15 Mars 2013

Mision ekspertize pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian për sigurimin e detyrueshëm motorik

Në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian, ekspertë të BE-së po ndihmojnë Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF) në rishikimin e ligjit për sigurimin e detyrueshëm motorik në sektorin e transportit. Misioni i ekspertizës, zhvillohet në zbatim të angazhimeve që Shqipëria ka për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Ky mision, i cili përfaqëson një program trajnimi për punonjësit e AMF-së lidhur me legjislacionin aktual evropian, u zhvillua në 12-13 mars, pranë AMF-së. Programi mbështetet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet instrumentit TAIEX (Technical Assistence and Information Exchange).

Pjesë e programit ishte trajtimi i temave kryesore që lidhen me transpozimin e direktivës së fundit të BE-së për sigurimin motorik në ligjin shqiptar të sigurimeve, sistemin e tarifave dhe përcaktimin e proceduarave për zgjidhjen e dëmeve sipas standardeve të BE-së. Në ditën e dytë të trajnimit u prezantuan edhe eksperiencat e vendeve të ndryshme të Evropës lidhur me vendosjen e një sistemi kompensimi për aksidentet që përfshijnë mjetet e paregjistruara apo të paidentifikuara. Pjesëmarrësit, gjatë dy ditëve të trajnimit, u njohën me bazën teorike të legjislacionit dhe e konkretizuan atë me raste studimore të vendeve të ndryshme evropiane.

Ekspertë në këtë mision ishin Z. Massimo Paturzo dhe Znj. Patrizia Di Benedetto, nga Autoriteti Mbikëqyrës i Italisë, IVASS (Instituto Vigilianza Sulle Assicurazioni) me eksperiencë të gjerë në tregun italian të sigurimeve.

AMF, me mbështetjen e Bashkimit Evropian nëpërmjet instrumentit TAIEX, do të realizojë gjatë vitit 2013 edhe katër misione të tjera ekspertize dhe trajnimi me tematika të ndryshme për forcimin e kapaciteteve të saj rregullatore për tregjet nën mbikëqyrje.

Për më tepër informacion në lidhje me këtë eveniment kontaktoni [email protected]