26 Nentor 2021

Ecuria e tregut të sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-tetor 2021

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-tetor 2021 kapën vlerën 15,741 milionë lekë, ose 16.48% më shumë se në janar-tetor 2020. Gjatë periudhës janar-tetor 2021, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 952,992 me një rritje prej 21.34% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.56% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 7.28%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 38.91% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 61.09% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-tetor 2021, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 5,591 milionë lekë, ose 9.71% më pak se në periudhën janar-tetor 2020, ndikuar kryesisht nga pagesa e pjesës më të madhe të dëmshpërblimeve për tërmetet e fundvitit 2019 gjatë vitit të kaluar.

Ndërkohë dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar-tetor 2021 kapën vlerën 3,333 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 31.67% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-tetor 2021 arritën rreth 9,616 milionë lekë, ose 12.77 % më shumë se në periudhën janar-tetor 2020.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-tetor 2021, pati një rritje prej 7.99% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 9.72% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-tetor 2021 pati një rritje prej 27.78% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 57.65% krahasuar me periudhën janar-tetor 2020.

Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-tetor 2021, pati një rritje 137.73% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-tetor 2020. Edhe numri i kontratave u rrit me 165.09%.

Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-tetor 2021 arritën rreth 6,125 milionë lekë, 22.83% më shumë se në periudhën janar-tetor 2020. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 18.10% krahasuar me periudhën janar-tetor 2020.

Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-tetor 2021, patën rritje me 21.89% kundrejt periudhës janar-tetor 2020.

Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar-tetor 2021 siguruan mbi 2,893 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 61.49%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 28.79% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar-tetor 2021, vihet re një rritje prej 34.55% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 9.99% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-tetor 2020.

Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar-tetor 2021, arritën në rreth 1,009 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 12.49% në krahasim me periudhën janar-tetor 2020.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-tetor 2021, arritën rreth 1,146 milionë lekë, ose 24.50% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

*[1]Dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-tetor 2021 u ulën me 9.71% krahasuar me janar-tetor 2020. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 3,333 milionë lekë, apo 59.61% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.

Emërtimi Vlerat (në 000 lekë) Ndryshimi
(në %)
janar-tetor 2020 2021 21/`20-1
 Dëmi mesatar
MTPL e brendshme  175  181 3.28
Karton Jeshil  669  918 37.21
Kasko  105  118 12.85

Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar-tetor 2021, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar raportin e plotë statistikor (në versionin Excel) për janar-tetor 2021, ju lutemi klikoni këtu.
 

 

[1]Tek dëmet e paguara janë përfshirë dhe Dëmet nga Fondi i Kompensimit raportuar nga Byroja Shqiptare e Sigurimit.