Tregjet e Mjeteve Virtuale

Një hyrje e shkurtër rreth mjeteve virtuale


Teknologjia ka qenë gjithmonë një katalizator i ndryshimit në sistemet monetare dhe të pagesave në të gjithë globin. Evolucioni i udhëhequr nga Fintech në sistemet e pagesave ka parë që koncepti i monedhës t'i nënshtrohet transformimit në një mënyrë të paprecedentë. Megjithëse valutat ekzistonin në forma virtuale më parë (si paratë e celularit dhe paratë elektronike), lançimi i Bitcoin në 2009 shënoi një ndryshim rrënjësor në konceptimin e 'monedhës virtuale' duke futur një formë kriptografike të parave elektronike, të operuara në një protokoll dy-palësh (peer-to-peer) të bazuar në blockchain. Pavarësisht ekzistencës së teknologjisë së regjistrave të shpërndarë që nga viti 1991, ishte Bitcoin që për herë të parë konceptoi me sukses teknologjinë e ndërtimit të një rrjeti transaksionesh dy-palësh dhe krijimin e një forme të veçantë të monedhave të koduara kriptografikisht, që sot janë mjetet virtuale.


Si lindën mjetet virtuale? Një historik i shkurtër i Bitcoin dhe Ethereum


Në vitet 90', shumica e njerëzve po përpiqeshin të mësonin një teknologji të re e cila quhej Internet. Një grup aktivistësh kriptografikë, të quajtur cypherpunks menduan se potenciali për zgjerimin e një bote digjitale do krijonte nevojën e një paraje digjitale. Idea ishte që përmes kësaj të këmbehej vlerë përmes internetit. Me të, njerëzit do të mund të dërgonin dhe të merrnin para kudo në botë pa komisionet e ndërmjetësve tradicionale. Provat e para për të krijuar këtë para digjitale dështuan, por progresi i tyre shtroi rrugën për arritje të mëvonshme. Gjatë krizës financiare globale të vitit 2008, teksa besimi në sistemin financiar tradicionale po pësonte tronditje, një person i panjohur, ose mbase një grup personash të panjohur të quajtur Satoshi Nakamoto publikuan një studim në një buletin i cili udhëhiqej nga aktivistët e kriptografisë.

Idea e Nakamotos parashikonte një sistem të hapur financiar të quajtur Bitcoin. Për herë të parë ai zgjidhi problemet me besimin që pengonin versionet e hershme të parasë elektronike të punonin pa një autoritet qëndror. Duke përdorur Bitcoin-in, njerëzit mund të ndërvepronin me njëri tjetrin dhe të shkëmbenin vlera direkt përmes internetit, ndërkohë që pjesmarrja e tyre më e gjerë rriste edhe më shumë sigurinë në rrjet. Satoshi Nakamoto vazhdoi të bisedonte me komunitetin që po zgjerohej përmes forumeve online, duke u përpjekur të përmirësonte Bitcoin-in ndërkohë që po rekrutonte një bazë të gjerë adoptuesish të rrjetit. Satoshi Nakamoto u zhduk përfundimisht në vitin 2011. Identiteti/et e Satoshi Nakamotos ngelen anonime, kjo një nga shume karakteristikat unike rreth Bitcoin-it.

Figura 4: Njoftimi origjinal i Satoshi Nakamotos në buletinin e kriptografisë


Whitepaper i Bitcoin mund të aksesohet në këtë link: https://bitcoin.org/bitcoin.pdf

Në muajt e parë Bitcoin-i tregtohej për vetëm pak centë. Në mënyrë që të zgjerohej si rrjet, njerëzit duhet të kishin mundësinë ta këmbenin Bitcoin-in me para. Në 2010, pionerë të hershëm të protokollit Bitcoin krijuan Mt.Gox, një platformë tregtimi online që mundësonte këmbimin e Bitcoin me para fiat. Në kulmin e saj, Mt.Gox kalonte rreth 70% të transaksioneve të tregut të Bitcoin-it, duke u bërë porta kryesore e blerjes së Bitcoin dhe gjithashtu duke siguruar një treg ku prodhuesit e kriptomonedhës të realizonin fitimet e tyre, rrjedhimisht duke stimuluar dhe rritjen e rrjetit.

Nisur nga pseduonimiteti i transaksioneve dhe mospërfshirja e palëve të treta gjatë procesit, shumë shpejt, Bitcoin-i gjeti përdorime të tjera, kryesisht në ‘tregun e zi’ të internetit. Më e famshmja ndër to ishte Silk Road (rruga e mëndafshtë), e cila ishte një platformë në internet që mundësonte shitblerje të mallrave dhe produkteve ilegalë, si psh substanca narkotike dhe psikotrope, kartmonedha të falsifikuara, pirateri kompjuterike, etj. Silk Road arriti të gjenerojë një volum prej më shumë se 9.5 milion Bitcoin nga transaksionet e paligjshme të cilat po ndërmjetësonte. Në Tetor të vitit 2013, një operacion i Byrosë Federale të Hetimit (FBI) mbylli platformën dhe arrestoi Ulbricht, i cili u dënua në vitin 2015 me burgim të përjetshëm.

Pavarësisht aktivitetit, kryesisht të paligjshëm për të cilin përdorej, Bitcoin-i shfaqi një premisë e të qënit një mjet pagese digjitale në Internet. Me rritjen e përdoruesve dhe të adoptimit si mjet pagese, rrjedhimisht u rrit edhe çmimi i tij. Gjatë pranverës se vitit 2011, çmimi i Bitcoin-it arriti 1$ për herë të parë, ndërsa në Korrik 2011 ai i kaloi 31$. Në vitin 2012 numëroheshin mbi 1000 tregatrë të cilët pranonin pagesa online me Bitcoin, mes tyre organizata si Wikileaks, Wordpress, etj.

