30 Prill 2022

Ecuria e tregut të sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-mars 2022

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-mars 2022 kapën vlerën 4,280 milionë lekë, ose 5.97% më shumë se në janar-mars 2021. Gjatë periudhës janar-mars 2022, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 247,576  me një rritje prej 21.99% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.51% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 7.45%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 41.57% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 58.43% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-mars 2022, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 1,458 milionë lekë, ose 27.37% më pak se në periudhën janar-mars 2021, kjo ulje është e ndikuar nga vazhdimësia e  pagesave për dëmshpërblime nga tërmetet e fund vitit 2019 gjatë janar-marsit 2021.

Ndërkohë dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar-mars 2022 kapën vlerën 1,003 milionë lekë, duke pësuar një rënie me rreth 0.63% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-mars 2022 arritën rreth 2,501 milionë lekë, ose 10.75 % më shumë se në periudhën janar-mars 2021.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-mars 2022, pati një rritje prej 6.72% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 5.05% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-mars 2022 pati një rritje prej 42.25% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 52.82% krahasuar me periudhën janar-mars 2021.

Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-mars 2022, pati një rritje 2.48% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-mars 2021. Edhe numri i kontratave u rrit me 1.4%.

Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-mars 2022 arritën rreth 1,780 milionë lekë, 0.09% më pak se në periudhën janar-mars 2021. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 40.97% krahasuar me periudhën janar-mars 2021.

Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-mars 2022, patën një ulje me 1.86% kundrejt periudhës janar-mars 2021.

Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar-mars 2022 siguruan mbi 839 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 67.19%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 23.27% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar-mars 2022, vihet re një ulje prej 15.38% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 4.67% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-mars 2021.

Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar-mars 2022, arritën në rreth 327 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 23.39% në krahasim me periudhën janar-mars 2021.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-mars 2022, arritën rreth 319 milionë lekë, ose 8.57% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

*[1]Dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-mars 2022 u ulën me 27.37% krahasuar me janar-mars 2021. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1,003 milionë lekë, apo 68.83% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.

Emërtimi Vlerat (në 000 lekë) Ndryshimi
(në %)
janar-mars 2022 2021 2022 22/`21-1
Dëmi mesatar
MTPL e brendshme   190  174 -8.37
Karton Jeshil 1,282  430 -66.45
Kasko   124  104 -15.91

Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar-mars 2022, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar raportin e plotë statistikor (në versionin Excel) për janar-mars 2022, ju lutemi klikoni këtu.
 

 

[1]Tek dëmet e paguara janë përfshirë dhe Dëmet nga Fondi i Kompensimit raportuar nga Byroja Shqiptare e Sigurimit