28 Shtator 2022

Ecuria e tregut të sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-gusht 2022

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-gusht 2022 kapën vlerën 13,881 milionë lekë, ose 9.53% më shumë se në janar-gusht 2021. Gjatë periudhës janar-gusht 2022, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 867,266  me një rritje prej 16.41% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.79% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 8.12%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.16% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.84% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-gusht 2022, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 4,172 milionë lekë, ose 9.74% më pak se në periudhën janar-gusht 2021. Kjo ka ardhur kryesisht për shkak të vijimit të pagesave të dëmeve nga tërmetet e funditvitit 2019 përgjatë vitit 2021. 

Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar-gusht 2022 kapën vlerën 2,857 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 7.94% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-gusht 2022 arritën rreth 8,446 milionë lekë, ose 11.21% më shumë se në periudhën janar-gusht 2021.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-gusht 2022, pati një rritje prej 7.21% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 5.38% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-gusht 2022 pati një rritje prej 40.88% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 54.67% krahasuar me periudhën janar-gusht 2021.

Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-gusht 2022, pati një rritje 12.17% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-gusht 2021. Edhe numri i kontratave u rrit me 21.50%.

Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-gusht 2022 arritën rreth 5,436 milionë lekë, 7.02% më shumë se në periudhën janar-gusht 2021. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 18.61% krahasuar me periudhën janar-gusht 2021.

Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-gusht 2022, patën një rritje me 3.50%  kundrejt periudhës janar-gusht 2021.

Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar-gusht 2022 siguruan mbi 2,397 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 67.96%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 22.98% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar-gusht 2022, vihet re një rritje prej 5.07% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 5.79% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-gusht 2021.

Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar-gusht 2022, arritën në rreth 971 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 17.30% në krahasim me periudhën janar-gusht 2021.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-gusht 2022, arritën rreth 1,127 milionë lekë, ose 24.63% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

*[1]Dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-gusht 2022 u ulën me 9.74% krahasuar me janar-gusht 2021. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 2,857 milionë lekë, apo 68.48% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.

Emërtimi Vlerat (në 000 lekë) Ndryshimi
(në %)
janar-gusht 2022 2021 2022 22/`21-1
Dëmi mesatar
MTPL e brendshme  180  194 7.65
Karton Jeshil  1,021  502 (50.86)
Kasko  123  109 (11.06)

Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar-gusht 2022, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar raportin e plotë statistikor (në versionin Excel) për janar-gusht 2022, ju lutemi klikoni këtu.
 

 

[1]Tek dëmet e paguara janë përfshirë dhe Dëmet nga Fondi i Kompensimit raportuar nga Byroja Shqiptare e Sigurimit.