Tregjet e Mjeteve Virtuale

Termat Kyçe - Fjalorth



- Çfarë është teknologjia blockchain?


'Blockchain’ është një nga modelet më të hershme dhe me të njohura të teknologjisë së regjistrave të shpërndarë (DLT). Kjo teknologji ka mundësuar për herë të parë, kryerjen e transaksioneve ekonomike ndërmjet dy palëve në distancë, pa përfshirjen e ndërmjetësve ose palëve të treta. Duke zëvendësuar besimin që i veshim ndërmjetësve tradicionale të transaksioneve( si institucionet financiare, bankat, VISA, Paypal ose institucionet shtetërore) me algoritme kompjuterike, kjo teknologji mbart potencial për ta bërë më efiçente mënyrën se si ne ndërveprojmë në përditshmëri.


Figura 1: Rrjet i shpërndarë kompjuterash të cilat mirëmbajnë një databazë të përbashkët publike


‘Blockchain’, i cili përkthehet si “zinxhir blloqesh”, është një databazë publike e përbashkët dhe transparente, e mirëmbajtur nga një rrjet i gjerë përdoruesish, në të cilën regjistrohen transaksione, duke mundësuar kështu shkëmbimin e vlerave ose aseteve pa nevojën e konfirmimit nga një entitet qendror siç mund të jenë bankat ose autoritetet publike. Këto transaksione grumbullohen, verifikohen dhe lidhen sëbashku kronologjikisht për të formuar një “zinxhir blloqesh” i cili është i aksesueshëm nga të gjithë dhe nuk mund të ndryshohet ose të kontrollohet nga asnjë entitet i vetëm. Blockchain është infrastruktura bazë e cila bën të mundur emetimin, shpërndarjen dhe regjistrimin e transaksioneve midis mjeteve virtuale.

Në thelb, kjo teknologji është një regjistër i shpërndarë i cili mund të inspektohet nga të gjithë por nuk mund të kontrollohet nga askush, duke mundësuar kështu transaksione ekonomike të besueshme që autentifikohen nga bashkëpunimi masiv i përdoruesve të tij.


- Çfarë janë mjetet virtuale ?


Mjetet virtuale janë një pasqyrim digjital i një vlere që mund të depozitohet, të tregtohet apo të transferohet në formë digjitale, si dhe që mund të përdoret për qëllime pagesash ose investimesh apo si mjet shkëmbimi, duke përfshirë, por pa u kufizuar tek tokenat digjital ose monedhat virtuale.

Mjetet virtuale, disa prej të cilave cilësohen ndryshe edhe si “token digjital” ose “monedhë virtuale”, emetohen dhe operojnë në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë (DLT). Përdorimet e tyre kryesore aplikohen në pagesa, përfaqësime digjitale të aseteve nga bota reale,të drejtave financiare, etj. Duke qenë se mjetet virtuale fuqizohen nga teknologjia DLT dhe kontratat e zgjuara, një karakteristikë e spikatur e tyre është se ato nuk varen në palë të treta për ndërmjetësimin e transaskioneve, ndryshe nga sistemi tradicional financiar. Nga mjetet virtuale më të njohura mund të permendim kriptomonedha si Bitcoin dhe Ethereum, monedha të qëndrueshme si USDC , si dhe NFT-të ose tokena të tjerë të ngjashëm që përfaqsojnë asete digjitale, ose rrjete kriptoekonomike.


- Çfarë janë kontratat e zgjuara (smart-contracts)?


Kontratat e zgjuara janë versione digjitale të kontratave tradicionale, të cilat përmbajnë një set rregullash dhe kushtesh të cilat vënë në lëvizje reagime të paracaktuara dhe që vetëzbatohen automatikisht në rast të përmbushjes së kushteve të përcaktuara në të.

Ky term u përdor për herë të pare nga kriptografi Nick Szabo më 1997, kur ai përshkroi ndërveprimin mes një blerësi dhe një makinete . Në shembullin e përdorur prej tij, si fillim blerësi zgjedh produktin nga lista e ofruar dhe fut sasinë e duhur të monedhave.Në këtë moment makineta verifikon nëse sasia monedhave përputhet me çmimin e produktit të kërkuar dhe më pas e mundëson atë për blerësin, duke automatizuar kështu procesin e shitjes së produkteve.


