9 Shtator 2013

Prezantim i Kryetares së AMF, Enkeleda Shehi në Konferencën e dytë "Mbikëqyrja Globale e Sigurimeve – Tendencat dhe Zhvillimet", organizuar nga Autoriteti Evropian i Sigurimeve dhe Pensioneve Profesionale (EIOPA) dhe Qendra Ndërkombëtare për Rregullimin e Sigurimeve (ICIR) në datat 5 – 6 Shtator 2013 në Frankfurt, Gjermani

Në datat 5 - 6 Shtator 2013, u zhvillua në Frankfurt konferenca e dytë me temë "Mbikëqyrja Globale e Sigurimeve – Tendencat dhe Zhvillimet". Aktiviteti u organizua nga Autoriteti Evropian i Sigurimeve dhe Pensioneve Profesionale (EIOPA) dhe Qendra Ndërkombëtare për Rregullimin e Sigurimeve (ICIR). Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të niveleve më të larta nga autoritete rregullatore financiare, institucione financiare ndërkombëtare, të industrisë së sigurimeve dhe nga bota akademike.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) u përfaqësua nga Kryetarja Enkeleda Shehi, e cila ishte njëkohësisht edhe anëtare në panelin e sesionit të datës 6 Shtator me temë: "Perspektiva e sigurimeve".

Në fjalën e saj, Kryetarja Shehi trajtoi (i) situatën ekzistuese në kërkim të standardeve globale, (ii) sfidat e hartimit të standardeve të reja apo të zbatimit të atyre ekzistuese, (ii) si Shqipëria i zbaton standardet globale të sigurimeve, dhe (iv) rëndësinë e bashkëpunimit me bankën Botërore për zbatimin e mbikëqyrjes me bazë riskun në ekonomitë në zhvillim.

Në kuadrin e tematikës dhe frymës së përgjithshme të  konferencës, Znj. Shehi theksoi domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare financiare drejt ndërtimit të një sistemi bashkëkohor të rregullimit dhe mbikëqyrjes, të bazuar në direktivat e BE, standardet e IAIS-it dhe parimet e njohura ndërkombëtare. Në këtë kuadër, Znj. Shehi përmendi bashkëpunimin e rëndësishëm me Bankën Botërore për përmirësimin e kuadrit ligjor si dhe hartimin e metodologjisë së mbikëqyrjes me fokus riskun. 

Zj. Shehi, vlerësoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në rritje të AMF-së me rregullatorët në rajon, veçanërisht me FMA-në Austriake në drejtim të mbikëqyrjes ndërkufitare, unifikimit të standardeve në rregullimin dhe mbikëqyrjen e tregut të sigurimeve si dhe shkëmbimit të eksperiencës.

Për të lexuar fjalën e mbajtur nga Kryetarja e AMF-së, zj. Enkeleda Shehi, klikoni këtu.

Raporte të detajuara të konferencës dhe disa foto të saj gjenden në faqen e Internetit të ICR (www.icir.de) dhe EIOPA (https://eiopa.europa.eu/conferences-events/2013/conference-on-global-insurance-supervision/index.html).