Tregjet e Mjeteve Virtuale

Sfidat dhe rreziqet e mjeteve virtuale


Ekosistemi dinamik i mjeteve virtuale, i përbërë nga tregjet e centralizuara (Ce-Fi) dhe ato të decentralizuara (De-Fi) paraqet sfida dhe risqe unike për investitorët, të cilat duhen kuptuar qartë nga ana e tyre përpara se të ndërmarrin një vendim për të investuar në to. Këto rreziqe, të cilat variojnë që nga paqartësitë rregullatore, kompleksitetet operacionale, siguria kibernetike, mosadresimi i konflikteve të interesit etj., ekspozojnë cënueshmëri dhe problematika specifike të cilat ndikojnë në besueshmërinë dhe stabilitetin e këtyre tregjeve dhe mund të rezultojnë në humbje të konsiderueshme për investitorët.

Kësisoj, në platformat më popullore të financave të centralizuara(CeFi), disa nga problematikat më madhore janë mungesa e plotë ose moszbatimi i kontrolleve të brendshme të funksionimit dhe parandalimit të pastrimit të parave, keqmenaxhimi i konfliktit të interesave në rastet e integrimit të veprimtarive të ndryshme brenda platformës (tregtim, kujdestari, shlyerje, krijim tregu, shërbime investimi etj), si dhe mungesa e burimeve të duhura njerëzore dhe financiare për ushtrimin e veprimtarive të synuara. Të gjitha këto krijojnë një rrezik moral të konsiderueshëm për operatorët e këtyre shërbimeve, e cila në shumë raste ka rezultuar në abuzim me fondet e klientëve, deri në falimentimin e platformave, duke sjellë humbje të mëdha parash për investitorët dhe duke cënuar besueshmërine e këtyre tregjeve.

Nga ana tjetër, ekosistemi i financave të decentralizuara mbart sfida të një kompleksiteti të veçantë nga pikëpamja teknologjike, të cilat lidhen kryesisht me parandalimin e skemave mashtruese përmes manipulimit të kontratave të zgjuara, sulmeve kibernetike, si dhe shmangjes së kërkesave rregullatore përmes fshehjes së kontrollit fundor mbi këto platforma. Në këtë kuadër, tregjet e centralizuara dhe të decentralizuara të mjeteve virtuale paraqesin sfida komplekse dhe unike, të cilat duhen kuptuar në mënyrë të qartë përpara se të ndërmerrni një vendim për të investuar në këto asete.

Më poshtë mund të gjeni një informacion të përmbledhur mbi rreziqet kryesore që mund të ndeshen investitorët gjatë investimeve në mjete virtuale.


Rreziqe të përgjithshme të mashtrimit përmes mjeteve virtuale


Natyra e hapur e zhvillimit të ekosistemit të mjeteve virtuale, së bashku me mjetet dhe metodat më të fundit të marketingut digjital, e ka lehtësuar krijimin e skemave fiktive të mashtrimit të cilave mashtruesit arrijnë të zhvasin investitorët. Sipas Chainalysis , një kompani e specializuar në gjurmimin dhe analizimin e transaksioneve në blockchain, që prej vitit 2020 janë vjedhur më shumë se $20 miliardë përmes mashtrimit me mjete virtuale, ndërsa vetëm në vitin 2023 janë pastruar rreth $7 miliardë brenda ekosistemit të mjeteve virtuale nga grupe piraterie dhe mashtrimi.

Investitorët e vegjël, jo-profesionistë, zakonisht tërhiqen në projektet e mjeteve virtuale përmes influencuesve të mediave sociale, komuniteteve në internet dhe formave të tjera të aktiviteteve promovuese. Keqinformimi dhe reklamimi i papërshtatshëm duke përdorur këto kanale promovuese paraqesin rreziqe për të gjithë investitorët të cilët përdorin si platformat e centralizuara të tregtimit, ashtu edhe protokollet e financave të decentralizuara.


1. Tregtimi bazuar në informacionin e privilegjuar

Tregtimi, bazuar në informacionin e privilegjuar, ndodh atëherë kur një person zotëron informacione të privilegjuara dhe e përdor këtë informacion për të blerë apo shitur, për llogari të vet ose për llogari të palëve të treta, direkt ose indirekt, mjete virtuale me të cilat lidhet ky informacion.

