AMF afron të rinjtë me bursën dhe tregun e kapitaleve: Përmbyllet “Të mësojmë për bursën” me fokus në edukimin financiar evropian
Në një ceremoni ku energjia e konkurrencës mes studentëve u ndërthur me gjuhën e riskut dhe strategjisë, u përmbyll edicioni i pestë i konkursit “Të mësojmë për bursën” – Stock Market Learning Competition, një nismë e mbështetur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) në bashkëpunim me German Sparkassenstiftung Albania.
“Kemi sjellë bursën jo si një ndërtesë diku larg, por si një mënyrë të menduari, si vend ku peshohen vendimet,” theksoi përpara të rinjve Nëndrejtoresha Ekzekutive e AMF-së, znj. Merita Gurabardhi, duke nënvizuar se në financë humbja më e madhe nuk është ajo monetare, por humbja e gjykimit. Ajo shtoi se një treg i shëndetshëm kapitalesh ndërtohet mbi kulturë financiare dhe vendimmarrje të argumentuar, duke theksuar se edukimi financiar është pjesë thelbësore e vizionit të AMF-së për një treg të bazuar në standard, transparencë dhe besim, në përputhje me praktikat evropiane.
Gjatë diskutimeve në event, ekspertët vlerësuan AMF-në si promotor aktiv në zhvillimin e tregjeve financiare në Shqipëri.
Në këtë edicion morën pjesë 111 studentë dhe nxënës nga 20 universitete dhe shkolla të mesme, me përfshirjen për herë të parë të gjimnazeve “Sami Frashëri” në Tiranë dhe “Dhaskal Todri” në Elbasan.
Gjatë gjashtë javëve të garës, skuadrat menaxhuan portofole virtuale me çmime reale tregu, ndërsa një juri e pavarur ndërkombëtare i vlerësoi mbi bazën e performancës dhe qëndrueshmërisë, duke shpërndarë përmes AMF-së certifikata dhe çmime për fituesit.
Mesazhi ishte i qartë; Edukimi financiar është themeli i një tregu të shëndetshëm dhe i një shoqërie që merr vendime të përgjegjshme.

Shqip
English