24 Janar 2013

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare me asistencën e Bankës Botërore fillon projektin për harmonizimin e legjislacionit të pensioneve private vullnetare me direktivat e BE-së dhe parimet e OECD-së

Në kuadër të projektit për harmonizimin e legjislacionit të pensioneve private vullnetare me direktivat e Bashkimit Evropian dhe parimet e OECD-së, eksperti i njohur Z. John Ashcroft, zhvilloi një sërë takimesh pune me drejtues e specialistë pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare si edhe me aktorë të tregut.

Projekti, i cili do të zhvillohet në periudhën janar-mars 2013, është financuar nga Banka Botërore, nëpërmjet Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar. Ai synon të krijojë një harmonizim sa më të plotë të kuadrit rregullues, legjislativ dhe mbikëqyrës për sistemin e pensioneve private vullnetare. Tregu i pensioneve vullnetare në Shqipëri është ende në zhvillim dhe aktualisht veprojnë tre fonde pensioni vullnetar, të administruara nga tri shoqëri administruese.

Legjislacioni aktual, që rregullon tregun e pensioneve private vullnetare ka hyrë në fuqi në vitin 2009 dhe ka pasur një përputhshmëri të lartë me direktivat e BE-së, por dinamika e ndryshimit në legjislacionin evropian në katër vitet e fundit në këtë fushë, ka sjellë nevojën e një tjetër rishikimi të hollësishëm të legjislacionit.

Nevoja për harmonizimin e plotë të legjislacionit rregullues të tregut të pensioneve private vullnetare me direktivat e BE-së, vjen edhe si rezultat i angazhimeve që AMF ka marrë në funksion të kërkesave nga Komisioni Evropian, si pjesë e procesit të anëtarësimit të ardhshëm të vendit në Bashkimin Evropian. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është unifikimi i praktikave dhe proceseve në kolonën e tretë, duke i hapur rrugën dhe ndërtimit të infrastrukturës së mbikëqyrjes, për të mirëpritur një reformë të mundshme të pensioneve, si prezantimi i kolonës së dytë.
Rezultatet e projektit pritet të konkretizohen në mars 2013, ku më tej ato do të detajohen në propozime konkrete për ndryshime ligjore.

Për më tepër informacion në lidhje me këtë aktivitet kontaktoni [email protected]