Tregjet e Mjeteve Virtuale

Financat e Decentralizuara (DeFi)


Historikisht, entitetet qëndrore si bankat, shoqëritë komisionere, shoqëritë e sigurimit etj., kanë luajtur një rol thelbësor në tregjet financiare duke shërbyer si agjentë dhe ndërmjetës të besimit, likuiditetit, shlyerjes dhe sigurisë. Vlera dhe llojet e këtyre ndërmjetësve është rritur me kalimin e kohës për të përmbushur nevojat në rritje të një sistemi kompleks financiar.

Financa e decentralizuar, ose ndryshe “DeFi”, është një infrastrukturë financiare e bazuar në sistemet blockchain, e cila kohëve të fundit ka marrë mjaft vëmendje në vende me një zhvillim relativisht të lartë të tregjeve dhe shërbimeve financiare. Ky term zakonisht i referohet një tërësie protokollesh të hapura, të lira dhe mjat ndërvepruese me njëra tjetrën të zhvilluara mbi platformat e kontratave të zgjuara, të tilla si Ethereum. Kjo infrastrukturë, imiton shërbime ekzstuese financiare, por me një qasje më të hapur dhe transparente. Në veçanti, DeFi nuk varet nga institucione të centralizuara dhe palë të treta, por bazohet në protokolle të hapura dhe aplikacione të decentralizuara (dApps). Marrëveshjet financiare sigurohen nga kodi i programimit të kontratave të zgjuara, ndërsa transaksionet ekzekutohen në një mënyrë të sigurt e të verifikueshme dhe të gjitha këto veprime shlyhen në blockchain-e publikë. Kështu, kjo lloj arkitekture mund të krijojë një infrastrukture financiare me një transprancë të paprecedentë dhe të pakontestueshme, të drejta të barabarta aksesi dhe nevojë të ulët për ndërmjetësit, shtëpitë e kleringut, etj, pasi këto role tashmë zëvendësohen nga kontratat e zgjuara.


Figura 5: Dallimet mes palës ndërmjetëse në një transaksion financiar. Financat Tradicionale përkundrejt atyre të Decentralizuara.

Një shqetësim thelbësor në lidhje me sistemet DeFi është mungesa e linjave të qarta të përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Kjo veçori e protokolleve në DeFi manifeston mënyrën më të qartë në të cilën arkitektura e kësaj industrie (shpesh e qëllimshme) paraqet rreziqe për investitorët dhe integritetin e tregut. Mungesa e rregullave dhe politikave të brendshme operacionale dhe qeverisëse nuk ofron asnjë garanci ndaj investitorëve në rastet e , nuk ofron asnjë rrugë të qartë për të siguruar mbështetje ndaj viktimave, mbrojtje kundër shfrytëzimit të paligjshëm ose aftësisë për të implementuar ndryshime dhe kontrolle të nevojshme gjatë periudhave të krizës dhe stresit të rrjetit.

Gjithsesi, mbi këto platforma të hapura janë ndërtuar dhe vazhdon të ndërtohen produkte konsumatore të cilat përfitojnë nga avantazhet që regjistrat e shpërndarë sjellin kundrejt atyre të centralizuar. Skema e mëposhtme propozon një kornizë konceptuale për analizimin e shtresave të evidentuara në rrjetin Ethereum.

Ajo bën dallimin midis pesë shtresave: shlyerjes, aseteve, protokollit, aplikacioneve dhe shtresës së grumbullimit.


Figura 6: Shtresat teknologjike të DeFi

1. Shtresa e shlyerjes përbëhet nga infrastruktura bazë e blockchain dhe monedha e tij origjinale e protokollit (p.sh., Bitcoin [BTC] në rrjetin Bitcoin dhe [ETH] në rrjetin Ethereum). Ai lejon rrjetin të ruajë informacionin në mënyrë të sigurt dhe siguron që çdo ndryshim i gjendjes së tij t'i përmbahet rregullave të konsensusit. Blockchain mund të shihet si themeli për ekzekutimin e transaksioneve pa nevojë besimi mes palëve dhe shërben si një shtresë shlyerje përfundimtare dhe e vërtetueshme.

2. Shtresa e aseteve përbëhet nga të gjitha asetet që lëshohen mbi shtresën e shlyerjes. Kjo përfshin monedhën e protokollit vendas, si dhe çdo aset shtesë që lëshohet në rrjet (zakonisht referohen si token).

3. Shtresa e protokollit ofron standarde për raste specifike përdorimi të tilla si shkëmbimet e decentralizuara, tregjet e borxhit, kontratat derivative dhe menaxhimin e aseteve në rrjet. Këto standarde zakonisht zbatohen si një grup kontratash inteligjente dhe mund të aksesohen nga çdo përdorues. Si të tillë, këto protokolle janë shumë të ndërveprueshme.

