18 Prill 2013

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare me mbështetjen e Bankës Botërore përfundoi projektin për liberalizimin e sigurimit të detyrueshëm motorik

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) organizoi sot workshop-in  përmbyllës të projektit për Liberalizimin e Sigurimit të Detyrueshëm Motorik në Shqipëri. Ky projekt, i cili ka filluar që prej shtatorit të vitit 2011, është kryer në bashkëpunim me një grup ekspertësh të Bankës Botërore.

Në prezantimin e dokumenteve strategjike të hartuar për këtë projekt ishin të pranishëm gjithë shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës që veprojnë në tregun shqiptar të sigurimeve. Duke përshëndetur këtë projekt, Kryetarja e AMF-së, Znj. Enkeleda Shehi vlerësoi punën e bërë nga ekipi i Bankës Botërore dhe specialistët e AMF-së për ndërtimin e një udhëzuesi i cili do t’i shërbejë si  shoqërive të sigurimit ashtu edhe vetë AMF-së në të ardhmen. Znj. Shehi vlerësoi edhe rezultatet e arritura me krijimin pranë AMF-së të Qendrës Kombëtare të të Dhënave për Sigurimin e Detyrueshëm Motorik, si një njësi mjaft e rëndësishme në drejtim të furnizimit të parametrave të nevojshëm për klasifikimin me bazë risku të marrjes në sigurim të mjetit dhe drejtuesve të tij, duke integruar mundësimin e përqasjes Bonus-Malus.

Ekspertët e Bankës Botërore prezantuan propozimet e tyre për mundësitë që tregu shqiptar ka për ndërtimin e tarifave të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik me bazë risku. Ata shpjeguan me detaje duke theksuar eksperiencën e vendeve që e kanë kaluar më parë këtë proces si Italia apo Turqia. Ekspertët vunë theksin tek ndërtimi i një baze sa më të plotë të dhënash, përcaktimin e faktorëve që do ndikojnë në përllogaritjen e primeve të sigurimit, rolin shumë të rëndësishëm të teknologjisë së informacionit dhe krijimin e njësisë kundër mashtrimit në sigurimin e mjeteve motorike.

Përfitimet nga zbatimi i këtij projekti do të jenë afatgjata dhe do të lidhen me shpejtësinë dhe maturinë më të cilën vetë shoqëritë e sigurimit do të ecin në këtë proces. Ai pritet të sjellë përfitime për konsumatorin duke ndikuar edhe në uljen e numrit të aksidenteve dhe promovimin e drejtimit më të sigurt të mjeteve motorike.

Për të lexuar komunikatën e përbashkët për shtyp me Bankën Botërore, klikoni këtu .

Për më tepër informacion, kontaktoni në [email protected]