16 Korrik 2013

AMF organizon trajnimin lidhur me sistemin e raportimit elektronik AMF In-Reg, për veprimtarinë në Tregun Pakicë të Letrave me Vlerë të Qeverisë

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) organizoi me 16 korrik trajnimin për përdorimin e sistemit të raportimit elektronik, AMF In–Reg, për subjektet e licencuara që ushtrojnë veprimtari në Tregun me Pakicë të Letrave me Vlerë të Qeverisë.

Sistemi AMF In-Reg ka qenë një ndër nismat dhe objektivat afatmesëm më të rëndësishëm të viteve të fundit, i mbështetur nga BERZH, dhe pas një pune 5 vjeçare, që prej vitit 2012 është në funksion të plotë për tregun e sigurimeve. Shtrirja e kësaj platformë moderne raportimi edhe për segmentet e tjera të tregjeve financiare që AMF mbikëqyr ka qenë pjesë e strategjisë së AMF-së, që në konceptimin e këtij sistemi.

Pjesëmarrës në trajnim ishin përfaqësues nga “Raiffeisen Bank” sh.a., “Intesa SanPaolo Bank” sh.a., “Banka Kombëtare Tregtare” sh.a., “Alfa Bank Albania” sh.a., “Banka Credins” sh.a., “Tirana Bank” sh.a., “First  Investment Bank” sh.a., “Banka Societe Generale Albania” sh.a. dhe “Posta Shqiptare” sh.a.

Sistemi elektronik i raportimit AMF In-Reg synon informatizimin e procesit të raportimit në tregun me pakicë të letrave me vlerë të Qeverisë, duke rritur efektivitetin dhe duke garantuar siguri dhe besueshmëri në analizën e tyre. Format e raportimit elektronik për aktivitetin në tregun e Letrave me Vlerë të Qeverisë do të jenë në proces testimi si nga subjektet ashtu edhe nga AMF deri në dhjetor 2013 për të kaluar më pas në zbatim të plotë.

Gjatë trajnimit, ekspertët e AMF-së demonstruan hapat konkretë dhe etapat e raportimit elektronik, duke shpjeguar edhe detajet e ndryshme, si dhe duke ju përgjigjur pyetjeve për këtë sistem. AMF ka hartuar edhe një manual përdorimi, i disponueshëm në faqen zyrtare të internetit, për të realizuar një funksionim sa më të mirë të sistemit.

Për më shumë informacione lidhur me këtë trajnim kontaktoni [email protected]