Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-korrik 2013
Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-korrik 2013 arritën rreth 4,676 milionë lekë, ose 5.59% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2012. Gjatë periudhës janar-korrik 2013, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 551,514 me një ulje prej 4.07% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 87.73% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 11.71% dhe veprimtarinë e Risigurimit me 0.56%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 56.12% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 43.88% të totalit të tregut.
Gjatë periudhës janar-korrik të vitit 2013, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 1,673 milionë lekë, ose 1.47% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2012.
Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, në periudhën janar-korrik 2013 arritën rreth 2,041 milionë lekë, ose rreth 11.65% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2012.
Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-korrik 2013, pati ulje prej 15.65% të volumit të primeve të shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 24.24% krahasuar me periudhën janar-korrik 2012.
Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-korrik 2013 pati një ulje prej 19.40% të volumit të primeve të shkruara bruto dhe po kështu u ul dhe numri i kontratave me 24.10% krahasuar me periudhën janar-korrik 2012.
Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar-korrik 2013 pati rritje me 11.80% të volumit të primeve të shkruara bruto, krahasuar me periudhën janar-korrik 2012. Gjithashtu edhe numri i kontratave u rrit me 9.83%.
Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, në periudhën janar-korrik 2013 arritën rreth 2,610 milionë lekë, ose 1.12% më pak se në periudhën janar-korrik 2012 dhe po kështu u ul dhe numri i kontratave të sigurimit vullnetar me 16.34% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës, gjatë periudhës janar-korrik 2013, patën ulje me rreth 3.73% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2012.
Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar-korrik 2013, siguruan rreth 1,274 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë, me rreth 76.34% të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 16.32% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-korrik 2013, ndihet një rritje prej 4.81% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me rreth 12.28% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-korrik 2012.
Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar-korrik 2013, arritën në mbi 425 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 4.72% në krahasim me periudhën janar-korrik 2012. Peshën më të madhe të të ardhurave të këtij grupi e mbajtën Sigurimet e sëmundjeve me 51.73% të totalit.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-korrik 2013, arritën rreth 548 milionë lekë, ose rreth 10.10% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-korrik 2013 u ulën me rreth 1.47% krahasuar me periudhën janar-korrik 2012. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1,440 milionë lekë, apo 86.12% të totalit të dëmeve të paguara bruto.
Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.
në mijë lekë
|
Lloji i sigurimit |
janar-korrik |
Ndryshimi |
|||
|
2012 |
2013 |
(në %) |
|||
|
Dëmi mesatar |
|
||||
|
MTPL e brendshme |
196 |
261 |
33.23 |
||
|
Karton Jeshil |
638 |
1,036 |
62.30 |
||
|
Kasko |
85 |
70 |
(18.00) |
||
Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar-korrik të vitit 2013, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.
Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar-korrik 2013 (në versionin EXCEL) klikoni këtu
Shqip
English
