18 Mars 2013

Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në takime pune me drejtues të Bankës Kombëtare të Çekisë lidhur me pensionet private vullnetare

Znj. Enkeleda Shehi, Kryetare e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe anëtari i Bordit të AMF-së Z. Astrit Hado së bashku me një grup nga AMF zhvilluan në datat 14-15 mars takime me drejtues të departamenteve të ndryshme të Bankës Kombëtare të Çekisë dhe fondeve të pensioneve private. Programi u realizua me mbështetjen e Bankës Botërore, në kuadër të projektit për shkëmbimin e përvojave në fushën e pensioneve private vullnetare.

Tematikat kryesore të diskutimeve lidheshin me ndërtimin e një reforme në sistemin e pensioneve duke e përshtatur atë me rregullat e Bashkimit Evropian. Shkëmbimi i përvojave u lidh edhe me strategjitë teknike të sistemit të pensioneve private vullnetare si licencimi, praktikat e mbikëqyrjes për kolonën e dytë dhe të tretë të pensioneve, fuqitë rregullatore, etj.

Një vëmendje e veçantë ju kushtua edhe mbrojtjes konsumatore në këtë fushë duke e ndërthurur atë me përkufizimin e eksperiencave në Republikën Çeke lidhur me planet personale të pensioneve, llogaritë personale dhe menaxhimin e tyre, tipologjitë e skemave të pensionit, asetet dhe limitet në investimin e tyre, etj. 

Në ditën e dytë të vizitës, grupi nga AMF vizitoi edhe fondin privat te pensionit “ING Penzijni” duke u njohur konkretisht me menaxhimin dhe eksperiencën e tyre në tregun çek të pensioneve private. 

Për më shumë informacion kontaktoni [email protected]