Ecuria e tregut të sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-nëntor 2021
Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-nëntor 2021 kapën vlerën 17,370 milionë lekë, ose 17.59% më shumë se në janar-nëntor 2020. Gjatë periudhës janar-nëntor 2021, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,055,799 me një rritje prej 23.12% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.69% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 7.16%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 38.51% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 61.49% të totalit të tregut.
Gjatë periudhës janar-nëntor 2021, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 6,001 milionë lekë, ose 11.88% më pak se në periudhën janar-nëntor 2020, ndikuar kryesisht nga pagesa e pjesës më të madhe të dëmshpërblimeve për tërmetet e fund vitit 2019 gjatë vitit të kaluar.
Ndërkohë dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar-nëntor 2021 kapën vlerën 3,629 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 25.35% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-nëntor 2021 arritën rreth 10,681 milionë lekë, ose 13.71 % më shumë se në periudhën janar-nëntor 2020.
Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-nëntor 2021, pati një rritje prej 9.05% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 11.16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-nëntor 2021 pati një rritje prej 30.35% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 62.71% krahasuar me periudhën janar-nëntor 2020.
Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-nëntor 2021, pati një rritje 132.07% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-nëntor 2020. Edhe numri i kontratave u rrit me 158.47%.
Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-nëntor 2021 arritën rreth 6,689 milionë lekë, 24.35% më shumë se në periudhën janar-nëntor 2020. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 21.00% krahasuar me periudhën janar-nëntor 2020.
Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-nëntor 2021, patën rritje me 23.85% kundrejt periudhës janar-nëntor 2020.
Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar-nëntor 2021 siguruan mbi 3,168 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 59.89%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 30.48% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar-nëntor 2021, vihet re një rritje prej 35.10% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 10.19% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-nëntor 2020.
Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar-nëntor 2021, arritën në rreth 1,077 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 14.52% në krahasim me periudhën janar-nëntor 2020.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-nëntor 2021, arritën rreth 1,244 milionë lekë, ose 24.17% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
*[1]Dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-nëntor 2021 u ulën me 11.88% krahasuar me janar-nëntor 2020. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 3,629 milionë lekë, apo 60.47% të totalit të dëmeve të paguara bruto.
Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.
| Emërtimi | Vlerat (në 000 lekë) | Ndryshimi | |
| (në %) | |||
| janar-nëntor | 2020 | 2021 | 21/`20-1 |
| Dëmi mesatar | |||
| MTPL e brendshme | 180 | 180 | - |
| Karton Jeshil | 756 | 871 | 15.15 |
| Kasko | 103 | 116 | 12.80 |
Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar-nëntor 2021, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.
Për të lexuar raportin e plotë statistikor (në versionin Excel) për janar-nëntor 2021, ju lutemi klikoni këtu.
Shqip
English