Rastet më të zakonshme të tregtimit me informacion të privilegjuar në ekosistmenin e mjeteve virtuale kryesisht përfshijnë individë të lidhur/punësuar në platforma tregtimi të këtyre aseteve, të cilët kanë informacion konfidencial në lidhje me mjetet virtuale që pritet të listohet në atë platformë. Duke qënë se listimi i nje mjeti virtual në një nga platformat e mirënjohura të tregtimit zakonisht shoqërohet me një rritje të vlerës së mjetit virtual (për shkak të perceptimit të rritjes së likuiditetit të tij si pasojë e listimit), personat të cilët disponojnë këtë informacion fillojnë të blejnë mjetin virtual (kryesisht në tregje De-FI) përpara listimit, për ta shitur atë disa orë ose ditë pas listimit, duke përfituar kështu nga luhatshmeritë e shoqëruara me këtë proces.


2. Manipulimi i tregut

Skemat e rritjes dhe rënies së rreme të çmimit (pump&dump)

Skemat e rritjes dhe rënies së rreme të çmimit konsistojnë në fryrjen artificiale të çmimit të një mjeti virtual përmes deklaratave të rreme ose mashtruese nga ana e keqbërësve, të cilët më pas i shesin asetet e tyre me çmim të fryrë, duke shkaktuar rënien e menjëhershme të vlerës dhe duke shkaktuar humbje të mëdha tek investitorët e tjerë.

Skema të tilla përdorin komunitete të mëdha tregtarësh të vegjël (zakonisht në grupe si Telegram ose Discord), të cilët drejtojnë turmat për të blerë mjete virtuale të caktuara duke fryrë çmimin. Gjithashtu, skemat pump & dumb manifestohen dhe në raste të veçanta dhe të një rëndësie të madhe ku media ose personazhe me një rëndësi të lartë për tregun, publikojnë lajme të rreme ose të pakontrolluara duke luhatur çmimet dhe duke krijuar hapsirë për ekzekutimin e ksaj skeme.

Tregtia fiktive (wash trading)

Kjo praktikë është një formë e manipulimit të tregut, e cila përfshin krijimin e aktivitetit artificial në treg nga një investitor që shet dhe blen njëkohësisht të njëjtat mjete virtuale. Ky aktivitet krijon informacione mashtruese për vlerën dhe likuiditetin e asetit, gjë që mund të mashtrojë investitorët e tjerë për të marrë vendime të painformuara investimi. Tregtia fiktive shpesh vjen në ndihmë të skemave ‘pump & dump’ dhe ‘rugpull’, pasi mund të ndryshojë perceptimin e investitorëve për vlerën e asetit. Ajo kryhet kryesisht nga një numër subjektesh si:

• Operatorët e platformave të tregtimit për të raportuar volume më të larta tregtie ndaj investitorëve ose përdoruesve.
• Krijuesit e tregut të mjeteve virtuale për të përmbushur marrëveshjet private me platformat e tregtimit ose për të kontrolluar çmimin për llogari të palëve të treta që kanë interes direkt mbi të.
• Spekulatorët individualë për tu renditur sa më lartë në listat e tregtimit të platformave në mënyrë që të përftojnë shpërblime në formën e tokenave.
• Zhvilluesit e tokenave në mënyrë që të joshin tregtarë në projektin e tyre për të arritur kushtet për tu listuar në një platformë tregtimi ose për të performuar skema mashtrimi.


Rreziqet kryesore të lidhura me Ce-Fi

Platformat e centralizuara të tregtimit shpesh lehtësojnë blerjen dhe shitjen e mjeteve virtuale dhe ofrojnë shërbime më të gjera sesa bursat tradicionale të instrumentave financiarë. Shumë nga platformat më të njohura të mjeteve virtuale operohen nga entitete qendrore, gjë e cila në praktikë mohon qëllimin e decentralizimit dhe çndërmjetësimit që formoi bazën e inovacionit në këtë hapësirë, duke rifutur konceptin e centralizimit dhe besimit në një entitet qendror.

