëqyrjes së sistemit të pensioneve të të dy vendeve tona.

Që prej krijimit të institucioneve mbikëqyrëse të Tregut të Sigurimeve, Letrave me Vlerë dhe Pensioneve Vullnetare, të cilat formuan më pas Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, janë nënshkruar shumë marrëveshje me institucione homologe në rajon e më gjerë të tilla si me autoritetet homologe të Austrisë, Bullgarisë, Greqisë, Italisë, Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Polonisë, Rumanisë, Sllovenisë, Turqisë, etj. AMF është gjithashtu anëtare e tri organizmave ndërkombëtare: Shoqatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve, IAIS, prej vitit 2001, Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Letrave me Vlerë, IOSCO prej vitit 1998 dhe Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Pensioneve, IOPS prej vitit 2006.

Për më tepër informacion në lidhje me këtë eveniment kontaktoni [email protected]