7 Tetor 2013

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare publikon Gjeografinë e Sigurimeve 2012

Gjeografia e Sigurimeve 2012 jep në mënyrë të detajuar tregun e sigurimeve në vend duke pasqyruar shpërndarjen e primeve të shkruara bruto, dëmeve të paguara si edhe primit për frymë, sipas prefekturave.

Duke analizuar volumin e primeve të shkruara bruto sipas shpërndarjes gjeografike, bie në sy përqendrimi i tregut të sigurimeve në prefekturat e mëdha, si Tirana me 63.42% të totalit të primeve të shkruara bruto gjatë vitit 2012, Durrësi me 7.84%, Fieri 5.20%, Shkodra 4.12%. Kjo tendecë përqëndrimi ka vazhduar të jetë e njëjtë gjatë gjithë viteve të publikimit të raporteve Gjeografia e Sigurimeve.

Një tregues tjetër i rëndësishëm i këtij tregu është dendësia e sigurimeve. Për vitin 2012, ky tregues është rreth 3,200.41 lekë për frymë, me një rritje prej 263.23 lekë krahasuar me një vit më parë.

Përsa i përket primit për frymë sipas prefekturave, prefektura Tiranë me 7,388.64 lekë për frymë zë vendin e parë, e pasuar nga prefektura Gjirokastër me 3,648.67 lekë për frymë dhe më tej Durrësi dhe Vlora përkatësisht me 2,622.72 lekë për frymë dhe 1,927.90 lekë për frymë.

Ky publikim përfshin gjithashtu edhe informacion të hollësishëm për dëmet e paguara gjatë vitit 2012 sipas prefekturave, duke krijuar edhe mundësinë e krahasimit të këtyre treguesve me ato të një viti më parë. Përsëri, pjesën më të madhe të dëmeve të paguara e ka prefektura e Tiranës me 64.30%, e pasuar nga prefektura Durrës me 6.56%.

Ky është viti i gjashtë radhazi që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare i prezanton lexuesit këtë botim. Gjeografia e Sigurimeve është publikuar për herë të parë me të dhënat e vitit 2007 dhe ka vazhduar të përpunohet dhe pasurohet çdo vit.
 
Për të lexuar tekstin e plotë të publikimit të Gjeografisë së Sigurimeve 2012, (në versionin EXCEL) klikoni këtu.