22 Janar 2010

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për vitin 2009

Viti 2009 rezultoi i suksesshëm për sektorin e sigurimeve në Shqipëri, duke rritur ndjeshëm ritmet e zhvillimit të shoqërive të sigurimit dhe tregut në tërësi. Të ardhurat nga primet e sigurimit arritën rreth 7,878 milionë lekë, ose 11.13% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjate vitit 2009 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 755,666 duke shënuar një rritje prej rreth 9.15 %, krahasuar me  një vit më parë.  Rritja e primeve ka qenë në harmoni me rritjen e numrit të kontratave të sigurimit, çfarë përforcon qëndrueshmërinë e tendencës së zhvillimit.Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 90.81 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 9.19 % . Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 46.83 % dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm  zënë 53.17 % të totalit të tregut. Rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar tregon për një ndryshim të strukturës së tregut të sigurimeve ndikuar nga rritja e ndjeshme e sigurimeve vullnetare.


Sigurimi i Detyrueshëm

Primet në sigurimet e detyrueshme motorrike arritën shifrën 4,189 milionë lekë, ose rreth 5.17 % më shumë se në të njëjtën periudhë te vitit të kaluar. Rritje të dukshme patën produktet Karton jeshil dhe  Sigurimit Kufitar, përkatësisht me rritje 12.21 % dhe 25.58 % krahasuar me vitin 2008, ndërsa numri i kontratave pati një ulje prej 1.70 % për Kartonin jeshil dhe një rritje prej rreth  11.69 % për Kufitaren, krahasuar me Janar- Dhjetor 2008.

Ndërsa produkti TPL e brendshme  me vlerë primesh  rreth 2,738 milionë lekë paraqiti nje rritje  prej rreth  0.35 %, ndërsa numri i kontratave ka pësuar një rritje prej 9.94 % krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar.

Sigurimi Vullnetar

Në harkun kohor të pak viteve, tregu i sigurimeve gjendet me një strukturë të përmirësuar në favor të sigurimeve vullnetare, që ne vitin 2009 sollën 46.83 % të primeve të sigurimit. Primet e sigurimit vullnetar arritën rreth 3,689 milione lekë, ose 18.77 % më shumë se në   vitin 2008 dhe me rreth 9.67% rritje të numrit të kontratave të sigurimit krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimet vullnetare të jo jetës gjatë kësaj vitit 2009 patën rritje me rreth 14.56 % kundrejt një viti më parë.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 2,010 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 40.55 % të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 31.12% dhe më pas vjen  sigurimi i garancive  me 11.47%.

 Në portofolin ‘Zjarri dhe rreziqet shtesë' ndihet një rritje prej 8.81% e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 9.34 % të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli.

Në Janar - Dhjetor të vitit 2009, sigurimet e përgjegjësisë kanë pësuar një  ulje me rreth 16.83 % krahasuar me Janar - Dhjetor të vitit 2008. Sigurimet inxhinierike të analizuara veçmas si portofol në sigurimet e përgjegjësive, në këtë periudhë patën një ulje prej 30.77% në volumin e primeve të shkruara dhe një rritje me 22.97 %  në numrin e kontratave, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në periudhën Janar - Dhjetor të vitit 2009 arritën në rreth 375 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 19.72 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit me rreth 75.43 % të të ardhurave të këtij grupi.

Primet nga sigurimet e jetës në vitin 2009 arritën 724 milionë lekë, ose rreth 39.79% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Pjesëmarrja e investitorëve të huaj seriozë me përvojë të gjatë në sigurimet e jetës, po nxit pasurimin me produkte të mirëfillta të jetës dhe shëndetit, të panjohura deri tani në treg.

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve u rritën me rreth 11.55 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar . Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorrike me 1,487 milionë lekë, apo    86.04% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Miratimi i ligjit të sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit në fillim të këtij viti dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, pritet të ndikojë në shkurtimin e afateve dhe rritjen në tërësi të cilësisë së dëmshpërblimit kundrejt të dëmtuarve.

 Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorrik, meqënëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për sigurimin Kasko dhe sigurimin Karton Jeshil, paraqitur në tabelën e mëposhtme:

                                                                                                                                                                                       në mijë lekë

Lloji i sigurimit

Viti

2008

2009

                                                                                          Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

                      94

             112

Karton Jeshil

                    789

             666

Kasko

                      91

             100


Duke ndjekur në vijimësi gjendjen e tregut Shqiptar të sigurimeve, AMF vlerëson se ky treg nuk ka patur ndikime të ndjeshme nga situata e tregjeve financiare ndërkombëtare, me të cilën po përballen një pjesë e vendeve Evropiane. Kjo edhe për shkakun se kemi të bëjmë me një treg në zhvillim që ka qenë larg produkteve të komplikuara afatgjata dhe skemave të investimit në instrumente financiarë që sot gjenden në vështirësi. Monitorimet dhe analizat e kryera nga AMF tregojnë një treg të fortë financiarisht dhe me kapacitet për të mirëpritur rritje edhe më të madhe nga ajo që pasqyrohet në shifrat e  vitit.

Për çdo të interesuar, Raporti Mujor Statistikor, janar - dhjetor 2009 përmban një pasqyrë të detajuar të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit etj.


Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - dhjetor 2009 (në versionin EXCEL) klikoni këtu

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - dhjetor 2009 (në versionin PDF) klikoni këtu