Figura 2: Kontrat e zgjuara firmosen në menyrë digjitale mes dy palëve dhe ekzekutohen në blockchain


Kontratat e zgjuara kanë revolucionarizuar potencialin e teknologjisë blockchain, për shkak se ato nuk mbështeten në palë të treta për ekzekutimin e tyre, janë te gjurmueshme lehtësisht dhe të pakthyeshme. Kontratat e zgjuara aplikohen në programimin dhe automatizimin e një logjike biznesi dhe janë baza e krijimit të mjeteve virtuale (kriptomonedha, tokena, etj) dhe aplikimeve të tyre në tregjet e finacës së decentralizuar, e ashtuquajtur ‘De-Fi’.

Përdorimi i kontratave të zgjuara mund të shërbejë në uljen e kostove të transaksioneve ekonomike, duke zëvendësuar ndërmjetësuesit tradicionalë të transaksioneve si shoqërite komisionere, noterët ose sistemet e pagesave, me programe të automatizuara. Në këtë mënyrë, përdorimi i kontratave të zgjuara mund të japë rezultate pozitive si për pjesëmarrësit e tregut, ashtu dhe për konsumatorët fundorë. Nga ana tjetër, duhet theksuar se kontratat e zgjuara mbartin risqe teknike dhe mund të sjellin dëme të pakthyeshme. Siguaria dhe efiçenca e kontratës së zgjuar varet nga cilësia e programimit të tyre, prandaj auditimi i duhur i kontratave është i nevojshëm për shmangien e gabimeve në programim, piraterisë dhe elementëve të tjerë teknik të cilët mund të sjellin humbje të konsiderueshme fondesh.


- Çfarë janë NFT-të?


NFT-të (Non-Fungible Token ose tokena ‘unikë’) janë identifikues digjitalë të cilat ruhen në 'blockchain’ dhe zakonisht përfaqësojnë të drejta në asete të tjera unike digjitale ose fizike si për shembull, arti digjital, kupona, biletari, pasuri të paluajtshme, identiteti, etj. Këto njësi digjitale përveç se përdorin teknologjinë e regjistrave të shpërndarë si një databaze për të ruajtur origjinalitetin dhe pronësinë e tyre, ato gjithashtu mund të tregtohen duke siguruar një gjurmë të lëvizjes së kësaj pronësie. Ndryshe nga mjetet virtuale të tjera si Bitcoin ose Ethereum ku vlera e të gjithë njësive është e barabartë mes tyre dhe përfaqsohet nga një çmim, në rastin e NFT-ve, çdo njësi ka një veçori të ndryshme si pasojë e atributeve të veçanta që shfaq aseti i përfaqsuar. Shembujt më të spikatur të NFT-ve janë koleksionet e artit digjital si Cryptopunks, BAYC. Ndonëse NFT-të reklamohen si përfaqësime digjitale të pronësisë mbi artin digjital, pasuritë e paluajtshme, ose fusha të tjera, përtej tregjeve financiare, shumë prej tyre përmbajnë trajta dhe karakteristika të njëjta me ato të instrumentave financiarë dhe rrjedhimisht duhet ti nënshtrohen të njëjtit kuadër rregullator.


- Çfarë janë ICO dhe STO?


ICO (Initial Coin Offering), ose ndryshe “Oferta Fillestare e Tokenit Digjital/Monedhave Virtuale” ” është metodë për të grumbulluar fonde, në të cilën një emetues i tokenëve digjitalë dhe/ose monedhave virtuale i ofron këto të fundit në këmbim të kapitalit. Ky term u popullarizua gjatë vitit 2017, ku projektet e bazuar në blockchain filluan të rrisin kapital përmes emetimit dhe shitjes së mjeteve virtuale që përfaqësonin projektet e tyre në internet. Në thelb, investitorët ofronin paratë e tyre në këmbim të mjeteve virtuale të sapoemetuara, me shpresën se projekti në të cilin mbështetej mjeti virtual do të ishte i suksesshëm, duke rritur vlerën e mjetit virtual dhe duke gjeneruar kështu norma të larta fitimi për investitorët.

Megjithatë, pjesa dërrmuese e ICO të kryer gjatë periudhës 2017-2018 ishin oferta të parregulluara dhe rezultuan në skema mashtrimi të cilat shkaktuan humbje të konsiderueshme për investitorët. Mosbesimi i krijuar ndaj kësaj forme grumbullimi fondesh e orientoi tregun drejt metodave më të rregulluara. Ishte këtu momenti kur ofertat e tokenit të titujve STO(Security Token Offering) filluan të përdoren më gjerë.

