Tregjet e Mjeteve Virtuale

Pyetjet e Shpeshta (FAQ)



Seksioni i plotë i pyetjeve të shpeshta


- Në cilat bursa mund të tregtoj mjete virtuale në Shqipëri?

Të gjitha shoqëritë që angazhohen në tregtimin e mjeteve virtuale duhet ti nënshtrohen procedurave të licencimit, në zbatim të Ligjit 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, ku parashikohet ndër të tjera edhe mbrojtja e duhur ndaj investitorëve.

Bazuar në ligjin 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, AMF nuk ka licencuar ose autorizuar aktualisht asnjë subjekt për kryerjen e aktivitetit të tregtimit. Autoriteti tërheq vëmendjen se përpara ndërmarrjes së një investimi, personat e interesuar duhet të kontrollojnë listën e subjekteve të licencuara që ofrojnë këto shërbim. AMF përditëson në mënyrë të vazhdueshme listën e subjekteve të licencuara sipas tregjeve në mbikëqyrje, e aksesueshme për publikun në faqen zyrtare.

- Më kontaktojnë individë duke promovuar investime në mjete virtuale. A duhet ti besoj?

Këshillimi dhe promovimi i investimeve kryhet nga subjekte të licencuara, listë e të cilëve mund ta gjeni në “Regjistri i të Licencuarve” brenda faqes zyrtare të AMF, www.amf.gov.al.
Përditësohuni në mënyrë periodike me paralajmërimet e Autoritetit rreth rreziqeve të evidentuara në tregjet e mbikqyrura duke ndjekur këtë link.

- Shoh promovimin e mundësive të investimit me kthime të larta në rrjete sociale. Çfarë garancish kam?

Tregu i mjeteve virtuale është ende në zhvillim dhe mjaft I prekur nga sulmet kibernetike dhe skemat mashtruese. Kryeni kontrolle të rregullta në faqet e internetit të rregullatorëve ku pretendohet se ndodhet mjeti virtual i cili ju ofrohet për të investuar. Konfirmoni që mjeti virtual ose ofruesit e shërbimit janë regjistruar ose licencuar me mbikëqyrësit financiare përkatës.

Vlen të përmendet se këto produkte nuk janë të përshtatshme për investitorët jo-profesionistë si instrumente investimi ose si mjet pagesash pasi janë tejet spekullative, ndaj dhe publiku duhet të tregohet i kujdesshëm në lidhje me reklamimet e rreme, të cilat premtojnë norma fitimi të shpejta dhe anomalisht të larta.

Gjithashtu, ju rekomandojmë të ndiqni përditësimet dhe paralajmërimet e publikuara nga rregullatorët financiarë për tu informuar mbi subjektet në listën e zezë ose skemat mashtrimuese në zhvillim e sipër. Paralajmërimet e publikuara nga AMF për tregjet në mbikëqyrje mund ti aksesoni këtu. Ndërkaq, paralajmërime për investitorët publikon në mënyrë të vazhdueshme edhe Organizata Ndërkombëtare e Komisioneve të Titujve (IOSCO), ku AMF aderon që nga viti 1998. Në një seksion të posaçëm në faqen zyrtare, e cila mund të aksesohet këtu. IOSCO pasqyron paralajmërimet e anëtarëve të organizatës, kryesisht në lidhje rrezikun e investimit përmes kompanive të palicencuara, ku investitorët rezultojnë të jenë të pambrojtur.

- A mund të kryej veprimtarinë e nxjerrjes së mjeteve virtuale (mining) në Shqipëri?

Përdorimi i fuqisë kompjuterike të përdoruesve të sistemit për zgjidhjen e algoritmeve kriptografike me qëllim konfirmimin e transaksioneve dhe përftimin e tokenave digjital/monedhave virtuale në këmbim (proof-of-work mining), nuk është objekt i rregullimit të ligjit nr. 66/2020, "Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë".

- Ku mund të denoncoj aktivitetin e paligjshëm me mjete virtuale?

Në rast se dyshoni ose jeni në dijeni të aktiviteteve të pa autorizuara në lidhje me mjetet virtuale, ose nëse keni rënë pre e mashtrimeve të cilat përfshijnë mjete virtuale, ju mund të adresoni ankesat tuaja në Portalin e Ankesave ose të drejtoheni në organet ligj zbatuese si Policia Shtetit.





Vini re!

Materiali i publikuar në këtë faqe shërben vetëm për qëllime të edukimit financiar dhe përmbajtja e tij nuk duhet të interpretohet si qëndrim zyrtar i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Autoriteti nuk mban përgjegjësi për asnjë dëm që mund të shkaktohet në mënyrë direkte ose indirekte si rrjedhojë e përdorimit të materialeve edukuese në këtë faqe.