Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me 23 rregullatorë të tregjeve të Letrave me Vlerë në Evropë
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me 23 organizma rregullatorë evropianë që veprojnë në tregjet e letrave me vlerë dhe më specifikisht për fondet alternative të investimeve. Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve u koordinua nga Autoriteti Evropian i Tregjeve dhe Letrave me Vlerë (European Security and Market Authority, ESMA) në zbatim të direktivave të Bashkimit Evropian dhe ka hyrë në fuqi në datën 22 korrik 2013.
Marrëveshjet bilaterale me secilin nga rregullatorët homologë synojnë bashkëpunimin për konsultime, shkëmbim të informacionit lidhur me mbikëqyrjen e Subjekteve Administruese të Fondeve Alternative të Investimeve. Nëpërmjet tyre autoritetet shprehin vullnetin e tyre për një bashkëpunim në përmbushje të mandateve të tyre rregullatore, duke përfshirë mbrojtjen e investitorëve, ruajtjen e integritetit dhe zhvillimin e besimit në tregjet e kapitaleve si edhe reduktimin e risqeve sistemike. Marrëveshjet janë të lidhura me Direktivën e Bashkimit Evropian (EU Directive 2011/61/EU) të datës 8 qershor 2011, për subjektet Administruese të Fondeve Alternative të Investimeve (AIFMD). Ato gjithashtu përcaktojnë qëllimin e bashkëpunimeve, procedurat që ndiqen në rastin e vizitave ndërkufitare, rregullat e konfidencialitetit për informacionin, etj.
Edhe pse në Shqipëri aktivitetet e këtyre fondeve janë ende të pazhvilluara, nënshkrimi i marrëveshjeve konsiderohet si një hap i rëndësishëm në rritjen e bashkëpunimit mbikëqyrës midis AMF-së dhe vendeve anëtare të EU-së.
Pas një procesi të gjatë konsultimesh me vendet anëtare dhe jo-anëtare të EU-së, duke i bërë të dedikuar në terma të njëjta bashkëpunuese këto vende, Shqipëria e ka nënshkruar marrëveshjen me autoritetet homologe të vendeve si: Britania e Madhe, Bullgaria, Danimarka, Estonia, Finlanda, Greqia, Holanda, Hungaria, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Irlanda, Malta, Polonia, Portugalia, Qipro, Republika Çeke, Republika e Sllovakisë, Rumania e Suedia, si edhe 3 mbikëqyrës të letrave me vlerë të Hapësirës Ekonomike Evropiane (EEA) Islanda, Norvegjia dhe Lihtenshteini.
Për më tepër informacion kontaktoni [email protected].
Shqip
English