Tregjet e Mjeteve Virtuale

Rregullimi dhe Licencimi



Zhvillimet rregullatore në botë


Popullariteti gjithnjë e më i përhapur i mjeteve virtuale dhe rritja e përdorimit të tyre, sidomos nga investitorët jo-profesionistë, kanë patur një impakt të konsiderueshëm në ekosistemin e financës digjitale. Potenciali për të ç’ndërmjetësuar një sërë shërbimesh të rregulluara financiare dhe natyra ndërkufitare e transaksioneve, të ndërlidhura me risqet gjithnjë e më serioze për sa i përket mashtrimeve financiare, pastrimit të parave dhe ushtrimin e aktiviteteve të rregulluara pa miratimet përkatëse, e ka kthyer këtë sektor në vëmendje të autoriteteve ligjzbatuese dhe rregullatore anembanë globit.

Në këtë kontekst, institucionet financiare ndërkombëtare si FMN, IOSCO, FATF, FSB, BCBS si dhe autoritetet rregullatore dhe politikbërëse kombëtare po angazhohen në hartimin e kornizave të duhura rregullatore për këto tregje, me synim mbrojtjen e interesave të investitorëve, parandalimin e pastrimit të parave, evazionit fiskal, konfliktit të interesit dhe rreziqeve të ndërlidhjes së këtyre tregjeve me ekosistemin financiar në tërësi. Kuadret rregullatore të miratuara deri më tani variojnë nga regjime të fokusuara kryesisht në parandalimin e pastrimit të parave, regjime tatimore, si dhe regjime licencimi për ofrimin e shërbimeve financiare përmes mjeteve virtuale.

Zhvillimet rregullatore në Evropë


Në muajin Mars 2023, Komisioni Evropian miratoi rregulloren 2023/1114 “Për tregjet e kripto-aseteve", e njohur ndryshe si MiCA. Rregullorja është një nga kornizat e para gjithëpërfshirëse të mjeteve virtuale, duke vendosur kërkesat e licencimit dhe autorizimit për emetuesit, ofruesit e shërbimeve, mekanizmat e mbikëqyrjes së tregut dhe masa mbrojtëse për investitorët. MiCA synon që jo vetëm të ofrojë kërkesa dhe procedura të qarta për subjektet që ofrojnë shërbime me mjete virtuale, por edhe të integrojë tregjet evropiane të mjeteve virtuale përmes implementimit të rregullores në mënyrë të unifikuar gjitha vendet anëtare të BE. Autoritetet përgjegjëse të implementimit të MiCA janë autoritetet mbikëqyrëse financiare të vendeve anëtare të BE, ESMA (Autoriteti Evropian i Tregjeve të Letrave me Vlerë) dhe EBA (Autoriteti Bankar Evropian


Rregullimi i mjeteve virtuale në Shqipëri


Kuadri ligjor për mjetet virtuale në Shqipëri është i përbërë nga ligji 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, i cili ka hyrë në fuqi më 1 Shtator të vitit 2020 dhe aktet nënligjore në zbatim të tij. Objekti i ligjit është rregullimi i emetimit të tokenëve digjitalë dhe/ose të monedhave virtuale, licencimi, monitorimi dhe mbikëqyrja e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e shpërndarjes, tregtimit e ruajtjes së tokenëve digjitalë dhe/ose monedhave virtuale, të agjentit të tokenëve digjitalë, ofruesit të shërbimeve inovative dhe sipërmarrjes së automatizuar të investimeve kolektive.


Llojet e licencave dhe autorizimeve


Neni 4 i ligjit 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” parashikon licencat e mëposhtme:

a) licenca e agjentit TD, e cila lëshohet nga AMF-ja për një person juridik, pas plotësimit të kushteve të përgjithshme dhe të kritereve të veçanta, të parashikuara në nenet 9 e 29, të këtij ligji;
b) licenca e bursës DLT, e cila lëshohet nga AMF-ja dhe AKSHI për një person juridik, pas plotësimit të kushteve të përgjithshme dhe të kritereve të veçanta të parashikuara në nenet 9 e 51, të këtij ligji ku janë përcaktuar 3 kategori të kësaj licence, si më poshtë:
    i. kategoria “A” përfshin licencat e bursës së centralizuar DLT dhe licenca si bursë e decentralizuar DLT, ku mund të tregtohen vetëm “tokenë digjitalë shërbimesh dhe/ose token digjitalë të pagesave” dhe/ose “tokenë digjitalë të aseteve”;
    ii. kategoria “B” përfshin licencat e bursës së centralizuar DLT ose dhe licenca si bursë e decentralizuar DLT, ku, krahas aktiviteteve të listuara në kategorinë “A”, mund të tregtohet paraja FIAT dhe/ose monedhat virtuale kundrejt tokenëve digjitalë të shërbimeve, pagesave dhe aseteve e anasjelltas;
    iii. kategoria “C” përfshin licencat si bursë e centralizuar DLT dhe licencat e bursat e decentralizuara DLT, ku, krahas aktiviteteve të listuara në licencën e kategorisë “B”, mund të tregtohen edhe tokenë digjitalë të titujve;
c) licenca e Ofruesit të Shërbimeve Inovative, e cila lëshohet nga AKSHI (pa përfshirjen e një agjenti TD) për një person juridik pas plotësimit të kushteve të përgjithshme dhe të kritereve të veçanta, të parashikuara në nenet 9 e 63, të këtij ligji;
ç) licenca e Kujdestarit të Portofolit të palëve të treta, e lëshuar nga AMF-ja dhe AKSHI për një person juridik, pas plotësimit të kushteve të përgjithshme dhe kritereve të veçanta të parashikuara në nenet 9 e 77, të këtij ligji;
d) licenca e Sipërmarrjes së Automatizuar të Investimeve kolektive DT, e lëshuar nga AKSHI për një sipërmarrje të investimeve kolektive, pas plotësimit të kushteve të përgjithshme dhe kritereve të veçanta, të parashikuara në nenet 9 e 82, të këtij ligji.

Krahas licencave të sipërpërmendura, kreu IV i ligjit parashikon gjithashtu procedura për autorizimin e ofertave fillestare të tokenit digjital (ICO) dhe ofertat e tokenit të titujve (STO), të cilat mund të listohen dhe tregtohen vetëm në bursat DLT të licencuara të kategorisë iii.

Kreu VI i ligjit gjithashtu parashikon certifikimin e marrëveshjeve të teknologjisë inovative, për subjektet që dëshirojnë të aplikojnë teknologjinë e regjistrave të shpërndarë për aktivitetet e rregulluara nga ky ligj.

Në përputhje me nenin 9, shkronja (b), të ligjit 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” subjektet kërkuese për licencë ose autorizim duhet të regjistrohen si shoqëri aksionare. E thënë ndryshe, personat fizikë, ose personat juridikë, të ndryshëm nga shoqëria aksionare, nuk mund të aplikojnë për licencë ose autorizim në përputhje me këtë ligj dhe rrjedhimisht ndalohen të ushtrojnë veprimtaritë e rregulluara në të.


Në cilin subjekt duhet të drejtohemi për të aplikuar?

Çdo subjekt i interesuar për të përfituar licencat e mësipërme do duhet të nisë procedurat e aplikimit tek një nga agjentët e tokenit digjital, të licencuar pranë AMF dhe, sipas rastit, tek Ofruesit e Shërbimeve Inovative, të licencuar nga AKSHI. Agjenti TD dhe Ofruesi i Shërbimeve Inovative, janë subjekte të cilat shërbejnë si një hallkë ndërlidhëse midis autoriteteve përgjegjëse dhe operatorëve të këtyre tregjeve. Çdo aplikim për licencë në kuadër të këtij ligji duhet të hartohet dhe shqyrtohet paraprakisht nga agjenti TD i licencuar, i cili pasi konstaton përmbushjen e kushteve të përcaktuara në ligj, e dorëzon atë pranë autoritetit përgjegjës në emër dhe për llogari të subjektit kërkues.

Ligji 66/2020 i jep Agjentit të Tokenit Digjital një rol të rëndësishëm edhe në sigurimin e përputshmërisë në vazhdimësi të subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë në tregjet financiare të regjistrave të shpërndarë. Neni 31 i ligjit 66/2020 e ngarkon agjentin e tokenit digjital me detyrimin për të garantuar aftësinë dhe përshtatshmërinë e subjekteve për të cilët vepron në emër dhe për llogari, si dhe për të raportuar pranë Autoriteteve Përgjegjëse çdo shkelje apo mospërputhshmëri të këtyre subjekteve me kuadrin ligjor në fuqi.

