11 Mars 2013

Kryetarja e AMF-së, Znj. Enkeleda Shehi, raporton në Komisionin për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit të Shqipërisë mbi veprimtarinë e institucionit gjatë vitit 2012

Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Znj. Enkeleda Shehi, raportoi sot pranë Komisionit për Ekonominë dhe Financat, të Kuvendit të Shqipërisë, mbi aktivitetin e institucionit dhe zhvillimet e tregjeve financiare nën mbikëqyrjen e AMF-së gjatë vitit 2012.

Në fjalën e saj, Znj. Shehi pasqyroi në mënyrë të përmbledhur veprimtarinë e institucionit, parë si nën këndvështrimin e mbikëqyrjes dhe rregullimit të tregjeve financiare nën mbikëqyrjen e AMF-së, ashtu edhe nën këndvështrimin e sfidave që paraqet zhvillimi dhe forcimi i mëtejshëm institucional i AMF-së.

Në raportim u evidentuan zhvillimet në tregun e sigurimeve, treg i cili ruan peshën më të madhe ndër tregjet e mbikëqyrura dhe për rrjedhojë, merr një pjesë të konsiderueshme të burimeve të AMF-së. Volumi i primeve të shkruara bruto, gjatë vitit 2012 u rrit me afro 9% krahasuar me një vit më parë.

Tregu i letrave me vlerë, gjatë vitit 2012, pati si zhvillimin më dallues veprimtarinë e dy fondeve të investimeve, në lekë dhe në euro, të cilat arritën vlera asetesh nën menaxhim prej mbi 16 miliard lekë brenda më pak se një viti të aktivitetit të tyre.

Edhe tregu i pensioneve private vullnetare pati rritje gjatë vitit 2012, ku totali i aseteve neto të tre fondeve të pensioneve u rrit me afro 83%.

Kryetarja e Autoritetit paraqiti edhe rolin aktiv që AMF luan në mbrojtje të interesave dhe edukimit të vazhdueshëm të konsumatorëve.

Zhvillimin institucional, forcimin e pavarësisë financiare të AMF-së, Znj. Shehi e cilësoi si mjaft të rëndësishëm dhe thelbësor në përballimin e sfidave të mëtejshme. Për këtë ajo kërkoi mbështetjen e Komsionit të Ekonomisë dhe Financave, për të shtyrë më tej procesin e miratimit të ndryshimeve të dy ligjeve tepër të rëndësishme, që AMF tashmë i ka draftuar, si ligji për AMF-në, ligji për sigurimet, si dhe një sërë ndryshimesh të tjera ligjore, që AMF do të propozojë gjatë vitit 2013, si ato për ligjin e sigurimit të detyrueshëm.

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Shqipërisë e vlerësoi pozitivisht veprimtarinë e AMF-së gjatë vitit 2012. Pavarësisht një viti relativisht të vështirë, tregjet financiare të mbikëqyrura nga AMF kanë shfaqur tregues pozitivë dhe dinamikë të konsiderueshme, si në rritje ashtu edhe në ofrimin e produkteve të reja. Gjithashtu Komisioni vlerësoi punën e AMF-së në drejtim të rritjes së vazhdueshme të cilësisë së mbikëqyrjes dhe bashkëpunimit efektiv me institucionet brenda dhe jashtë vendit.

Për të lexuar fjalën e plotë të mbajtur nga Kryetarja e AMF-së, Znj. Enkeleda Shehi, në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Shqipërisë, klikoni këtu.

Për të lexuar sfidat dhe prioritetet e AMF-së për vitin 2013, klikoni këtu.