Ndonëse ekzistojnë disa dallime të rëndësishme në mënyrën se si funksionojnë, platformat e centralizuara të tregtimit ngrenë shumë çështje të ngjashme me ato të bursave të letrave me vlerë.

Platformat e mjeteve virtuale ndryshojnë nga ato të instrumentave financiarë në tre mënyra kryesore:

• Ato zakonisht lejojnë akses të drejtpërdrejtë për investitorët jo-profesionistë;
• Krahas përputhjes së urdhrave të blerjes dhe shitjes, në disa raste, mund të tregtojnë për llogari të tyre dhe të veprojnë si krijues tregu;
• Mund të ofrojnë shërbime të kujdestarisë (nëpërmjet portofolëve digjitalë të tyre) për të ofruar shlyerje dhe klerim më të shpejtë në platformë.

Duhet theksuar se transaksionet brenda platformave të centralizuara nuk përdorin asnjë nga veçoritë e sigurisë së teknologjisë blockchain, por në vend të kësaj i ekspozojnë përdoruesit ndaj rrezikut të ofruesit të shërbimit, të cilat janë subjekt i një pike të vetme dështimi, sulmeve kibernetike dhe humbjes së fondeve. Disa platforma tregtimi të mjeteve virtuale ngjajnë me bursat e tregtimit të instrumentave financiarë, ndërsa shumë të tjera mund të aksesohen drejtpërdrejt nga klientët dhe për këtë arsye ngjajnë më shumë me një platformë të operuar nga një shoqëri komisionere. Kjo do të thotë se përveç shqetësimeve që sjell tregtimi tradicional i instrumentave financiarë (marrëveshjet dhe politikat e çështjeve operative, rregullat e tregtisë, manipulimi, transparenca etj.) autoriteteve mund të duhet të mendojnë edhe për rreziqe specifike që rrjedhin nga natyra e vetë platformave të centralizuara, si dhe nga fakti që këto subjekte krijojnë tregun e tyre brenda platformës dhe ofrojnë shërbimet e kujdestarisë së mjeteve virtuale.

Disa subjekte që operojnë platforma të centralizuara mund të emetojnë mjetet e tyre virtuale, si psh. monedhat e qëndrueshme, të cilat mund të shkaktojnë konflikte interesi. Megjithëse ofruesit e këtyre shërbimeve kanë treguar shenja përmirësimi dhe qëndrueshmërie në lidhje me operacionet dhe sigurinë kibernetike, disa nga emrat e mëdhenj kanë pësuar humbje nga manaxhimi i jo efektiv i risqeve. Veçoritë unike të përshkruara më sipër (krijimi tregut dhe ofrimi i kujdesarisë) mund ti vendosin këto platforma në shënjestër të krimit kibernetik. Disa nga incidentet më të mëdha të humbjes së mjeteve virtuale në këto platforma përfshinin qindra milionë dollarë amerikanë, duke falimentuar subjektet që operonin platformat dhe duke shkaktuar humbje masive drejt përdoruesve. Edhe në rastet kur kompensimet u paguan plotësisht, të dëmshpërblyerit nuk ishin në gjendje të përdornin mjetet virtuale që ishin vjedhur për periudha të gjata kohore. Gjatë dy rënieve të mëdha në tregun e aseteve të kriptove (gjatë vitit 2018 dhe 2022), shumë përdorues nuk mund të aksesonin llogaritë për të shitur pozicionet e tyre për shkak të dështimeve operacionale në sistemet e platfomave ose masave të marra për të bllokuar disa transaksione të caktuara.

Tregu i mjeteve virtuale është ende relativisht i ri dhe i prekshëm ndaj rreziqeve të abuzimit të tregut. Disa nga ndërmjetësit, si platformat e tregtimit dhe kujdestarët e portofoleve, janë relativisht të pa sofistikuar nga pikëpamja rregulltore dhe mund t'u mungojnë sistemet dhe kontrollet që ekzistojnë në institucionet e rregulluara. Kjo mund të sjellë rreziqe për integritetin e tregut nëpërmjet asimetrive të informacionit, pasi funksioni i zbulimit të çmimit të tregut është relativisht i dobët, dhe për këtë arsye shtohet rreziku i manipulimit të tregut. Sipas shumë raporteve dhe analizave, platformat e centralizuara lejojnë aktorët të kryejnë tregti fiktive (wash trading), gjë që rrit vëllimet e tregtimit dhe rrit çmimet duke u bërë gjthashtu rrezik për lehtësimin e skemave të manipulimit të çmimit (pump & dump).


