9 Tetor 2013

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare publikon Raportin e Mbikëqyrjes 2012

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare publikon Raportin e Mbikëqyrjes 2012, i cili ka hyrë në vitin e gjashtë të botimit, si një ndër botimet më të rëndësishme periodike të AMF-së.

Sipas informacionit të përcjellë në këtë raport, tregu i sigurimeve në fund të vitit 2012 ka qenë i mirëkapitalizuar, gjë që ilustrohet nga treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mbi nivelin minimal të kërkuar, përkatësisht në masën 124.83% (Jo-Jeta) dhe 152.85% (Jeta), duke bërë të mundur përballimin e një viti relativisht të vështirë e me luhatje të rezultateve teknike. Gjatë vitit 2012, aktivet e tregut të sigurimeve krahasuar me vitin 2011 u rritën me 1.33 miliardë lekë ose 6.98%. Në fund të vitit 2012, kapitalet e veta të tregut arritën në 10.00 miliardë lekë.

Në thelb të këtij publikimi është informacioni statistikor-financiar i detajuar dhe i strukturuar. Kështu, përveç testeve IRIS për tregun, të dhënave makro dhe informacionit tekniko-financiar për tregun e Jetës dhe të Jo-Jetës, një vend të rëndësishëm zënë dhe treguesit tekniko-financiarë të disa prej portofoleve me peshë më të rëndësishme, me qëllim analizimin e tendencave në vite.
Ky publikim i adresohet një numri të konsiderueshëm përdoruesish, duke filluar që nga vetë operatorët e tregut, investitorët e huaj, analistët e ndryshëm si edhe për qëllime akademike.

Shpresojmë, që ky publikim t’i përgjigjet nevojave të publikut të gjerë, për informacion dhe t’i shërbejë forcimit të mëtejshëm të transparencës në kuadrin e mbikëqyrjes së tregut të sigurimeve.

Për të lexuar tekstin e plotë të publikimit të Raportit të Mbikëqyrjes 2012, në versionin XLS, mund të klikoni këtu.

Për më tepër informacion në lidhje me këtë publikim, kontaktoni [email protected]