Kushtet e përgjithshme dhe kriteret e vecanta të licencimit për agjentin e tokenit digjital janë të përcaktuara në nenet 9 dhe 29 të ligjit, ndërsa rregullat më të hollësishme dhe dokumentacioni përkatës janë të përcaktuara në rregulloren nr. 211 datë 25.11.2021 “Për licencimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë si agjent i tokenit digjital” të miratuar nga AMF.

Ofruesi i Shërbimeve Inovative (OSHI) ofron shërbime auditimi të sistemeve të teknologjisë së informacionit që do të përdoren nga subjektet kërkuese ose titullarët e licencave si Bursë DLT, Kujdestar të Portofoleve të Palëve të Treta dhe Sipërmarrje e Automatizuar e Investimeve Kolektive DT. OSHI gjithashtu shërben si një hallkë ndërlidhëse midis subjekteve që operojnë në këto tregje dhe autoriteteve përgjegjëse dhe pasi cdo subjekt që dëshiron të ushtrojë veprimtaritë e sipërpërmendura, duhet të auditojë paraprakisht sistemet që dëshiron të përdorë tek OSHI, sipas përcaktimeve të KREUT VI të ligjit 66/2020 "Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.

Kushtet e përgjithshme dhe kriteret e vecanta për licencimin e OSHI janë të përcaktuara në nenet 9 dhe 63 të ligjit, ndërsa rregullat e hollësishme të licencimit dhe dokumentacioni i nevojshëm janë të detajuara më tej në Vendimin nr. 458, datë 30.7.2021 “Për Miratimin e Rregullores së Licencimit për Subjektet që Ushtrojnë Veprimtarinë e Tyre si Ofrues të Shërbimeve Inovative, Mënyrën e Vlerësimit të Kritereve të Veçanta për Sipërmarrjet e Automatizuara të Investimeve Kolektive DT, si dhe Certifikimin e Marrëveshjes së Teknologjisë Inovative”.



Kushtet e përgjithshme për licencim


Subjektet e interesuara, të cilët kërkojnë të ofrojnë shërbime të lidhura me mjetet virtuale duhet të përmbushin një sërë kushtesh dhe kriteresh të cilat ofrojnë siguri mbi mbarëvajtjen dhe integritetin e ofrimit të shërbimeve, të përputhshmërisë me legjislacionin në fuqi për pastrimin e parave, si dhe të ndaj mbrojtjes së investitorëve.

Çdo subjekt kërkues për licencim duhet të provojë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet agjentit TD(sipas rastit), se përmbush të gjitha kushtet e përgjithshme të përcaktuara në ligjin 66/2020, si më poshtë:

a) të vërtetojë, nëpërmjet mandatit të arkëtimit, pagesën e tarifës përkatëse të aplikimit për licencë;
b) të vërtetojë, nëpërmjet dokumentit të lëshuar nga organi përkatës, që subjekti është i regjistruar në Shqipëri si shoqëri aksionare;
c) të vërtetojë, nëpërmjet dokumentacionit provues, se ka emëruar këshillin e administrimit ose, sipas rastit, këshillin mbikëqyrës dhe të vërtetojë, nëpërmjet një vetëdeklarimi se:
    i. anëtarët përkatës të tyre kanë reputacion profesional e personal të mirë, kanë njohuri, aftësi dhe përvojë të mjaftueshme, do të angazhohen me kohë të mjaftueshme për të kryer detyrat e tyre dhe janë në gjendje të kuptojnë qartësisht llojin e aktiviteteve e rreziqet që lidhen me to; dhe
    ii. subjekti kërkues do të alokojë burime të mjaftueshme financiare dhe njerëzore për trajnimin e anëtarëve të këshillit të administrimit ose, sipas rastit, këshillit mbikëqyrës;
ç) të vërtetojnë, nëpërmjet certifikimit nga AKSHI, se marrëveshja e teknologjisë inovative është në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
d) të vërtetojë, duke siguruar një kopje të dokumentit përkatës, se ka emëruar një person përgjegjës për parandalimin e pastrimit të parave në nivele administrimi/drejtimi në zyrën qendrore dhe në çdo zyrë përfaqësimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
dh) të vërtetojë që plotëson kriteret e të qenit “i aftë dhe i përshtatshëm” për ushtrimin e veprimtarive përkatëse;
e) të vërtetojë, nëpërmjet dokumentacionit provues, se shoqëria ka miratuar rregullore të brendshme të funksionimit, të cilat përmbajnë:
    i. masa dhe politika parandaluese për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
    ii. masa dhe politika efikase për identifikimin e menaxhimin e konfliktit të interesave; iii. masa dhe politika efikase për parandalimin e mashtrimit dhe abuzimit me tregun.

