24 Dhjetor 2010

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën Janar – Nëntor 2010

Të ardhurat nga primet e sigurimit, në periudhën janar - nëntor 2010 arritën rreth 7,315 milionë lekë, ose 2.28% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjatë periudhës janar - nëntor 2010  numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 609,372 duke shënuar një ulje prej rreth 12.06%, krahasuar me janar - nëntor 2009. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 89.39% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 9.85% dhe aktivitetin e risigurimeve me rreth 0.76%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 47.10% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 52.90% të totalit të tregut.

Sigurimi i Detyrueshëm

Primet në sigurimet e detyrueshme motorike arritën shifrën 3,869 milionë lekë, ose rreth 0.22% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Produkti Sigurim Kufitar gjatë periudhës janar - nëntor 2010 pati një rritje prej 5.27% për primet e shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 6.36% krahasuar me janar - nëntor 2009.

Produkti MTPL e brendshme  gjatë periudhës janar - nëntor 2010 pati një rritje prej 6.65% për primet e shkruara bruto dhe numri i kontratave pati një rritje prej 5.69% krahasuar me janar - nëntor  2009.

Ndërsa produkti Karton Jeshil pati një ulje me rreth 19.56% për primet e shkruara bruto, krahasuar me janar - nëntor 2009 dhe numri i kontratave pati një ulje prej 4.69% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar arritën rreth 3,446 milionë lekë, ose 5.24% më shumë se në  janar - nëntor të vitit 2009, por me rreth 29.46% ulje të numrit të kontratave të sigurimit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar - nëntor 2010  patën rritje me rreth 3.80%  kundrejt periudhës janar - nëntor 2009.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 1,788 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe rreziqet shtesë, me rreth 44.18% të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 25.30% .

Në portofolin ‘Zjarri dhe rreziqet shtesë' gjatë periudhës janar - nëntor 2010 ndihet një rritje prej 3.06% e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 22.37% të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli, krahasuar me muajin janar - nëntor  2009.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në periudhën janar - nëntor 2010  arritën në rreth 338 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 4.44% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2009. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit me rreth 75.06% të të ardhurave të këtij grupi.

Primet nga sigurimet e Jetës në janar - nëntor 2010 arritën 721 milionë lekë, ose rreth 11.09% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë muajve janar - nëntor 2010 u rritën me rreth 25.40% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me 1,686 milionë lekë, apo 86.79% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorik, meqenëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për këtë lloj sigurimi, paraqitur në tabelën e mëposhtme:

në mijë lekë

Lloji i sigurimit

Janar - Nëntor

2009

2010

                                                                                     Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

 108

117

Karton Jeshil

652

1186

Kasko

88

85

Për çdo të interesuar, Raporti Mujor Statistikor Janar - Nëntor 2010 përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën Janar - Nëntor 2010 (në versionin EXCEL) klikoni këtu

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën Janar - Nëntor 2010 (në versionin PDF) klikoni këtu