22 Shkurt 2013

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare organizon trajnimin “Aspekte Aktuariale të Sigurimit të Detyrueshëm Motorik në Shqipëri”

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, AMF, me mbështetjen e Bankës Botërore organizuan trajnimin, “Aspekte Aktuariale të Sigurimit të Detyrueshëm Motorik  në Shqipëri”. Trajnimi u zhvillua në periudhën 21-22 shkurt pranë AMF-së. Pjesëmarrës në trajnim ishin specialistë të fushës së aktuaristikës, nga departamentet e marrjes në sigurim dhe të dëmeve të shoqërive të sigurimit, si dhe specialistë e drejtues të mbikëqyrjes në AMF.

Programi i trajnimit përmbante temat kryesore që lidhen me tarifimin me bazë risku dhe provigjionimin në kontekstin e tregut shqiptar të sigurimit të detyrueshëm motorik. Pjesëmarrësit morën njohuritë teorike për metodologjinë e llogaritjes së primeve,  mënyrat e mbledhjes dhe përpunimit të informacionit për të llogaritur primet e bazuara mbi riskun, analizat për llogaritjen e klasifikimin kur konsiderojmë faktorë të ndryshëm të riskut, etj. Gjatë trajnimit u bë konkretizimi i njohurive teorike, me shembuj konkrete të studimit.

AMF, e mbështetur nga Banka Botërore, ka filluar që prej vitit 2011 projektin mbi “Liberalizimin e sigurimit të detyrueshëm motorik, MTPL” me synimin për të lehtësuar kalimin drejt mbikëqyrjes me bazë risku. Projekti është tashmë në fazën përfundimtare dhe janë hartuar dokumentet strategjike për zhvillimin e tarifimit efektiv me bazë risku, si për shoqëritë e sigurimeve, ashtu edhe për AMF-në si autoritet rregullator.

Trajner i këtij programi ishte Sergio de Santis, aktuar dhe ekspert i Bankës Botërore me përvojë në tregun italian të sigurimeve.

Për më tepër informacion në lidhje me këtë eveniment kontaktoni [email protected]