27 Shkurt 2013

Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në takime pune me Shoqatën e Siguruesve të Turqisë dhe institucione të tjera rregullatore të sigurimeve, në kuadër të projektit për liberalizmin e sigurimit të detyrueshëm motorik

Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Znj. Enkeleda Shehi, së bashku me një grup pune zhvilluan në datat 25-26 shkurt takime me drejtues të Shoqatës së Siguruesve të Turqisë, Byronë e Kartonit Jeshil dhe Qendrën për Informacion në Sigurime. Programi u realizua me mbështetjen e Bankës Botërore, në kuadër të projektit për liberalizimin e sigurimit të detyrueshëm motorik.  

Tematikat kryesore të diskutimeve lidheshin me shkëmbimin e përvojave për ndërtimin e bazës së të dhënave për menaxhimin e sigurimit të detyrueshëm motorik, monitorimin e sistemit të tarifave të sigurimit të detyrueshëm motorik, rolin e aktuarëve në llogaritjen e rezervës së dëmeve, si dhe të tarifave të sigurimi të detyrueshëm motorik. Në takimet e zhvilluara me kryetarin e shoqatës së byrosë dhe përfaqësues të lartë nga tregu u diskutua edhe shkëmbimi i përvojave në drejtim të forcimit institucional të autoriteteve rregullatore, pozicioneve dhe përgjegjësive specifike që ka çdo institucion në mbarëvajtjen e tregut të sigurimeve, rolin e Fondit të Garancisë, Byrosë së Kartonit Jeshil, zyrave të arbitrazhit,etj.

Shoqata e siguruesve në Turqi ka aktivitetet të gjatë që nis prej fillimit të shekullit të kaluar dhe konsolidohet më tej pas themelimit të Republikës Turke. Më pas ndryshime legjislative dhe kuadri rregullues ju përshtat zhvillimeve të tregut duke sjellë edhe hartimin e Statutit të Shoqatës së Siguruesve dhe Risiguruesve të Turqisë i cili hyri në fuqi në 1976. Në vitin 1987 kjo shoqatë u shndërrua në një institucion publik dhe ndër objektivat e saj kryesore ishte zhvillimi i mëtejshëm i profesionin të siguruesve. Të gjitha shoqëritë e sigurimit në Turqi janë të detyruara të jenë anëtare të Shoqatës së Siguruesve dhe Risiguruesve të Turqisë.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, u përfaqësua në këto takime nga Znj. Enkeleda Shehi, Kryetare, Znj. Violanda Theodhori, Drejtore e Departamentit të Çështjeve Juridike, Z. Rinald Guri, Drejtor i Departamentit TI, Kërkimit dhe Statistikës, Z. Donald Papalilo, Drejtor i Drejtorisë së TI dhe Znj. Juliana Dengeri, aktuare.

Për më shumë informacion kontaktoni [email protected]