Rreziqet kryesore të lidhura me De-Fi

Në thelbin e tij, DeFi kërkon të shmangë ndërmjetësit tradicionalë midis palëve në transaksione. Megjithëse reduktimi i palëve të treta lejon ekzekutimin më të shpejtë, më të lirë dhe më efikas të transaksioneve, ai gjithashtu eliminon pjesëmarrësit e tregut që tradicionalisht kanë vepruar si gardianë, duke kryer role të rëndësishme për të siguruar mbrojtjen e investitorëve dhe integritetin e tregut. Disa ndërmjetës, për shembull, ofrojnë këshilla investimi për të ndihmuar investitorët të kuptojnë përfitimet dhe rreziqet e mundshme të një investimi të caktuar. Të tjerët ofrojnë informacion në kohë reale për produktet e investimeve, kompanitë dhe tregjet për të reduktuar asimetritë e informacionit dhe për të lejuar investitorët të hulumtojnë investimet e mundshme. Ndërmjetësuesit vendosin gjithashtu kufizime strukturore ndaj përdoruesve, si kontrollet e kapitalit dhe likuiditetit, mbrojtja dhe pajtueshmëria me AML/CFT, dhe monitorimi i sanksioneve financiare. Ato gjithashtu mund të ofrojnë mbrojtje kundër humbjeve si rezultat i falimentimit dhe vjedhjes. Këto janë mbrojtje të rëndësishme të investitorëve dhe tregut që synojnë të minimizojnë mashtrimin, të zvogëlojnë rrezikun sistemik dhe të kontribuojnë në tregje të drejta, efikase dhe të barabarta. Në mungesë të këtyre ndërmjetësve dhe pa mekanizma të duhur zëvendësues, rreziku për dëmtimin e investitorëve dhe tregut mund të përkeqësohet. Edhe pse DeFi paraqet përfitime të caktuara, ai gjithashtu përbën rreziqe të shumta për pjesëmarrësit, duke përfshirë investitorët dhe tregjet, aktualisht dhe ndërsa zhvillohet.

Ndonëse promovuesit e këtyre tregjeve pretendojnë se mënyra e decentralizuar dhe automatizuar e ofrimit të shërbimeve nëpër këto platëforma DeFi nuk duhet të jenë pjesë e perimetrit rregullator të mbikëqyrësve financiarë për shkak të mungesës së një entiteti qëndror, në shumë raste zhvilluesit e projektit ushtrojnë në mënyrë direkte ose indirekte kontroll të plotë mbi shërbimet e ofruara, duke ofruar kështu shërbime financiare në mënyrë parregulluar.

Pikat e mëposhtme japin një përshkrim të përgjithshëm mbi rreziqet kryesore që DeFi paraqet për investitorët dhe tregjet.


Skemat virtuale të mashtrimit

Shumë protokolle në DeFi nuk arrijnë të ofrojnë paralajmërime të rëndësishme për investitorët. Megjithëse të dhënat në blockchain dhe kodi i kontratës së zgjuar janë transparente për t'u parë nga të gjithë, kuptueshmëria e tyre kërkon aftësi dhe njohuri teknike të thelluara. Në mungesë të zbatimit të masave mbrojtëse për investitorët dhe kërkesave rregullatore siç mund të jenë publikimi i informacionit, kapitali rregullator, politikat e brendshme në lidhje me parandalimin e pastrimit të parave dhe sigurinë kibernetike, shqyrtimi i aftësisë dhe përshtatshmërisë së ofruesit të shërbimit etj., investitorët mund të mos kenë të gjithë informacionin dhe garancitë e nevojshme për të marrë vendime të mireinformuara për të investuar.