4. Shtresa e aplikacioneve krijon aplikacione të orientuara drejt përdoruesit fundor që lidhen me protokollet individuale. Ndërveprimi i kontratës së zgjuar zakonisht abstraktohet në një ndërfaqe me të cilin përdoruesit mund të ndërveprojnë, duke i bërë protokollet më të lehtë për t'u përdorur.

5. Shtresa e grumbullimit është një zgjatim i shtresës së aplikacioneve. Grumbulluesit krijojnë platforma me në qendër përdoruesit fundorë. Ato zakonisht ofrojnë mjete për të krahasuar dhe vlerësuar shërbimet, lejojnë përdoruesit të kryejnë detyra komplekse duke u lidhur me disa protokolle njëkohësisht, dhe kombinojnë informacionin përkatës në një mënyrë të qartë dhe koncize.



Karakteristika kryesore të Financave të Decentralizuara


1.Efiçenca. Ndërsa shumica e sistemit financiar tradicional është i bazuar në besim, procese rregullatore dhe varet nga institucionet e centralizuara, DeFi zëvendëson disa nga këto kërkesa të besimit dhe procesve me kontrata të zgjuara të ekzekutuara nga platforma të decentralizuara dhe të paanshme. Kontratat, të cilat janë plotësisht mund të marrin rolet e kujdestarëve të fondeve, shtëpive të kleringut, etj.

2.Transparenca. Aplikacionet e decentralizuara (dApps) janë transparente. Të gjitha transaksionet janë të vëzhgueshme publikisht, dhe kodi i kontratës inteligjente mund të analizohet nga çdokush. Të dhënat financiare janë në dispozicion të publikut dhe mund të përdoren potencialisht nga analistët dhe përdoruesit. Në raste krizash, disponueshmëria e të dhënave historike (dhe aktuale) është një përmirësim i madh në krahasim me sistemet tradicionale financiare, ku shumica e informacionit shpërndahet në një numër të madh databazash private ose nuk disponohet fare.

3.Aksesi. Protokollet e decentralizuara mund të përdoren nga çdokush. Si i tillë, DeFi potencialisht mund të krijojë një sistem financiar vërtet të hapur dhe të arritshëm nga të gjithë. Nëse rregullimi ligjor kërkon kufizime të aksesit, (për shembull, për tokenat të caktuar) ato mund të zbatohen në kontratat e tokenit pa cënuar integritetin dhe karakteristikat decentralizuese të shtresës themelore të shlyerjes.

4.Ndërveprimi. Duhet të krijojmë dallimin midis ndërveprimit funksional dhe ndërveprimit teknik. Me ndërveprueshmërinë funksionale shërbimet mund të punojnë së bashku sepse ato ekzistojnë në të njëjtën platformë. Me ndërveprimin teknik dy platforma të ndryshme mund të punojnë së bashku. DeFi ka kapacitetin për të shtuar ndërveprimin mes aktorëve të ndryshëm. Për shembull, transferimi i mjeteve vrituale nga një blockchain në një tjetër blockchain tashmë mund të ndodhë kudo në botë brenda pak minutash. Kjo është në kontrast me një sistem tradicional pagese ku transferimi i parave nga një kontinent në një kontinent tjetër mund të zgjasë me ditë.

Financat tradicionale përkundrejt atyre të decentralizuara





Aplikimet kryesore të Financës së Decentralizuar


DeFi mishëron një sërë aktivitetesh që plotësojnë kritere të shërbimeve financiare të tilla si minimizimi i besimit, kujdestaria personale e aseteve, sisteme të hapura dhe të programueshme. Deri më tani identifikohen gjashtë kategori të mëdha të financës ë decentralizuar.

1. Monedhat e qendrueshme kërkojnë të ruajnë një vlerë konstante të një tokeni në lidhje me asete të tjera, më së shpeshti me dollarin amerikan. Valutat e qendrueshme jo-kujdestare funksionojnë si shërbime më vete në DeFi, ndërsa valutat e qendrueshme nën kujdestari janë të centralizuara, por mund të inkorporohen në shërbime DeFi (shembuj: USDC, DAI, FRAX).

2. Platformat e tregtimit lejojnë përdoruesit të tregtojnë një aktiv dixhital për një tjetër. Bursat e decentralizuara shmangin marrjen e kujdestarisë së aseteve të përdoruesit duke mundësuar një shkëmbim dypalësh të aseteve përmes kontratave inteligjente (shembull: Uniswap).

