Ecuria e tregut të sigurimeve në Shqipëri për vitin 2021
Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për vitin 2021 kapën vlerën 19,268 milionë lekë, ose 16.02% më shumë se në vitin 2020. Gjatë vitit 2021, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,173,520 me një rritje prej 22.7% krahasuar me një vit më parë.
Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.44% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 7.42%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 38.35% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 61.65% të totalit të tregut.
Gjatë vitit 2021, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 6,666 milionë lekë, ose 11.08% më pak se në vitin 2020, ndikuar kryesisht nga pagesa e pjesës më të madhe të dëmshpërblimeve për tërmetet e fund vitit 2019 gjatë vitit 2020.
Ndërkohë dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për vitin 2021 kapën vlerën 3,986 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 20.25% krahasuar me vitin 2020.
Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë vitit 2021 arritën rreth 11,878 milionë lekë, ose 12.06% më shumë se në vitin 2020.
Produkti MTPL e brendshme, në vitin 2021, pati një rritje prej 7.36% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 9.35% krahasuar me një vit më parë.
Produkti Karton Jeshil në vitin 2021 pati një rritje prej 31.91% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 66.83% krahasuar me vitin 2020.
Produkti Sigurim Kufitar, në vitin 2021, pati një rritje 122.39% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me vitin 2020. Edhe numri i kontratave u rrit me 147.56%.
Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë vitit 2021 arritën rreth 7,390 milionë lekë, 23% më shumë se në vitin 2020. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 23.04% krahasuar me vitin 2020.
Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë vitit 2021, patën rritje me 22.73% kundrejt vitit 2020.
Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë vitit 2021 siguruan mbi 3,440 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 59.56%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 30.76% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë vitit 2021, vihet re një rritje prej 32.73% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 9.88% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me vitin 2020.
Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë vitit 2021, arritën në rreth 1,215 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 15.68% në krahasim me vitin 2020.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë vitit 2021, arritën rreth 1,430 milionë lekë, ose 22.74% më shumë se një vit më parë.
*[1]Dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë vitit 2021 u ulën me 11.08% krahasuar me vitin 2020. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 3,986 milionë lekë, apo 59.8% të totalit të dëmeve të paguara bruto.
Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.
| Emërtimi | Vlerat (në 000 lekë) | Ndryshimi | |
| (në %) | |||
| Viti | 2020 | 2021 | 21/`20-1 |
| Dëmi mesatar | |||
| MTPL e brendshme | 188 | 180 | -4.19 |
| Karton Jeshil | 785 | 850 | 8.27 |
| Kasko | 107 | 118 | 10.33 |
Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për vitin 2021, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.
Për të lexuar raportin e plotë statistikor (në versionin Excel) për vitin 2021, ju lutemi klikoni këtu.
Shqip
English