25 Shtator 2013

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-gusht 2013

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-gusht 2013 arritën rreth 5,352 milionë lekë, ose 8.39% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2012. Gjatë periudhës janar-gusht 2013, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 666,819 me një ulje prej 4.20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 87.71% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 11.79% dhe veprimtarinë e Risigurimit me 0.50%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 54.26% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 45.74% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-gusht të vitit 2013, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 1,855 milionë lekë, ose 4.50% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2012.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, në periudhën janar-gusht 2013 arritën rreth 2,436 milionë lekë, ose rreth 15.20% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2012.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-gusht 2013, pati ulje prej 18.54% të volumit të primeve të shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 23.21% krahasuar me periudhën janar-gusht 2012.

Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-gusht 2013 pati një ulje prej 28.33% të volumit të primeve të shkruara bruto, e shoqëruar edhe me ulje të numrit të kontratave prej 13.34% krahasuar me periudhën janar-gusht 2012.

Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar-gusht 2013 pati rritje me 13.27% të volumit të primeve të shkruara bruto, krahasuar me periudhën janar-gusht 2012. Gjithashtu edhe numri i kontratave u rrit me 7.98%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, në periudhën janar-gusht 2013 arritën rreth 2,889 milionë lekë, ose 2.56% më pak se në periudhën janar-gusht 2012. Gjithashtu, u ul dhe numri i kontratave të sigurimit vullnetar me 16.85% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës, gjatë periudhës janar-gusht 2013, patën ulje me rreth 5.97% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2012.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar-gusht 2013, siguruan rreth 1,392 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë, me rreth 75.67% të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 15.67% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-gusht 2013, ndihet një ulje prej 2.85% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me rreth 11.86% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-gusht 2012.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar-gusht 2013, arritën në mbi 462 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 2.86% në krahasim me periudhën janar-gusht 2012. Peshën më të madhe të të ardhurave të këtij grupi e mbajtën Sigurimet e sëmundjeve me 50.75% të totalit.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-gusht 2013, arritën rreth 631 milionë lekë, ose rreth 11.99% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-gusht 2013 u ulën me rreth 4.50% krahasuar me periudhën janar-gusht 2012. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1,591 milionë lekë, apo 85.77% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.

                                                                                                                                          në mijë lekë

Lloji i sigurimit

janar-gusht

Ndryshimi

2012

2013

(në %)

         Dëmi mesatar

 

MTPL e brendshme

215

258

20.20

Karton Jeshil

675

1,044

54.77

Kasko

       82      

    69

(15.68)


Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar-gusht të vitit 2013, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar-gusht 2013 (në versionin EXCEL) klikoni këtu