30 Gusht 2013

Kryetarja e AMF, Znj. Enkeleda Shehi takohet me Drejtorin e Autoritetit të Tregjeve Financiare të Austrisë, me fokus mbikëqyrjen e përbashkët të grupeve austriake të sigurimeve në Shqipëri

Në kuadër të bashkëpunimit midis Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes së Tregjeve Financiare të Austrisë (FMA), një delegacion nga ky institucion, bëri një vizitë pune në datën 30 gusht 2013, pranë zyrave të AMF-së.

Delegacioni kryesohej nga Z. Peter Braumüller, drejtor i institucionit homolog austriak për Mbikëqyrjen e Tregjeve Financiare dhe njëkohësisht anëtar i Bordit të EIOPA (Autoriteti Evropian i Sigurimeve dhe Pensioneve Profesionale) dhe Kryetar i Shoqatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve në Sigurime, ku AMF aderon që nga viti 2001.

Vizita e Z. Braumüller në Shqipëri vjen në kuadrin e forcimit të marrëdhënieve me AMF në funksion të mbikëqyrjes së përbashkët të grupeve austriake të sigurimeve, që operojnë në Shqipëri. Dy institucionet kanë një marrëveshje mirëkuptimi që prej vitit 2009, e lidhur menjëherë pas investimeve të grupeve austriake të sigurimeve në Shqipëri, e cila është konkretizuar me takime të ndërsjellta, shkëmbim përvoje dhe asistencë teknike në realizimin e projekteve të rëndësishme.

Në takim u diskutuan çështje të rëndësishme, që lidhen me zhvillimet e fundit ligjore e të mbikëqyrjes së tregjeve respektive të sigurimit dhe identifikimin e fushave për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy institucioneve. Po kështu, u morën angazhime për mbikëqyrjen e përbashkët të grupeve austriake të sigurimeve, të cilat kanë prezencë dominuese në tregun shqiptar të sigurimeve, proces ky që do të koordinohet në nivel rajonal nga
Autoriteti i Mbikëqyrjes së Tregjeve Financiare të Austrisë.

Për më tepër informacion kontaktoni [email protected]