Autoriteti përgjegjës merr vendim lidhur me licencimin brenda 60 ditëve kalendarike nga data e dorëzimit të aplikimit dhe dokumentacionin provues nga vetë subjekti kërkues ose nëpërmjet agjentit TD.



Kriteret e veçanta të licencimit


Krahas kushteve të përgjithshme për licencim, ligji 66/2020 përcakton edhe kriteret e veçanta që duhet të plotësohen nga subjekti kërkues ose titullari I licencës, në varësi të veprimtarisë që kërkon të ushtrojë.

Bursa DLT

Licenca e Bursës DLT lëshohet për subjektet që dëshirojnë të ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit dhe këmbimit të mjeteve virtuale. Në varësi të shkallës së kompleksitetit dhe riskut të kësaj veprimtarie, ligji 66/2020 përcakton 3 kategori të kësaj licence, si më poshtë:

i. kategoria “A” përfshin licencat e bursës DLT ku mund të tregtohen vetëm “tokenë digjital shërbimesh dhe/ose token digjital të pagesave” dhe/ose “tokenë digjital të aseteve ”;
ii. kategoria “B” përfshin licencat e bursës DLT, ku krahas aktiviteteve të listuara në kategorinë “A”, mund të këmbehen valuta dhe/ose monedhat virtuale kundrejt tokenëve digjitalë të shërbimeve, pagesave, aseteve dhe anasjelltas;
iii. kategoria “C” përfshin licencat e bursës DLT, ku, krahas aktiviteteve të listuara në licencën e kategorisë “B”, mund të tregtohen edhe tokenë digjitalë të titujve;

Kriteret e vecanta dhe dokumentacioni i nevojshëm për licencimin si Bursë DLT janë të përcaktuara në nenet 55 deri në nenin 59 të ligjit, si dhe në Vendimin nr. 708, dat 24.11.2021 “Për miratimin e rregullores për licencimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë si Bursë DLT”.

Kujdestari i Portofolit të Palëve të Treta

Licenca e Kujdestarit të Portofolit të Palëve të Treta lëshohet për subjektet të cilët ofrojnë shërbimet e ruajtjes dhe kujdestarisë së çelësave kriptografikë privatë për llogari dhe në emër të klientëve, si dhe mbajtjen, depozitimin e transferimin e tokenëve digjitalë. E thënë ndryshe, titullari i kësaj licence do të mirëmbajë portofolet digjitale të përdoruesve të kriptomonedhave. Kjo licencë lëshohet bashkarisht nga AMF dhe AKSHI.

Kriteret e vecanta dhe dokumentacioni i nevojshëm për licencimin si Kujdestar i Portofolit të Palëve të Treta janë të përcaktuara në nenin 77 të ligjit, si dhe në Vendimin nr. 709, datë 24.11.2021 “Për miratimin e rregullores për licencimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë si Kujdestar i Portofolit të Palëve të Treta”.

Vlen të theksohet se neni 76 i ligjit përcakton se një nga parakushtet e licencimit si Kujdestar i Portofolit të Palëve të Treta është pajisja me licencën përkatëse nga Banka e Shqipërisë, e cila mundëson subjektin që të kryejë ndërmjetësimin e transaksioneve monetare me para FIAT (valutë), përfshirë shërbimin e kujdestarisë, në emër dhe për llogari të klientëve.

