23 Shtator 2013

Zhvillohet Konferenca e 38-të Vjetore e IOSCO-s

Organizata Ndërkombëtare e Komisioneve të Letrave me Vlerë (International Organization of Securities Commissions, IOSCO) zhvilloi gjatë periudhës 15-19 shtator 2013 në Luksemburg, Konferencën e 38-të Vjetore.  Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë, si anëtar me të drejta të plota i kësaj organizate, u përfaqësua në këtë konferencë nga Znj. Enkeleda Shehi, Kryetare e Autoritetit, Z. Rinald Guri, Drejtor i Departamentit të Kërkimit, Teknologjisë së Informacionit dhe Statistikës dhe Znj. Flora Musta, Drejtore e Drejtorisë së Licencimit dhe Monitorimit.

Gjatë seancave plenare, ashtu edhe në mbledhjet e grupeve të punës, diskutimet u fokusuan në sfidat e autoriteteve mbikëqyrëse në kushtet e krizës financiare botërore. Kryetari i Bordit të IOSCO, Greg Medcraft tha se IOSCO po luan një rol gjithnjë në rritje duke iu përshtatur dhe përballur me sfidat e shumta që rregullatorët e letrave me vlerë hasin sot. Konferenca synoi përcaktimin e një raporti të drejtë midis rregullimit e mbikëqyrjes nga njëra anë dhe mbrojtjes së investitorëve nga ana tjetër.

Anëtarët e IOSCO diskutuan mbi të ardhmen e tregjeve të letrave me vlerë e investimeve në to. Midis të tjerave, ata:

  • Konfirmuan vendosmërinë për të punuar së bashku për të identifikuar rreziqet e mundshme në një mënyrë proaktive dhe në me vështrim drejt zhvillimeve të ardhme;
  • Mbështetën rolin në rritje të IOSCO-s në promovimin e investimeve afatgjata në tregjet e kapitaleve , në fusha të tilla si obligacionet e korporatave, financat e SME-ve (ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme), Financat Islamike, etj;
  • Diskutuan nevojën për punë të mëtejshme në përmirësim të cilësisë së auditimit;
  • Veçuan rëndësinë në rritje të zbatimit të parimeve dhe rekomandimeve të IOSCO-s për të promovuar tregjet e mirë-rregulluara.
Gjatë konferencës u zhvilluan dhe mbledhjet e komiteteve te veçanta të IOSCO-s dhe u diskutua ndër të tjera edhe mbi:
  • Vendosjen e standardeve  si edhe iniciativën për të  monitoruar  zbatimin e principeve dhe rekomandimeve;  
  • Rolin e IOSCO-s dhe progresin e deritanishëm në reformën e deleguar nga udhëheqësit e G20 e cila koordinohet nga Bordi i Stabilitetit Financiar (Financial Stability Board) për zhvillimin e metodologjive për identifikimin e instituteve financiare jo-bankare me rëndësi sistemike (non-bank SIFIs);
  • Tregjet e kapitaleve dhe investimet afatgjata;  
  • Standardet Ndërkombëtare të Raportimin Financiar (IFRS). Bordi aprovoi një deklaratë të përbashkët të IOSCO dhe Fondacionit IFRS duke vendosur protokollin e bashkëpunimit të tyre në zhvillimin e zbatimin e IFRS, me besimin se zbatimi i tyre do të lehtësojë transparencën në tregjet e kapitaleve;
  • Identifikimin e risqeve sistemike. Bordi vendosi publikimin e “IOSCO Risk Outlook”;
  • Edukimin e investitorëve dhe edukimin financiar në tërësi;
  • Punën e kryer nga Grupi i Punës për rregullimin e veprimtarive ndër-kufitare (Cross-Border Regulation);
  • Krimet kibernetike në tregjet financiare si rreziqe të reja. Pjesëmarrësit specifikuan efektin serioz që të tilla krime kanë në integritetin dhe efektshmërinë e tregjeve globale.
Në mbledhje u diskutuan edhe çështje organizative si aprovimi i anëtarëve të rinj të IOSCO-s, ndryshimet në përbërjen e Bordit, masat për promovimin e standardeve te IOSCO-s edhe tek vendet jo-anëtare, krijimin e një fondacioni për ngritjen e kapaciteteve, etj.

IOSCO do të zhvillojë Konferencën e 39-të Vjetore në Brazil – 2014