26 Shkurt 2022

Ecuria e tregut të sigurimeve në Shqipëri, janar 2022

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar 2022 kapën vlerën 1,422 milionë lekë, ose 5.16% më pak se në janar 2021. Gjatë periudhës janar 2022, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 83,798 me një rritje prej 17.72% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.55% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 7.4%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.68% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.32% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar 2022, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 387 milionë lekë, ose 28.34% më pak se në periudhën janar 2021, ndikuar kryesisht nga pagesa e dëmshpërblimeve për tërmetet e fundvitit 2019 gjatë vitit të kaluar.

Ndërkohë dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar 2022 kapën vlerën 297 milionë lekë, duke pësuar një ulje me rreth 1.93% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar 2022 arritën rreth 858 milionë lekë, ose 5.86 % më shumë se në periudhën janar 2021.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar 2022, pati një rritje prej 3.79% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 2.05% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Produkti Karton Jeshil në periudhën janar 2022 pati një rritje prej 22.41% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 22.2% krahasuar me periudhën janar 2021.

Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar 2022, pati një rritje 2.02% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar 2021. Edhe numri i kontratave u rrit me 2.21%.

Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar 2022 arritën rreth 564 milionë lekë, 18.11% më pak se në periudhën janar 2021. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 44.07% krahasuar me periudhën janar 2021.

Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë periudhës janar 2022, patën një ulje me 22.93% kundrejt periudhës janar 2021.

Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar 2022 siguruan mbi 233 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 58.72%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 29.1% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar 2022, vihet re një ulje prej 61.43% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 0.45% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar 2021.

Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar 2022, arritën në rreth 137 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 26.1% në krahasim me periudhën janar 2021.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar 2022, arritën rreth 105 milionë lekë, ose 11.54% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

*[1]Dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar 2022 u ulën me 28.34% krahasuar me janar 2021. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 297 milionë lekë, apo 76.59% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.

Emërtimi Vlerat (në 000 lekë) Ndryshimi
(në %)
Janar 2022 2021 2022 22/`21-1
Dëmi mesatar
MTPL e brendshme 194  162 -16.75
Karton Jeshil 671  412 -38.57
Kasko 109  112 2.84

Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar 2022, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar raportin e plotë statistikor (në versionin Excel) për janar 2022, ju lutemi klikoni këtu.
 

 

[1]Tek dëmet e paguara janë përfshirë dhe Dëmet nga Fondi i Kompensimit raportuar nga Byroja Shqiptare e Sigurimit