Sipërmarrjet e Automatizuara të Investimeve Kolektive DT

Sipërmarrje e automatizuar e investimeve kolektive DT është çdo person juridik ose bashkim asetesh që administrohet nga një subjekt i licencuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi për sipërmarrjet e investimeve kolektive dhe i licencuar si sipërmarrje e automatizuar e investimeve kolektive DT, në përputhje me këtë ligj. Kuotat e sipërmarrjes së investimeve kolektive të automatizuara DT përfaqësohen nga token digjital dhe/ose monedha virtuale. Sipërmarrjet e automatizuara të investimeve kolektive DT investojnë ekskluzivisht në token digjital ose monedha virtuale, duke mundësuar përdorimin e kontratave inteligjente, ose marrëveshje të tjera të teknologjisë inovative, nëpërmjet integrimit të një sistemi të automatizuar robotik të konsulencës, i cili vepron si këshillues investimesh dhe/ose si një shoqëri administruese e fondeve. Kjo licencë lëshohet nga AKSHI.

Rregullat e hollësishme të licencimit dhe dokumentacioni i nevojshëm janë të detajuara më tej në Vendimin nr. 458, datë 30.7.2021 “Për Miratimin e Rregullores së Licencimit për Subjektet që Ushtrojnë Veprimtarinë e Tyre si Ofrues të Shërbimeve Inovative, Mënyrën e Vlerësimit të Kritereve të Veçanta për Sipërmarrjet e Automatizuara të Investimeve Kolektive DT, si dhe Certifikimin e Marrëveshjes së Teknologjisë Inovative”.

Kushtet për lançimin/nisjen e STO-ve dhe ICO-ve

Lançimi i STO-ve dhe ICO-ve dhe kërkesa për listimin e tregtimin e tokenëve digjitalë dhe/ose monedhave virtuale në bursat DLT dhe ambientet e tregtimit DLT mund të kryhet vetëm pasi emetuesi të ketë përmbushur të gjitha kushtet e mëposhtme:

a) të emërojë dhe të mbajë një agjent TD përgjatë të gjithë kohëzgjatjes së STO-së ose ICO-s, i cili do të kryejë detyrat e tij sipas përcaktimeve të kreut III, të ligjit 66/2020.;
b) të hartojë, përmes agjentit të emëruar TD, sipas specifikës së rastit, prospektin e plotë/aktofertën/relacionin prezantues (Whitepaper), i cili duhet të jetë në përputhje me të gjitha kushtet dhe kriteret e përcaktuara në këtë ligj;
c) të dorëzojë tek autoriteti përgjegjës, nëpërmjet agjentit të emëruar TD, kërkesën për autorizimin e STO-së ose ICO-s, duke bashkëlidhur, sipas rastit, prospektin e plotë/aktofertën/relacionin prezantues (Whitepaper);
ç) të marrë autorizimin me shkrim nga autoritetet përgjegjëse për lançimin/nisjen e STO-së ose ICO-s, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
d) të marrë certifikatën përkatëse për çdo marrëveshje të teknologjisë inovative që është në përdorim



Përgjegjësia e titullarëve të licencës në vijimësi


Pas licencimit, çdo titullar i licencës i paguan AMF-së dhe AKSHI-t tarifën vjetore të titullarit të licencës.

Titullari i një licence ushtron veprimtarinë e tij vetëm brenda kushteve dhe fushës së veprimtarisë, për të cilën është lëshuar kjo licencë. Në rastet kur subjekti I licensuar kërkon të ushtrojë një veprimtari tjetër, për të cilën nevojitet një licencë e re, ai duhet të aplikojë dhe t’u nënshtrohet procedurave dhe kritereve për licencim, sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe/ose legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Në rast se titullari i licencës ekzistuese konstaton se ushtrimi i veprimtarisë së re e vë atë në kushtet e konfliktit të interesit me veprimtarinë ekzistuese, përpara aplikimit për licencën e re, merr masat e nevojshme për shmangien e konfliktit të interesit dhe informon autoritetin përgjegjës për masat e marra prej tij.