Nëpërmjet një STO, oferta ndjek të njëjtin proces rregullator si një ofertë titujsh, me ndryshimin e vetem që titujt transformohen në mjete virtuale që ruhen në blockchain, i cili në këtë rast shërben si përafërsisht si ‘depozitar digjital me kod të hapur’ për titujt.


- Çfarë janë monedhat digjitale të bankave qendrore (CBDC)


Monedha digjitale e Bankës qendrore është një version digjital i valutës së një vendi, e cila ka kurs ligjor dhe emetohet dhe administrohet përmes teknologjisë së regjistrave të shpërndarë nga Banka Qendrore e një shteti. Aktualisht, pjesa dërrmuese e autoriteteve monetare anembanë globit po hulumtojnë mbi mundësitë dhe sfidat e asociuara me emetimin e një monedhe të tillë, ku mund të përmendim projektet per huanin kinez digjital, euron digjitale etj.


- Çfarë janë stablecoins (monedhat e qëndrueshme)?


Të ashtuquajturat ‘Stablecoins,’ ndryshe “monedhat e qëndrueshme” janë mjete virtuale në formën e një tokeni digjital të cilat synojnë të ruajnë një vlerë konstante në raport me asete të tjera, më së shpeshti me një valutë të përdorur gjerësisht si USD, EUR, etj. Monedhat e qëndrueshme mund të jenë të:

a. Të mbështetura nga eksluzivisht nga valuta; ku një institucion autorizohet të emetojë një ‘stablecoin’ pasi të garantojë planin e mbështetjes përmes aseteve rezervë dhe të marrë një miratim nga rregullatorët (shembull: USDC)
b. Të mbështetura nga asete dhe/ose valuta; ku një shportë asetesh fizike dhe/ose digjitale shërben si kolateral për sasinë e valutës së emetuar dhe një seri kontratash të zgjuara së bashku me një protokoll qeverisje rregullon stabilitetin e çmimit (shembull: DAI nga MakerDAO).
c. Plotësisht algoritmikë; ku sistemi është i programuar në mënyrë algoritmike të rregullojë stabilitetin e çmimit dhe ofertën e kolateralit në varësi të kërkesës për valutën e qëndrueshme në treg. (shembull: UST, Frax).

Nevoja për stablecoins erdhi pasi nuk kishte një përfaqësures digjital të valutave në tregun e mjeteve virtuale për të këmbyer dhe menaxhuar rreziqet e luhatshmërisë së tregut, duke i kthyer ato në mjetin virtual kryesor i cili fuqizon financat e decentralizuara.

Monedhat e qëndrueshme të decentralizuara paraqesin shumë rreziqe për përdoruesit e protokolleve të financave të decentralizuara pasi ato janë të pambështetura, të pa testuara nga tregu i gjerë dhe natyra e programimit të kontratave të zgjuara sjell pasiguri në qëndrueshmërinë e tyre.

Monedha e qëndrueshme e decentralizuar UST, e cila ruante vlerën me dollarin amerikan, por mbështetej në mënyrë algoritmike nga tokeni LUNA, u kolapsua më Maj 2022 si pasojë e difekteve në dizajnin algoritmik të sistemit mbështetës, duke fshirë nga tregu mbi $40 miliardë dhe duke ndikuar negativisht të gjithë ekosistemin financiar të mjeteve virtuale.


- Çfarë është një ‘airdrop’ i mjeteve virtuale?


Një airdrop mjetesh virtuale është një aktivitet promovues i kryer zakonisht nga startup-et e bazuara në blockchain për të ndihmuar në ngritjen e një projekti ku në qendër të tij do jetë një monedhë virtuale. Qëllimi i airdrop-eve është të përhapë ndërgjegjësimin për projektin dhe të ftojë njerëzit të tregtojnë kur ai listohet në një platformë tregtie.

Airdrop-et u popullarizuan gjatë periudhës së lancimit të ICO-ve, ndryshe Ofertave Fillestare të Kriptomonedhave në 2017. Ai vazhdon të jetë një taktikë e zakonshme në industri për të rritur ekspozimin e projekteve.

Airdrop-et përgjithësisht promovohen në faqen e internetit të kompanisë, mediat sociale dhe forumet e mjeteve virtuale. Monedhat ose tokenat dërgohen nga drejtuesit e projektit në portofolat specifikë të cilët janë përzgjedhur për ti përftuar ato si pasojë e kontributit të ofruar për projektin.