Sikurse u përmend më sipër, disa produkte në tregjet DeFi mund të kërkojnë ekspertizë të caktuar teknike që jo të gjithë investitorët e zotërojnë. Mund të ketë avantazhe të fshehura informative ose teknologjike që pjesëmarrësit e sofistikuar kanë ndaj investitorëve me pakicë, të cilat krijojnë asimetri informacioni midis zhvilluesve të mjetit virtual dhe investitorëve dhe rrjeshimisht një fushë loje të pabarabartë. Edhe në mungesë të mashtrimit ose sjelljes jo të duhur, investitorët mund të humbasin një pjesë, nëse jo të gjithë, nga investimi i tyre për shkak të këtyre asimetrive të informacionit.Skemat prevalente të cilat paraqesin rreziqet kryesore ndaj investitorëve dhe përbëjnë totalin e parave të vjedhura mund ti kategorizojmë si më poshtë:

1. Manipulimi i kontratave të zgjuara (rugpulls)

Ndonëse kontratat e zgjuara janë kontrata vetë-ekzekutuese me kushte të paracaktuara të shkruara në kod, ato mund të manipulohen fshehurazi për të krijuar avantazhe për zhvilluesit e tyre, duke rezultuar shpesh në humbjen fondeve të investitorëve. Zhvilluesit e këtyre skemave të mashtrimit në DeFi mund të programojnë kode të cilat u lejojnë atyre të shesin monedha që nuk i posedojnë ose të emetojnë monedha të reja duke rritur artificialisht sasinë e tyre në qarkullim.

I ashtuquajturi "rugpull" është një skemat e mashtrimit në De-Fi në të cilin zhvilluesit e një projekti të lidhur me mjete virtuale në DeFi manipulojnë kontratën e zgjuar mbi të cilën është zhvilluar mjeti virtual ose tërheqin papritur likuiditetin, duke i lënë investitorët me asete të pavlera.

Kjo ndodh zakonisht në projekte që nuk kanë transparencë ose kanë krijues anonimë. Fillimisht, mashtruesit thithin investitorë përmes promovimeve në rrjete sociale duke pasqyruar informacione të rreme, të hartuara në atë mënyrë që të krijojë besim dhe perspektivë për audiencën. Pasi mjaftushëm investitorë kanë shkëmbyer fondet e tyre (USDC, Ethereum, etj) për tokenat e projektit, duke rritur kështu vlerën e këtyre të fundit, atëherë drejtuesit shesin gjithçka dhe zhduken me investimet e marra, duke bërë që vlera e tokenit në fjalë të shkojë drejt zero. Për të shmangur rreziqet, hulumtoni tërësisht ekipin e projektit dhe historikun e tyre. Disa nga llojet më të njohura të kësaj forme mashtrimi, mund te listohen si më poshtë:

• ‘Honeypot’-et - pengojnë blerësit të rishesin mjetet e tyre virtuale.
• Funksionet e fshehura të emetimit (Hidden Mint) - lejojnë zhvilluesit të krijojnë mjete virtuale të reja, duke shtuar sasinë e tyre në qarkullim.
• Dorëzim fiktiv i pronësisë së kodit - krijon përshtypjen se zhvilluesit e mjeteve virtuale nuk kanë kontroll mbi projektin, por në fakt ato mund të manipulojnë kontratat fshehurazi.
• Funksionet e modifikimit të balancave - lejojnë zhvilluesit të modifikojnë balancat e përdoruesve që zotërojnë mjetin virtual.
• Funksionet e modifikimit të tarifave - u lejojnë zhvilluesve të vendosin taksë shitjeje të mjetit virtual deri në 100%.
• Funksionet e modifikimi i shumës maksimale të transaksionit - lejojnë zhvilluesit të vendosin vlerat maksimale të transaksionit deri në zero, duke bllokuar shitjet ose transfertat mes llogarive.
• Funksionet e transfertave të fshehura - lejojnë zhvilluesit të transferojnë mjetet virtuale nga adresat e zotëruesve të tjerë në adresat e tyre.

Nisur nga sa më lart, gjithmonë sigurohuni që kontratat e zgjuara me të cilat ndërveproni të jenë të audituara nga shoqëri të licencuara dhe me reputacion.

