2 Tetor 2013

Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, znj. Enkeleda Shehi, takohet me drejtorët e shoqërive të sigurimit

Në datë 2 tetor 2013, Kryetarja e Autoritetit, znj. Enkeleda Shehi zhvilloi një takim me drejtorët e shoqërive të sigurimit të Jo-Jetës për të diskutuar një sërë problematikash, që lidhen kryesisht me produktin e sigurimit të detyrueshëm motorik (MTPL), në drejtim të tarifave të zbatuara, të pagesës së dëmshpërblimeve si dhe problemeve që tregu është duke hasur me sistemin gjyqësor.

Nisur nga gjendja aktuale, kur tarifat e zbatuara kanë pësuar luhatje të shpeshta dhe vlerësohen se janë në nivele jo të përshtatshme në raport me risqet që karakterizojnë produktin, znj. Shehi vuri theksin që AMF, do të marrë të gjitha masat e nevojshme, me qëllim ruajtjen e parametrave teknikë të shoqërive.

Një tjetër çështje që u trajtua në takim ishte ajo e problematikës me Fondin e Kompensimit, e cila ndikohet dhe nga numri i lartë i automjeteve të pasiguruara. AMF u tregua e gatshme të mbështesë nisma ligjore dhe institucionale si dhe të rifreskojë nismat e ndërmarra deri tani, në mënyrë që ky fenomen negativ, që përbën kosto për të gjithë sistemin dhe të siguruarit, të reduktohet.

Në përfundim, Kryetarja Shehi bëri një pasqyrim të zhvillimeve apo ecurisë teknike për mundësimin e zbatimit të sistemit bonus/malus. Aktualisht AMF është duke bërë përpjekje institucionale me DPGJC dhe AKSHI, për të mundësuar lidhjen e nevojshme në nivel TI për marrjen e numrit personal, në mënyrë që t’i mundësohet tregut shfaqja e të dhënave për të filluar tarifimin me bazë risku. Kjo është një hallkë tepër e rëndësishme për ecurinë e mëtejshme të projektit.

Për më tepër informacion kontaktoni [email protected]