22 Mars 2013

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare përfundon projektin për harmonizimin e legjislacionit të pensioneve private vullnetare me direktivat e BE-së dhe parimet e IOPS

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) me mbështetjen e Bankës Botërore dhe asistencën teknike të ekspertit Z. John Ashcroft përfunduan projektin për rishikimin e kuadrit ligjor rregullues për tregun e pensioneve private vullnetare.

Pas një periudhe 3-mujore pune të përbashkët të ekspertit me stafin teknik të AMF-së janë përgatitur propozime konkrete për ndryshime të ligjit, rregulloreve dhe udhëzimeve që rregullojnë pensionet private vullnetare në Shqipëri. Rekomandimet e dhëna nga eksperti përmirësojnë mjaft aspekte të rregullimit siç janë ato që lidhen më politikat e investimit të aseteve të fondeve të pensionit, taksimin mbi këto fonde, mënyrat e ndërtimit të fondeve të pensioneve profesionale, etj. Gjithashtu rekomandime janë dhënë edhe për ti paraprirë zhvillimeve duke e lidhur këtë me ecjen e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kështu, kuadri rregullues është plotësuar me pjesën për aktivitetet e bashkëpunimit rajonal (cross – border) në drejtim të fondeve të pensioneve private vullnetare.

Ligji aktual nr. 10197, "Për fondet e pensionit vullnetar" ka hyrë në fuqi në vitin 2009. Krahas tij AMF ka hartuar edhe mjaft rregullore dhe akte nënligjore në zbatim. I gjithë ky kuadër rregullues do të përshtatet me ndryshimet në legjislacionin evropian të viteve të fundit si edhe zbatimin e tyre në kushtet konkrete të tregut shqiptar të pensioneve vullnetare. Synimi është   harmonizimi i legjislacionit të pensioneve private vullnetare me direktivat e Bashkimit Evropian dhe parimet e OECD-së dhe realizimi sa më mirë i mbrojtjes së anëtarëve pjesëmarrës në fondet e pensioneve.

Për më tepër informacion në lidhje me këtë aktivitet kontaktoni [email protected]