Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, takohet me misionin e Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP), i përbërë nga përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB)
Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Znj. Enkeleda Shehi, priti në datën 18 korrik përfaqësues të Bankës Botërore (BB) dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në kuadrin e Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP).
Programi i Vlerësimit të Sektorit Financiar, përfshin analizën e plotë mbi stabilitetin e sektorit financiar në vend dhe mbi nevojat e mëtejshme të zhvillimit. Vlerësimi i fundit i kryer për Shqipërinë në kuadër të këtij programi, është i vitit 2005 dhe ky mision ka për qëllim përditësimin e vlerësimit të mëparshëm.
Gjatë takimit u bë një prezantim nga ana e misionit planifikues të FSAP-së në lidhje me organizimin dhe shtrirjen e procesit, si dhe pikat ku kërkohet angazhim i AMF-së. Në fazën e parë të procesit AMF duhet të plotësojë disa pyetësorë të detajuar në lidhje me tregjet financiare të mbikëqyrura dhe më tej t’i kalojë për vlerësim, i cili është planifikuar paraprakisht në periudhën tetor-nëntor 2013.
Kryetarja e AMF-së, Znj. Shehi, bëri një panoramë të qartë të zhvillimeve të fundit në tregjet financiare të mbikëqyrura nga AMF dhe sfidat aktuale me të cilat ky institucion po përballet, veçanërisht për forcimin dhe mbrojtjen e pavarësisë së autoritetit rregullator dhe të forcimit të kapaciteteve administrative për t’iu përgjigjur zhvillimeve të tregut financiar dhe mbikëqyrur me efektivitet atë.
Në përfundim të procesit Fondi Monetar Ndërkombëtar do të paraqesë konkluzionet e tij në një raport të quajtur Vlerësimi i Stabilitetit të Sektorit Financiar (FSSA).
Për më tepër informacion kontaktoni [email protected]
Shqip
English