Në të njëjtën kohë, filluan të krijohen mjete virtuale për të konkuruar Bitcoin-in ose me synim të zgjidhjen e sfidave dhe problematikave që Bitcoin nuk i adresonte. Këto monedha, si psh. Litecoin, Peercoin, etj u njohën si altcoins (alternativa të Bitcoin).

Gjatë vtit 2013, vlera e Bitcoin arriti në $100 dhe $1000 duke u tregtuar edhe në disa bursa të tjera përveç Mt.Gox, me një volum mesatar ditor i cili varionte nga $5 milion - $40 milion. Ishte ende një treg i vogël, i pa rregulluar dhe i pa mbikqyrur, gjë e cila e bënte mjaft të rrezikshme ndërveprimet me aktorët e këtij tregu. Në fillim të vitit 2014, bursa me e madhe Mt.Gox ndaloi tërheqjet dhe shpalli falimentin duke lajmëruar se i janë vjedhur mbi 744 mijë Bitcoin, ose rreth $350 milion ($30 miliardë me çmimet e sotme). Tregu pësoi një kolaps dhe çmimi Bitcoin ra nga $1000 deri në $200 në pikën e tij më të ulët, duke ulur besimin tek investitorët dhe duke u cilësuar vazhdimisht si një flluckë dhe skemë piramidale.

Në ditët e sotme, Bitcoin gjeneron 10$ miliardë - $50 miliardë volum në ditë, duke tërhequr vëmendjen e Wall Street dhe autoriteteve financiare botërore. Gjigantët financiarë, titanët e teknologjisë dhe investitorët, të gjithë të nxitur nga ambicie të veçanta, po kërkojnë një pjesë të tregut.

Për bankat dhe menaxherët e aseteve, roli i Bitcoin ka të bëjë me diversifikimin e portofoleve, ofrimin e shërbimit ndaj kërkesave në rritje të klientëve dhe përballimin e luhatshmërive ekonomike me mburojën teknologjike të decentralizuar të Bitcoin. Firmat e investimeve nxiten nga potenciali për rritje të kthimeve dhe balancimit të portofolave, ndërsa kompanitë e teknologjisë parashikojnë një të ardhme pagesash pa pengesa dhe shtrirje globale të fuqizuar nga regjistrat e shpërndarë.

Maturimi i tregut institucional po shfaqte shenja me aprovimin e fondeve të tregtueshme (ETF) të Bitcoin në Kanada më vitin 2021, Australi më 2022 dhe Evropë më 2023. Në fillim të vitit 2024, ai arriti kulmin me miratimin e 11 Bitcoin ETF-ve nga Komisioni i Letrave me Vlerë në SHBA, duke e ekspozuar atë për një audiencë më të gjerë investitorësh.


Ethererum


Në vitin 2015, gjashtë vite pas lancimit të Bitcoin, u krijua Ethereum, një ekosistem i cili mundësoi një protokoll me kod të hapur për të shkruar kontrata të zgjuara dhe e bëri të lehtë për zhvilluesit të ndërtonin programe të decentralizuara mbi të. Llogjika e funksionimit dhe verifikimit të transaksioneve në këtë është e njëjtë si në rastin e Bitcoin, por me ndryshimin që anëtarët e rrjetit të Ethereum ekzekutojnë edhe kontrata të zgjuara (përveç transaksioneve të thjeshta të vlerës) midis palëve.

Duke qënë platforma e parë e cila mundësoi krijimin dhe ekzekutimin e kontratave të zgjuara në masë, ky ekosistem nxiti një fluks të madh projektesh të cilat kërkonin të aplikonin teknologjinë blockchain në fusha të ndryshme të industrive ekonomike dhe teknologjike. Kjo ishte dhe koha kur tregu i mjeteve virtuale ‘lulëzoi’, dhe ku çdo ditë dilnin token të rinj të cilët kërkonin të rrisnin fonde përmes metodave të pa rregulluara si ICO (Initial Coin Offering), duke sjelle qindra milion dëme dhe humbje për investitorët e vegjël dhe të mëdhenj si pasojë e mbizotërimit të skemave të mashtrimit dhe një niveli pothuajse inekzistent të mbikëqyrjes së këtyre tregjeve të reja.

Në një kontratë tradicionale mes dy palëve, është e nevojshme që një palë e tretë, e besueshme të ndërmjetësoje transaksionin mes tyre dhe të dalë garant në ekzekutimin e kushteve të shkruara. Ndërsa kontratat e zgjuara, pasi programohen dhe ngarkohen në rrjetin e Ethereum, vetë-ekzektuohen nga rrjeti duke eliminuar varësinë tek besimi ndaj një palë të tretë. Për shkak të natyrës së tyre të decentralizuar, një grup kontratash inteligjente ndërvepruese quhen gjithashtu aplikacione të decentralizuara (dApps).

Ato janë shumë fleksibël, të automatizueshme, dhe ofrojnë zgjidhje për industri të tilla si energjia, logjistika, kujdesi shëndetësor dhe në veçanti, sektori financiar.

Nisur nga risia që solli në fushën e mjeteve virtuale, mjaft platforma të tjera janë krijuar për të përmirësuar shërbimin në këtë fushë, duke konkurruar kështu Ethereum-in.





Vini re!

Materiali i publikuar në këtë faqe shërben vetëm për qëllime të edukimit financiar dhe përmbajtja e tij nuk duhet të interpretohet si qëndrim zyrtar i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Autoriteti nuk mban përgjegjësi për asnjë dëm që mund të shkaktohet në mënyrë direkte ose indirekte si rrjedhojë e përdorimit të materialeve edukuese në këtë faqe.