2. Skema të rreme investimi

Këto skema mund të variojnë nga call center-at fiktivë të cilët hiqen si këshilltarë financiarë dhe menaxhues investimesh të licensuar e deri tek skemat më teknike të phishing, ku investitorët mashtrohen për të zbuluar informacione të ndjeshme ose për të investuar në projekte të rreme që imitojnë të njohura ndërkombtarisht dhe me reputacion të lartë. Jini të kujdesshëm ndaj ofertave të pakërkuara të investimeve dhe verifikoni gjithmonë legjitimitetin e mundësisë së investimit duke u konsultuar me rregullatorë ose këshillues financiar të licensuar.


Çfarë të kemi parasysh për tu ruajtur nga rreziqet që paraqet tregu i mjeteve virtuale?


1. Kërkim dhe hulumtim i thelluar

Kuptoni mirë projektin dhe funksionalitetin e synuar të mjetit virtual në të cilin doni të investoni duke analizuar thellësisht teknologjinë, qëllimin dhe potencialin e tregut. Këto projekte zakonisht posedojnë një relacion prezantues (whitepaper), të cilën duhet ta shyqrtoni hollësisht për detaje teknike dhe financiare. Gjitashtu vlerësoni kredibilitetin e ekipit duke hulumtuar mbi historikun e stafit drejtues të projektit, sukseset ose dështimet e tyre të kaluara së bashku me partnerët e angazhuar.

Hulumtimet mund të thellohen dhe më tej duke u angazhuar me komunitetin e gjerë të mjeteve virtuale dhe duke kërkuar mendime nga ekspertë të industrisë për të vlerësuar qëndrueshmërinë dhe reputacionin e projektit.

2. Pajtueshmëria dhe verifikimet rregullatore

Kryeni kontrolle të rregullta në faqet e internetit të rregullatorëve ku pretendohet se ndodhet projekti. Konfirmoni që projekti ose platforma është regjistruar ose licencuar me autoritetet financiare përkatëse si AMF në Shqipëri, FCA në Londër, SEC në SHBA, etj.

Ndiqni përditësimet dhe paralajmërimet e publikuara nga rregullatorët financiarë për tu informuar mbi subjektet në listën e zezë ose skemat mashtrimuese në zhvillim e sipër.

3. Angazhimi me platforma me reputacion dhe të sigurt

Zgjedhni platforma dhe ofrues shërbimesh të sigurt, të çertifikuar dhe të licencuara me kohë të gjatë dhe të provuar në treg. Për investime të konsiderueshme, merrni parasysh konsultimin me këshilltarë të licencuar financiarë.

4. Edukimi i vazhdueshëm dhe ndërgjegjësimi për mashtrimin

Njihuni me një kuptim bazë të teknologjisë blockchain dhe kontratave të zgjuara për të kuptuar më mirë rreziqet e përfshira. Qëndroni të përditësuar mbi tendencat e investimeve, përparimet teknologjike dhe ndryshimet në tregun e mjeteve virtuale.

Edukoni veten për karakteristikat e mashtrimeve të zakonshme dhe si t'i shmangni ato. Tregoni kujdes ndaj investimeve që premtojnë fitime anomalisht të larta me rreziqe minimale.

5. Menaxhimi i rrezikut dhe praktikat e mençura të investimit

Kuptoni tolerancën tuaj të rrezikut personal dhe investoni në përputhje me rrethanat, duke shmangur alokimin e të gjitha aseteve në investime me rrezik të lartë. Diversifikoni portofolin tuaj të investimeve në asete të ndryshme për të zbutur rrezikun.

Qëndroni larg investimeve që kërkojnë vendime të menjëhershme ose ofrojnë norma fitimi të cilat duken shumë të mira për të qenë të vërteta.

Përditësohuni në mënyrë periodike me paralajmërimet e Autoritetit rreth rreziqeve të evidentuara në tregjet e mbikqyrura duke ndjekur këtë link, si dhe drejtohuni në "Portalin e Ankesave" për të denoncuar aktivitete të dyshimta dhe të pa autorizuara.





Vini re!

Materiali i publikuar në këtë faqe shërben vetëm për qëllime të edukimit financiar dhe përmbajtja e tij nuk duhet të interpretohet si qëndrim zyrtar i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Autoriteti nuk mban përgjegjësi për asnjë dëm që mund të shkaktohet në mënyrë direkte ose indirekte si rrjedhojë e përdorimit të materialeve edukuese në këtë faqe.