Gjithashtu, në përputhje me nenin 17, të ligjit, brenda muajit të dymbëdhjetë nga data e marrjes së licencës dhe brenda muajit janar të çdo viti pasardhës, titullari i licencës, përmes agjentit TD, duhet të hartojë dhe dorëzojë pranë autoritetit, deklaratën e përputhshmërisë, përmes së cilës garantohet përputhshmëria ligjore e veprimtarisë së tij në vijimësi. Deklaratës së përputhshmërisë duhet t’i bashkëlidhen të paktën:

• Dokumente që vërtetojnë mbajtjen në vazhdimësi të nivelit të kërkuar kapitalit rregullator;
• Dokumente në lidhje me ndryshime në strukturën menaxhuese të shoqërisë, ku përfshihen ndryshimet e administratorit, anëtarëve të këshillit të administrimit/ këshillit mbikëqyrës dhe personelit kyç;
• Politikat dhe rregullat e brendshme të funksionimit, të përditësuara;
• Pasqyrat financiare vjetore të audituara në përputhje me legjislacionin në fuqi, së bashku me një kopje të raportit të auditimit që përmban opinionin për pasqyrat financiare të përgatitura nga shoqëria.

Me qëllim sigurimin e aftësisë dhe përshtatshmërisë se titullarit të licencës edhe në vijimësi, të gjitha subjektet e licencuara në përputhje me ligjin 66/2020, duhet të njoftojnë dhe marrin miratimin e autoritetit për cdo ndryshim në strukturën e tij drejtuese, përfshirë personelin kyç. Procedura për emërimin ose zëvendësimin e personelit kyç përcaktohet në rregulloret specifike të miratuara nga Autoriteti, të cilat mund ti aksesoni në faqen zyrtare të AMF. Gjithashtu, titullarët e licencës raportojnë menjëherë në autoritet për përfshirjen e personelit kyç si palë ndërgjygjëse si dhe për cdo ndryshim thelbësor që lidhet me veprimtarinë e subjektit ose funksionarëve të tij, brenda ose jashtë Shqipërisë.


Detyrimet në kuadër të parandalimit të pastrimit të parave


Në përputhje me nenin 16 të ligjit, me përjashtim të ofruesve të shërbimeve inovative, çdo titullar i licencës, çdo emetues i tokenëve digjitalë, si dhe çdo person tjetër që ofron shërbime në lidhje me mjetet virtuale, konsiderohet si ofrues i shërbimeve të mjeteve virtuale, në përputhje me legjislacionin në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe duhet të përmbushë çdo detyrim, duke përfshirë, por pa u kufizuar, si më poshtë:

a) të ushtrojë vigjilencën e duhur/apo të zgjeruar ndaj klientëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe ligjeve të tjera në fuqi;
b) të krijojë një sistem të sigurt për monitorimin e raportimin e transaksioneve, në përputhje me ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” dhe ligjeve të tjera në fuqi;
c) të kryejë një vlerësim të riskut ndaj klientëve dhe ta rishikojë atë në mënyrë periodike;
ç) të raportojë transaksionet e dyshimta tek autoritetet përkatëse, në përputhje me ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”;
d) të zbatojë çdo detyrim tjetër që rrjedh nga ligji “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” për ofruesit e shërbimeve të mjeteve virtuale.

Për më shumë informacion rreth detyrimeve në kuadër të legjislacionit në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave, konsultoni faqen zyrtare të Agjencisë së Inteligjencës Financiare www.fiu.gov.al


Zbatueshmëria dhe sanksionet


Procedura e hetimit administrativ, njoftimi dhe ankimi


Autoriteti përgjegjës, gjatë hetimit administrativ për verifikimin e shkeljeve, ka të drejtë të kërkojë nga subjekti i licencuar në hetim administrativ informacion dhe shpjegime, si dhe të marrë materialet e dokumentacionin e nevojshëm, që kanë lidhje me hetimin administrativ. Autoriteti përgjegjës i cakton subjektit të licencuar një afat për përgjigje ndaj kërkesave të tij për informacion, për dorëzimin e dokumenteve përkatëse, si dhe për dërgimin e observacioneve dhe/ose shpjegimeve të nevojshme. Pas përfundimit të hetimit administrativ, autoriteti përgjegjës njofton me shkrim për vendimin e marrë subjektin e licencuar brenda 10 ditëve kalendarike.