- Si kryhet kujdestaria e mjeteve virtuale?


Kujdestaria e mjeteve virtuale është shërbimi i ruajtjes, mbajtjes dhe administrimt të portofolit digjital të mjeteve virtuale.
Duke u nisur nga natyra e decentralizuar dhe e pavarur e blockchain, ekzistojnë dy mënyra të cilat përdoren për kujdestarinë e mjeteve virtuale.

1. Njëra prej tyre është më tradicionale dhe përfshin palë të treta të licensuara si kujdestarë, për të ruajtur llogaritë që zotërojnë mjete virtuale (kriptomonedha/token digjital/monedha virtuale)
2. Ndërsa tjetra përfshin “vetë-kujdestarinë” e llogarisë përmes portofolave digjital të specializuar.

Një nga elementët më inovativë të mjeteve virtuale është pavarësia që ato kanë nga ndërmjetësit financiarë. Përmes shkences së kriptografisë është e mundur që një individ të zotërojë një portofol privat, të pa aksesueshëm nga palë të treta, të cilin e përdor për të ruajtur dhe shkëmbyer mjete virtuale. Këto quhen portofole në vetë-kujdestari, sepse vetëm individi që i krijon ka përgjegjësi direkte mbi mirëmbajtjen dhe mjetet virtuale që portofolo ruan. Prandaj është e rëndësishme që individët të cilët i ruajnë mjetet e tyre virtuale përmes metodave jo-kujdestare, të jenë të edukuar mbi administrimin e portofolit. Në mungesë të një subjekti ose institucioni ndërmjetës, përdoruesit mund të humbasin përfundimisht aksesin në portofolin e tyre nëse nuk janë të kujdeshëm të ruajnë çelësat e sigurisë dhe të dhënat përkatëse.


- Çfarë është Financa e Decentralizuar (DeFi)?


Financa e Decentralizuar, shkurt DeFi, zakonisht i referohet një ekosistemi produktesh, shërbimesh, aktivitetesh dhe marrëveshjesh financiare që përdorin teknologjinë e regjistrave të shpërndarë (DLT), duke përfshirë këtu edhe marrëveshjet vetë-ekzekutuese të referuar si kontrata të zgjuara. DeFi synon të operojë në një mënyrë të decentralizuar, duke eliminuar disa ndërmjetës financiarë tradicionalë dhe institucione të centralizuara, dhe duke mundësuar disa lloje aktivitetesh të investimeve direkte. DeFi është një risi teknologjike e rëndësishme në zhvillim. Përdorimi i teknologjisë së regjistrave të shpërndarë mund të ketë potencialin për të nxitur inovacionin financiar, për të rritur efikasitetin dhe për të përmirësuar aksesin në produktet, shërbimet dhe aktivitetet financiare. Rastet e propozuara të përdorimit për DLT përfshijnë ato që lidhen me emetimin e letrave me vlerë në tregun primar, tregtimin e tregut sekondar, shërbimin dhe menaxhimin e ciklit të jetës së aseteve.


- Çfarë është Financa e Centralizuar (CeFi)?


Financa e Centralizuar (CeFi) përfshin një ekosistem subjektesh të licencuara dhe të rregulluara si VASP (Virtual Asset Service Provider), të cilat ofrojnë shërbime me mjetet virtuale të tilla si platforma tregtie dhe investimi, derivate, kujdestari, etj. Këto platforma operohen nga një entitet i vetëm prandaj quhen dhe “të centralizuara”.


- Çfarë është nxjerrja e mjeteve virtuale (“mining”)?


Nxjerrja apo përfitimi i mjeteve virtuale, ndryshe 'mining’, është procesi i verifikimit dhe shlyerjes së transaksioneve në regjistrat e shpërndarë duke përdorur pajisje të specializuara kompjuterike me qëllim përfitimin e mjete virtuale në këmbim.


Figura 3: Procesi i nxjerrjes së mjeteve virtuale përfshin arritjen e dakordësisë mes një rrjeti kompjuterash për të shkruar dhe verifikuar transaksionet në databazën publike të blockchain.


