20 Shkurt 2026

AMF dhe Banka Botërore forcojnë partneritetin për reformat rregullatore financiare të integrimit evropian

Partneriteti për integrimin evropian dhe mbështetja për modernizimin e mbikëqyrjes financiare ishin në fokus të takimit mes Drejtoreshës së Përgjithshme Ekzekutive të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) Adela Xhemali dhe Menaxherit të ri të Bankës Botërore për Shqipërinë, z. Massimiliano Paolucci.

Takimi prezantues me z.Paolucci u zhvillua me qëllim vlerësimin e ecurisë së deritanishme dhe harmonizimin e prioriteteve për forcimin e mëtejshëm të sektorit financiar jo-bankar në Shqipëri, në funksion të strategjisë së transformimit të AMF-së, në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Znj.Xhemali vlerësoi bashkëpunimin intensiv dhe efektiv me Bankën Botërore, duke e cilësuar mbështetje thelbësore për rritjen e kapaciteteve mbikëqyrëse dhe konsolidimin e tregjeve financiare.

Diskutimet u përqendruan te përparimi i reformave në sektorët e sigurimeve dhe pensioneve, përgatitjet për zbatimin e Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), si dhe modernizimi i sistemeve të mbikëqyrjes për rritjen e eficiencës, cilësisë së të dhënave dhe transparencës.

Znj.Xhemaili theksoi rëndësinë e asistencës teknike në transpozimin e direktivave të BE-së, përfshirë Solvency II dhe Insurance Recovery and Resolution Directive (Direktiva për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në sigurime), si edhe në amendimet e ligjit për fondet e pensioneve private dhe fusha të tjera prioritare.

Takimi rikonfirmoi angazhimin e përbashkët për përafrimin e kornizës ligjore financiare me standardet e Bashkimit Evropian dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, në funksion të stabilitetit financiar, mbrojtjes së konsumatorëve dhe zhvillimit të qëndrueshëm të tregjeve nën mbikëqyrje.