Autoriteti përgjegjës ka të drejtë të vendosë gjobë administrative në masën 12 000 000 (dymbëdhjetë milionë) lekë deri në 18 000 000 (tetëmbëdhjetë milionë) lekë ndaj subjekteve për shkeljet e dispozitave të këtij ligji.Sanksionet vendosen për çdo shkelje, si dhe për çdo mospërputhje me dispozitat e këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.

Subjekti i licencuar ka të drejtë të ankohet në gjykatën përkatëse që shqyrton mosmarrëveshjet administrative brenda 45 ditëve nga e nesërmja e marrjes së vendimit. Ankimi në gjykatë nuk pezullon ekzekutimin e vendimit të autoritetit.



Aktiviteti i jashtëligjshëm.


Në përputhje me nenin 13 të ligjit 9572, datë 03.07.2006 “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare” “Autoriteti me strukturat e veta ka si objekt të veprimtarisë:

1. Rregullimin e veprimtarisë së subjekteve të mbikëqyrura, nëpërmjet hartimit të akteve të Autoritetit, të parashikuara nga ky ligj dhe nga ligjet e fushës, si dhe botimin e udhëzimeve e materialeve shpjeguese.
2. Sigurimin e mbikëqyrjes shtetërore mbi tregun e titujve, tregun e sigurimeve, skemat e pensioneve vullnetare dhe veprimtari të tjera financiare që mbikëqyren, të cilat rregullohen e funksionojnë në përputhje me ligjet në fuqi.
Në ushtrimin e kompetencave të parashikuara në nenin 2 të këtij ligji, Autoriteti ka të drejta të plota për:
    a) miratimin, lëshimin apo refuzimin e licencave për subjektet, që kërkojnë të ushtrojnë veprimtari në njërin prej tregjeve financiare që mbikëqyren;
    b) vëzhgimin dhe organizimin e mbikëqyrjes së subjekteve, që ushtrojnë veprimtari në njërin prej tregjeve financiare që mbikëqyren. Subjektet, qofshin këta individë apo persona, fizikë ose juridikë, që ushtrojnë veprimtaritë e përmenduara në nenin 2 të këtij ligji, në vijim do të quhen “subjekte të mbikëqyrura”
    c) ndjekjen e zbatimit të këtij ligji dhe të akteve të Autoritetit, të dala në zbatim të tij e të ligjeve të fushës dhe të akteve të Autoritetit, të dala në zbatim të tyre dhe zbatimin e masave shtrënguese. “
Në kuadër të sa më sipër, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka si kompetencë mbikëqyrjen e subjekteve të licencuara, të cilat ushtrojnë veprimtarinë në një nga tregjet që rregullohen dhe mbikëqyren nga AMF.

Nga ana tjetër, monitorimi dhe konstatimi i ushtrimit të veprimtarive financiare pa licencë, është kompetencë e organeve përkatëse ligjzbatuese, në përputhje me përcaktimet e Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Për sa i përket rolit të AMF në konstatimin e aktiviteteve të palicencuara ose paautorizuara, Autoriteti mbështetet në (1) informacionet e siguruara nga publiku ose operatorë të sektorëve financiarë përkatës, (2) informacione nga njësitë e inteligjencës financiare dhe organet e tjera publike (3) informacione nga autoritete homologe të huaja, në bazë të marrëveshjeve respektive për shkëmbimin e informacionit. Këto informacione i referohen organeve ligjzbatuese përkatëse dhe AMF i ofron atyre të gjithë asistencën teknike të nevojshme në funksion të kryerjes së hetimeve.

Në rast se dyshoni ose jeni në dijeni të aktiviteteve të pa autorizuara në lidhje me mjetet virtuale, ose nëse keni rënë pre e mashtrimeve të cilat përfshijnë mjete virtuale, ju mund të adresoni ankesat tuaja në Portalin e Ankesave.





Vini re!

Materiali i publikuar në këtë faqe shërben vetëm për qëllime të edukimit financiar dhe përmbajtja e tij nuk duhet të interpretohet si qëndrim zyrtar i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Autoriteti nuk mban përgjegjësi për asnjë dëm që mund të shkaktohet në mënyrë direkte ose indirekte si rrjedhojë e përdorimit të materialeve edukuese në këtë faqe.