3. Krediti përfshin krijimin e instrumenteve financiarë me afat të kufizuar kohor, të cilat duhet të paguhen në maturim, si dhe përputhjen e huadhënësve dhe huamarrësve për të lëshuar këto instrumente (shembull: Aave).

4. Derivatet janë instrumente financiare sintetike, vlera e të cilave bazohet në funksion të një aseti ose grupi asetesh. Shembuj të zakonshëm janë kontratat e së ardhmes dhe opsionet, të cilat i referohen vlerës së një aseti në një kohë të caktuar në të ardhmen (shembuj: Synthetix, DyDx).

5. Siguracionet sigurojnë mbrojtje nga rreziqet e kontratave të zgjuara, pirateria, etj duke tregtuar pagesën e një primi të vogël për mundësinë e mbledhjes së një pagese të madhe në rast të një skenari të mbuluar nga polica (shembull: Nexus Mutual).

6. Menaxhimi i aseteve kërkon të maksimizojë vlerën e një portofoli aktivesh bazuar në preferencat e rrezikut, horizontet kohore, diversifikimin ose kushte të tjera (shembull: Set Protocol).


Krahasimi mes aktivitetit të tregtimit tradicional (TradFi), platformave të centralizuara (CeFi) dhe të decentralizuar (DeFi).


Në mënyrë që të arrijmë një kuptim tërësor të ekosistemit të financës së decentralizuar, është e rëndësishme të dallojmë veçoritë kryesore të tij krahasuar me ofruesit e shërbimeve të mjeteve virtuale në financën e centralizuar dhe me sistemin financiar tradicional.

Më poshtë gjeni dallimet kryesore në aktivitetin e këmbimit mes këtyre segmenteve për të kuptuar veçoritë e tyre.

Financa Tradicionale: Bursat tradicionale tipikisht janë tregje që bashkojnë blerës dhe shitës të instrumenteve financiare. Ato operohen nga një entitet qendror ose mund të operohen nga ndërmjetës financiarë të tillë si shoqëritë komisionere në rastin e sistemeve alternative të tregtisë.

Financa e Centralizuar: Të ashtuquajturat ‘bursa të mjeteve virtuale’, janë tipikisht platforma tregtimi të cilat mundësojnë blerjen, shitjen dhe tregtimin e mjeteve virtuale. Ndryshe nga bursat tradicionale të cilat kryesisht përputhin urdhërat e blerjes me urdhërat e shitjes, këto platforma angazhohen në aktivitete të tjera përtej aktivitetit tradicional të shkëmbimit duke integruar një sërë shërbimesh, si kujdestaria, huadhënie, huamarrje, krijimi i tregut dhe shlyerja e transaksioneve. Platformat e centralizuara janë të lidhura me tregun e gjerë të DeFi përmes aktiviteteve të tyre në tregtimin, huadhënie, prodhim të kriptoaseteve, etj. Shembuj të tyre mund të përmendim platforma si Coinbase, Binance, Kraken, etj.

Financa e Decentralizuar: Nga ana tjeter, bursa të decentralizuara si Uniswap lehtësojnë shkëmbimet e drejtpërdrejta të mjeteve virtuale në mënyrë të hapur, pseudonime dhe jo-kujdestare midis përdoruesve. Për shembull, protokolli operon një sërë mekanizmash të kontratës së zgjuar, ku krijuesit e tregut (ofruesit e likuiditetit) depozitojnë mjetet virtuale (token digjital/monedha virtuale) të tyre në një grup likuiditeti të menaxhuar nga një kontratë, e cila më pas tregtohet nga përdoruesit e tjerë (marrësit e likuiditetit), kundrejt një çmimi të caktuar. Protokolli rregullon në mënyrë algoritmike çmimet sipas një formule konstante në përgjigje të transaksioneve të cilat shtojnë ose shterojnë likuiditetin në grupin e përmendur.

Ashtu si shumica e aplikacioneve të tjera brenda DeFi, dhe në kontrast me shumicën e tregjeve tradicionale të tregtimit, ka pak ose aspak kontrolle besueshmërie dhe kërkesa të brendshme për pajtueshmëri ligjore me protokollet e KYC dhe AML/CFT, dhe as nuk ka një qasje uniforme për vendimmarrjen rreth shkallës së levës financiare që përdoruesit mund të marrin.





Vini re!

Materiali i publikuar në këtë faqe shërben vetëm për qëllime të edukimit financiar dhe përmbajtja e tij nuk duhet të interpretohet si qëndrim zyrtar i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Autoriteti nuk mban përgjegjësi për asnjë dëm që mund të shkaktohet në mënyrë direkte ose indirekte si rrjedhojë e përdorimit të materialeve edukuese në këtë faqe.