• ‘Proof-of-work mining’

Një nga rastet më popullorë dhe të aplikueshëm ndaj ‘mining’ është Bitcoin. Në mënyrë që rrjeti i Bitcoin të funksionojë dhe të bëjë të mundur verifikimin e transkasioneve në mënyrë eficente, të sigurt dhe pa pasur nevojën e një ndërmjetësi, është e nevojshme që një grup kompjuterash me fuqi të lartë të shpenzojnë energji kompjuterike për zgjidhjen e algoritmave kriptografikë të cilët mbrojnë rrjetin nga keqbërësit . Për këtë energji të shpenzuar, rrjeti shpërblen prodhuesit me Bitcoin të sapo emetuar në treg, për të stimuluar pjesëmarrjen e tyre në sigurimin e rrjetit.

Procesi i ‘ POW mining’ është i rëndësishëm pasi krijon një kosto financiare të lartë ndaj aktorëve të cilët duan të manipulojnë regjistrin e shpërndarë (blockchain) të Bitcoin, duke u munduar të shtojnë transaksione të rreme ose të shpenzojnë të njejtin Bitcoin dy herë, i cili ndryshe quhet si ‘problemi i shpenzimit të dyfishtë’.

• ‘Proof-of-stake mining’

‘Proof-of-stake mining’ përkufizohet si veprimtaria e përpunimit dhe konfirmimit të transaksioneve përmes investimit të një mjeti virtual të caktuar nga ana e përdoruesve të nyjeve kompjuterike pjesëmarrëse në këtë proces.

Ai është një variant i nxjerrjes së mjeteve virtuale i cili nuk përdor energjinë elektrike si bazë dhe garanci për të verifikuar transaksionet, por përdor kapitalin (në formën e mjetit virtual) si kolateral për te ruajtuar integritetin e rrjetit. Kjo metodë lindi si nevojë e gjetjes së mënyrave inovative për të ulur shpenzimet energjitike që nevojiteshin për të mirëmbajtur rrjetet e mjeteve virtuale. Shumica e rrjeteve sot përveç Bitcoin, përdor ‘staking’ si mekanizëm prodhimi dhe verifikimi. Vetë staking ka evoluar në disa nënkategori, ndërsa nga protokollet kryesore të cilat mbështeten në këtë mekanizëm përmendim

Ethereum, Polkadot, Solana, Hedera, etj. Për të marrë pjesë në këtë proces, një përdorues duhet të kyçë (bllokojë) mjete virtuale në një kontratë inteligjente dhe në këmbim të këtij veprimi ai përfiton një kthim vjetor si shpërblim për kontributin në sigurinë e rrjetit. Në këtë mënyrë staking ngjan më shumë me një depozitë bankare pa afat dhe me norma variable kthimi.


- Çfarë është kriptografia?


Kriptografia është shkenca e komunikimeve të sigurta. Përmes saj informacioni modifikohet në atë lloj mënyre që vetëm marrësi i këtij informacioni mund ta deshifrojë dhe ta përdorë atë. Procesi i modifikimit të informacionit quhet enkriptim, ndërsa deshifrimi i tij dekriptim. Kriptografia është një fushëbetejë mes atyre që duan të përçojnë të dhëna në mënyrë të sigurt dhe atyre të cilët mundohen t'i deshifrojnë këto të dhëna ose të manipulojnë informacionin. Kriptografia ka evoluar ditët e sotme duke arritur të përdoret edhe për të provuar pronësinë e informacionit për një numër më të gjerë aktorësh, metodë e cila përdoret në mjetet virtuale.


- Çfarë është një “hash”?


Hash-i është një algoritëm kriptografik i cili enkripton, pra maskon një fjale, grup fjalësh ose fjali të çfarëdolloj madhësie në një frazë me një madhësi standarde. Zakonisht sistemet blockchain përdorin algrotime hashi si SHA-256, Scrypt, Equihash, X16R, etj. Algoritmet e hash-eve kanë një rrugë matematikore për tu enkriptuar, por jo për tu dekriptuar. Ato janë ekuacione jo-lineare, "pa rrugë kthimi".


- Çfarë janë firmat digjitale?


Firma digjitale është një kod i gjeneruar dhe që i bashkëngjitet një dokumenti i cili dërgohet elektronikisht. Ajo shërben për të vërtetuar përmbajtjen dhe identitetin e dërguesit.





Vini re!

Materiali i publikuar në këtë faqe shërben vetëm për qëllime të edukimit financiar dhe përmbajtja e tij nuk duhet të interpretohet si qëndrim zyrtar i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Autoriteti nuk mban përgjegjësi për asnjë dëm që mund të shkaktohet në mënyrë direkte ose indirekte si rrjedhojë e përdorimit të materialeve edukuese në këtë faqe.